Speciale

GJERMANIA / Portret i një kombi, nga Bismarku tek Euro

Screen Shot 2015-07-10 at 23.41.12
Gjermania moderne lindi mbi dyqind vjet më parë, dhe i bëri hapat e saj të parë falë një lëvizjeje të denjë për t’u krahasuar me zhdërvjelltësinë që Savojat fitonin luftërat e tyre, duke u hedhur nga një fushëbetejë në tjetrën. Prusia ishte mundur nga Bonaparti, asaj i ishte dashur të lejonte Grande Armee të sulmonte Rusinë përmes territorit të vet dhe kish vënë 40 mijë burra në dispozicion të Perandorit. Por një gjeneral prusian, Hans von Yorck, lidhi me carin një marrëveshje neutraliteti dhe një burrë shteti gjenial, Heinrich von Stein, bëri marrëveshje me francezët, rihapi portet prusianë për tregtinë me Anglinë, organizoi dy ushtri të mëdha popullore, Landvehr-in dhe Landstrum-in, që në muajt që pasuan do të luftonin “luftën për clirimin gjerman”. Që nga ai moment, Prusia rigjeti rangun e humbur, hyri triumfalisht në Paris me fitimtarët, përmes marshallit Bluecher dha një kontribut vendimtar në fitoren e Vaterlosë, firmosi me fuqitë e tjera traktatet e Vjenës, u shndërrua në më ambiciozin e shteteve gjermanikë dhe një pjesë e domosdoshme e atij aparati delikat, që u quajt “koncerti” europian.

Shenjat e rigjallërimit ishin të dukshme prej disa vitesh. Europa njihte teoritë filozofike të Kantit dhe Hegelit, lexonte Gëten dhe Shilerin, nuk mund të injoronte vitalitetin e qarqeve filozofikë dhe letrarë gjermanë. Një shkrimtar, J. P. Rihter thoshte me krenari që “perandoria e tokës u përket francezëve, perandoria e deteve u përket anglezëve, perandoria e ajrit u përket gjermanëve”: një hapësirë, kjo e fundit, që përfshinte mendimin, fantazinë, imagjinatën, muzikën, sensin e historisë, të tokës dhe të gjakut.

Në Berlinin e pushtuar nga francezët, mes dhjetorit 1807 dhe marsit 1808, një filozof, Johann Gottlieb Fichte kishte ofruar “fjalimet e tij drejtuar popullit gjerman” dhe kishte përshkruar dy përbërësit parësorë të nacionalizmit të tetëqindës: një arsim kombëtar me shpenzimet e shtetit, bazuar mbi parimet e një pedagogjisti zviceran, Johann Pestalozzi dhe shërbimin ushtarak të detyruar. Germaine de Staël vizitoi Gjermaninë në ata vite, u mrekullua, e propozoi atë si model për francezët dhe italianët, e përshkroi në një libër të vitit 1810, i cili e irritoi shumë Napoleonin dhe u ndalua prej censurës së perandorisë.

Sot, irritimi i Napoleonit mund të tingëllojë profetik, për të paralajmëruar ditën kur një tjetër Bonaparte do të përplasej me fuqinë prusiane në fushëbetejë. Edukuar sipas parimeve të Fihtess dhe reformës së madhe shkollore të Vilhelm von Humbolt, modernizuar prej rigjallërimit institucional të Steinit, stërvitur në përdorimin e armëve nga gjeneralët dhe administruar pagabueshmërisht prej junker-ëve të saj, Prusia, me një kryeqytet të zbukuruar prej arkitekturës monumentale të Karl Friedrich Schinkelit, vazhdoi të fitojë autoritet, sidomos në botën gjermanike.

Ashtu sikurse për Piemonten e Savojës, edhe për Prusinë e Hohenzollernit, pasardhës të Zgjedhësit të Brandenburgut, mocionet kombëtare të 1848 ishin njëkohësisht, një kërcënim dhe një shans. Dinastia mund të qëndronte fort në mbrojtje të “Ancien Regime” të saj, ose, ashtu si Piemonte në Itali, të merrte udhëheqjen e një lëvizjeje të madhe kombëtare gjermanike. Pas shumë hezitimeve Vilhelmi IV, ashtu si Karlo Alberto, e rroku shansin dhe shkoi deri aty sa të premtonte mbledhjen e një Ansambleje popullore. Pati sërish mocione dhe sërish gjak të derdhur, por në fund Prusia kishte kushtetutën e saj: një Kartë e destinuar të mbijetonte, në pjesën më të madhe, deri në Republikën e Veimarit.

Faza pasardhëse – nga shteti prusian tek shteti gjerman – ndodhi falë ngjarjeve në Itali. Lufta e dytë e pavarësisë në 1859 dhe krijimi i Mbretërisë së Italisë në vitin 1861 patën, për Gjermaninë, të paktën dy efekte: dobësuan Austrinë në avantazh të Prusisë, dhe inkurajuan lëvizjen kombëtare gjermane. Njeriu që i shfrytëzoi pasojat me një koherencë të pazakontë ishte Oto von Bismark, i thirrur në krye të qeverisë prusiane në një moment kur parlamenti po i dilte nga kontrolli sovranit. Bismarku kuptoi se beteja për hegjemoninë e Prusisë në Gjermani dhe bashkimi gjerman kërkonin mbi të gjitha eleminimin e Gjermanisë tjetër, tek e cila duka austriak kish qenë perandor. Mund të tingëllojë paradoksale, por bashkimi gjerman, pas fitores prusiane kundër austriakëve në Sadova në 1866, i detyrohej edhe Italisë. Ushtria italiane u mposht në Kustoca, por ajo pengoi që një pjesë e konsiderueshme e forcave austriake të hidhej kundër prusianëve në frontin verior.

Në 1870, kundër francezëve, Bismarku ishte në krye të një koalicioni të madh gjerman dhe mundi të shpallë lindjen e Rajhut të dytë në Versajë, në sallonin e madh të pasqyrave. Në gjashtë vite, kancelari i hekurt kishte mposhtur dy shtete të mëdhenj europianë dhe kishte krijuar, mu në mes të kontinentit, një fuqi të re.

Për Europën, dhe në mënyrë të vecantë për francezët, fitorja e Prusisë ishte triumfi i një konceptimi militarist të politikës ndërkombëtare. Por denoncimi i militarizmit prusian, kaq i shpeshtë në politikën europiane qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, errëson aspekte të tjerë të historisë gjermane. Në gjysmën e dytë të tetëqindës, Gjermania ishte teatër i një revolucioni industrial, shkencor dhe social i krahasueshëm vetëm me atë anglez të disa dekadave më parë dhe shumë më i rëndësishëm, në rrafshin kulturor, nga ai që transformoi ekonominë amerikane pas Luftës së ndarjes.

Sistemi politik nuk ishte ngushtësisht parlamentar (kancelari i përgjigjej vetëm perandorit) por në vitet tetëdhjetë adoptoi masa sociale të përparuara për kohën, për sëmundjet, plakjen dhe aksidentet në punë. Ishte autoritar, por nuk mundi të pengojë që atdheu i një prej ushtrive më të forta europiane të kishte dhe një parti socialdemokrate, e cila kishte 2 deputetë në 1871, 9 në vitin 1874, 12 në 1877, 35 në 1885, 44 në 1893, 56 në 1898, 81 në 1903 dhe 110 në 1913. Për shumë vite, e ardhmja e socializmit europian ishte në Gjermani, jo në Francë dhe Britaninë e Madhe. Për shumë kohë, deri në fitoren e Stalinit mbi Trockin, bolshevikët rusë besonin që revolucioni do të hidhte rrënjë vetëm nëse do të shpërthente edhe në Gjermani.

Sa kohë që Bismarku qëndroi në pushtet, shqetësimi më i madh i politikës së jashtme gjarmane ishte ruajtja e ekuilibrave europianë. Klima politike e vendit ndryshoi kur perandori i ri, pak më pak se dy vite pas ngjitjes së tij në fron, donte të largonte “pilotin” e vjetër dhe e detyroi të japë dorëheqjen. Ndodhi në mars të vitit 1890. Vilhelmi II ishte 30 vjec, ishte autokrat, i paduruar, arrogant. Më shumë se të ruante fuqinë gjermane, donte që ta rriste atë. U kërkoi boerëve të luftonin kundër anglezëve në Afrikën e Jugut. Endërronte një hekurudhë të madhe nga Berlini, në Bagdad që do të shtrinte, sipas tij, ndikimin gjerman në të gjithë Lindjen e Mesme. U angazhua në një duel detar me Britaninë e Madhe për dominimin e oqeaneve. Asnjë prej këtyre objektivave nuk ishte i huaj për kulturën politike të shteteve europianë, mes Tetëqindës dhe Nëntëqindës. Nuk ishin vetëm të gjermanëve përgjegjësitë për Luftën e Parë Botërore. Por, stili i Vilhelmit II e privoi Gjermaninë nga shumë prej simpative, që shfaqja e saj në skenën europiane kishte nxitur në vitet e mëparshëm.

Pas fundit të Luftës së Madhe, shumëkush gjeti tek Republika e Veimarit dhe në gjallërinë e tij të jashtëzakonshme kulturore, Gjermaninë që kishin dashur. Shumëkush e kuptoi dramën e një populli që nuk kishte lëshuar, deri në humbje, as edhe një copë nga territori kombëtar dhe të cilit i ishte dashur të pranonte në Versajë një traktat poshtërues. Dhe në fund, shumëkush shpresoi që udhëheqësit e vet demokratë do t’ia kishin dalë të shuanin përpjekjet zemërake revanshiste dhe raciste të nacional-socializmit të Hitlerit. Sigurisht që nuk duhet të ketë dënim moral të të gjithë popullit gjerman. Por genocidi hebraik mbetet, në historinë e Gjermanisë moderne, një njollë që vështirë të hiqet, një trashëgimi e rëndë që gjermanët, edhe ata që nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie, duhet ta mbajnë mbi shpatulla edhe për shumë kohë.

Ndërkohë, nga rrënojat e luftës lindi një shtet i ri tek i cili virtutet e vjetër (punëdashja, disiplina, sensi i programimit dhe organizimit) janë bashkuar me atë të demokracisë. Shumë prej kancelarëve të saj, që nga Adenauer tek Helmut Kohl, që nga Villy Brandt tek Helmut Schmidt dhe Gerhard Schroederi, kanë qenë një model politik për pjesën tjetër të kontinentit. Bashkimi i Gjermanisë, pas rënies së Murit të Berlinit, ka qenë një kryevepër mencurie politike, një kapitull i historisë europiane që të kujton Cavourin dhe Bismarkun. E vërtetë që ky vend serioz dhe shumë punëtor nuk dëshiron të bëhet zahlmeister, paguesi zyrtar i gjinkallave mesdhetare që kanë prishur pa heasp burime dhe kanë jetuar përtej mundësive të tyre. Që u kërkon partnerëve të vet seriozitet dhe sakrifica. Pasi ka tentuar të dominojë Europën me armë, Gjermania ka sot të drejtën të kandidojë për udhëheqjen e një kontinenti më në fund të bashkuar.

HISTORY TODAY

Leave a Reply

Back to top button