Magazine

Gjyshja dhe roli i saj simbolik në jetën tonë

Nga Elena Bernabè

Vetëm duke shqiptuar termin “gjyshe” na pushtojnë një mori emocionesh, kujtimesh, përvojash dhe ndjesish, të cilat na çojnë në kohëra të largëta. Figura e gjyshes, shenjon pak a shumë në mënyrë të pandërgjegjshme, mënyrën tonë të jetesës.

Edhe kur nuk e kemi njohur asnjëherë. Sepse roli i saj është kryesisht ai i një ure lidhëse midis një të shkuare të largët dhe të tashmes. Ajo është ruajtësja e sekreteve familjare, e traditave, e një trashëgimie emocionale, të cilën e ka marrë, mbajtur dhe më pas ua përcjell brezave të tjerë.

Cilido që ka pasur mundësinë të njohë gjyshet e tij, e di se sa histori, sa kujtime, sa ligjësi familjare sjell ajo vetëm duke qenë aty me ju. Ata që nuk i kanë njohur kurrë, mund t’i takojnë ende në zemrat dhe mendjet e tyre falë historive të rrëfyera për ta, fotografive bardh e zi dhe objekteve që kanë lënë pas në këtë jetë.

Gjyshja është një figurë arketipale, një simbol, një lajmëtare nga një botë e largët, e cila është e lidhur thellë me ne përmes pranisë së saj, por edhe mungesës së saj. Në fakt, mungesa e shpesh flet më shumë. Gjyshja është një figurë shumë e rëndësishme për trungun familjar të secilit prej nesh.

Ajo është mbretëresha e rrënjëve femërore të familjes, dhe si e tillë u transmeton pasardhësve të saj, në një mënyrë pak a shumë të ndërgjegjshme, idenë e saj mbi feminilitetin. Të mësosh, pa i gjykuar, se si jetuan mashkullorja dhe femërorja në historinë e paraardhësve tanë, është e dobishme për të pasur më shumë ndërgjegjësim për veten, për të zgjidhur enigmat, për ta çliruar veten nga ngarkesat që nuk janë tonat, dhe që vijnë nga një e kaluar e largët, por që është janë ende pjesë e jona.

Sepse siç e dinë të gjithë tani, ajo që nuk trajtohet, zgjidhet apo edhe sapo shihet, zvarritet për disa breza me karakteristika herë pas here të ngjashme, dhe me qëllimin e përbashkët që është tërheqja e vëmendjen e pasardhësit për ta çuar atë në shkoqitjen e nyjeve të ngatërruara.

Kështu, gjyshja mban çelësin për të hapur arkën e thesarit të sekreteve familjare, të gjërave të pathëna, të besimeve prindërore, të gjithë gjërave të pazgjidhurave. Gjithçka rreth saj na çon drejt këtij thesari të pamasë.

Gjyshja nga nëna dhe gjyshja nga babai, cilat janë dallimet

Zakonisht nuk e mendojmë këtë, por gjyshja nga babai dhe ajo e nënës, kanë dy role shumë të ndryshme. Ato janë që të dyja gjyshe, por secila sjellin dinamikën, ligjet e familjes, historitë e jetës dhe role e tyre të ndryshme. Në fakt gjyshja nga nëna, duke qenë më e lidhur me nënën (që është pikërisht vajza e saj) ka një marrëdhënie më të lirshme, më të drejtpërdrejtë dhe më të menjëhershme me nipërit e saj.

Dhe pikërisht për këtë ajo arrin të lidhet me ta në një zinxhir të vërtetë brezash. Kjo nuk do të thotë se ajo është më e dashur apo më e rëndësishme se sa gjyshja juaj nga babai, por që kjo lidhje është e ndryshme.

Edhe nëse rezulton të jetë një gjyshe që mungon apo që nuk është shumë e përfshirë në jetën e nipërve dhe mbesave të saj, roli i saj si kujdestare dhe transmetimi i feminilitetit nuk ndryshon, pasi siç e përmenda më lart, edhe mungesa mund të na tregojë shumë.

Gjyshja nga babai, ka një detyrë tjetër po aq të rëndësishme:të integrojë mashkulloren dhe femërore në familje, të sjellë ekuilibrin e duhur, harmoninë dhe pasurimin e të kundërtave. Ajo e bënë këtë duke u treguar nipërve dhe mbesave zakonet, rrëfimet e jetës së saj,dhe mënyrën e të bërit të gjërave. Me pak fjalë, të dyja gjyshet kontribuojnë për ta bërë pemën familjare më të pasur, më të larmishme dhe më me kuptim.

Është në dorën tonë të jemi në gjendje t’i shohim këto nuanca të jetës, dhe t’i integrojmë ato me vetëdije në brendësinë tonë. Prandaj bëhet shumë e rëndësishme të ndërtojmë trungun tonë familjar, duke i kushtuar vëmendje historisë së gjysheve tona, emrave të tyre, sa fëmijë kanë pasur, por edhe të mbledhim dëshmi, kujtime, ngjarje që mund të na bëjnë t’i takojmë ato, qoftë edhe simbolikisht.

Back to top button