Analiza

Globalizimi e ka fragmentuar botën

Eshtë një fenomen që nuk ka të bëjë vetëm me myslimanët. Për të kuptuar këtë univers të ri, të larmishëm, është e ndaluar të thjeshtësosh

Screen Shot 2015-07-20 at 10.43.59

Andrea Riccardi

Sulmet terroriste islamike kanë bërë të flitet për “përplasje qytetërimesh”. Kryeministri francez, Manuel Valls, pas shpërthimit sërishmi të dhunës islamike në fillim të Ramazanit, deklaroi: “Nuk mund ta humbasim këtë luftë, sepse në themel, është një luftë qytetërimesh”. Duhet që gjërave t’u japim emrin që kanë, tha ai. Kështu e mendon shumëkush. Shprehja “luftë e qytetërimeve” është bërë popullore pas fundit të luftës së ftohtë.

Para vitit 1989, bota ishte e ndarë në rendin e hekurt të dy blloqeve të kundërvënë: Perëndimit dhe Lindjes komuniste. Ekzistonin edhe vende të pareshtuar, pjesa më e madhe ish koloni. Por në thelb të skenarit ndërkombëtar ishte përplasja mes Lindjes dhe Perëndimit. Kishim harruar rrënjët e identiteteve kombëtare në Lindjen komuniste, dhe forcën e fesë, siç u pa me rolin e katolicizmit në tranzicionin polak. Bota shumë polare e pas 89-ësh u shfaq kaotike dhe konfliktuale. Kështu në vitin 1993, studiuesi amerikan Samuel Huntington propozoi një interpretim të skenarit ndërkombëtar. Ky do të artikulohej në qytetërime (zakonisht duke iu referuar një feje): perëndimor, islamik, kinez, ortodoks, japonez dhe të tjerët. Për disa prej tyre, ishte e pashmangshme përplasja, për shembull mes Perëndimit dhe islamit. Teza nuk ishte e re për studiuesit.

Por u bë shumë popullore në një botë të komplikuar, e mbetur tashmë pa qartësinë e pamëshirshme të luftës së ftohtë. Në 11 shtator 2001, me sulmet islamike në SHBA, u shfaq konfirmimi i kësaj teze: ishte një përplasje qytetërimesh.

Në të vërtetë, në botën globale, gjithçka është shumë komplekse. Qytetërimet dhe fetë janë një realitet i rëndësishëm, por ndërthuren me shumë faktorë, në mënyrë joskematike. Bota myslimane po përjeton një konflikt të pamëshirshëm, mes sunitëve dhe shiitëve. Terrorizmi radikal ka gjetur nje terren pjellor mes myslimanëve, por nuk gjen unanimitet. Në të vërtetë – shpjegon islamologu Olivier Roy – globalizimi e ka fragmentuar edhe më shumë botën islamike. Sunitët – mendoni Egjiptiin – janë të ndarë në konflikt: nga Vëllezërit Myslimanë, tek salafitët, Al Azhari etj… Rikthimi i Islamit në skenën politike është shoqëruar me procese individualë, me një krizë autoriteti dhe një shumëllojshmëri pozicionesh. Feja myslimane nuk është një fakt unitar politikisht. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston sfida terroriste.

Fragmentimi nuk ka të bëjë vetëm me myslimanët. Mund të flitet për botën ortodokse dhe për shumë universe të tjerë kulturorë dhe fetarë. Qytetërimet dhe fetë janë aktorë lehtësues, por duhet patur durim për të lexuar rrugëtimin kompleks të tyre, si dhe kryqëzimin me faktorë të tjerë. Qytetërimet dhe fetë janë të përcaktuara dhe nga historia e vendeve të caktuar. Bota globale është shumë e shumëllojshme. Nuk mund të përballemi me të përmes thjeshtëzimeve, nëse duam të kuptojmë dhe të marrim vendime në drejtimin e duhur. Kjo e jona nuk është aspak një kohë për “thjeshtëzues të tmerrshëm”.

“Sette” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button