Analiza

GRA NE PUSHTET / A do e “thyejë” Hilaria “tavanin e xhamtë”?

Dhe cfarë mendojnë dy Ish Sekretare Shteti, si Condi Rice dhe Madeleine Albright?

Nga Lucy Wallis

Screen Shot 2015-03-26 at 18.02.32

Nga Lucy Wallis

Hilari Klintoni ka bërë tashmë me dije se do të kandidojë për t’u zgjedhur presidente e SHBA në vitin 2016. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo ka përdorur pozitën për të mbrojtur të drejtat e grave në mbarë botën. Duke folur për BBC, 3 prej udhëheqëseve më të fuqishme në historinë e viteve të fundit, reflektojnë mbi atë që është arritur deri më tani.

“Unë e dua (ish-sekretaren amerikane të Shtetit) Madlen Ollbrajtin, tashmë shumë e njohur përmes deklaratës së saj, se ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera, pasi ka ende aq shumë punë për të bërë” – thotë Hilari Klintoni. Si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, në vitet 1993-2001 dhe ish- sekretare e shtetit në vitet 2009-2013, zonja Klinton është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj të vazhdueshme, si një përfaqësuese e grave në të gjithë botën.

“Në shekullin e XXI-të, pjesa më e madhe e punës është e papërfunduar. Është e drejta dhe mundësia e plotë për gratë dhe vajzat, dhe kjo është ajo ku ne duhet të përqëndrohemi” – thotë ajo. Gjithashtu Klintoni ka një çështje të papërfunduar, kur është fjala edhe për presidencën e SHBA. Në vitin 2008, ajo ishte në anën e gabuar të historisë, në garën e saj për zgjedhjet presidenciale, duke humbur ndaj rivalit brendapartiak, Barak Obama.

“Ideja e garimit për presidente si një grua, ishte një hap i bazuar tek besimi, ndonëse disa gra kanë provuar në të kaluarën, por askush prej tyre nuk pati shkuar aq shumë larg” – shprehet Klinton. “Unë isha gruaja e parë, që fitova të gjitha garat paraprake, dhe pastaj fitova pothuajse 18 milionë vota” – shton ajo. Kur Obama fitoi nominimin, Klintoni më në fund foli për rëndësinë historike që do të kishte zgjedhja e një gruaje në Shtëpinë e Bardhë, gjatë fjalimit të saj ku pranonte humbjen përballë Obamës: “Edhe pse këtë rradhë nuk qemë në gjendje të thyenim tavanin më të lartë prej xhami, falë jush krijuam rreth 18 milionë të çara në të” – tha ajo. Çarjet në nivelin më të lartë, fillojnë të shfaqen vetëm kur ka presion dhe rezistencë nga poshtë. Si Zonjë e Parë, Klinton vendosi një sfidë për të

gjithë botën, ngritjen e profilit dhe të drejtat e grave dhe barazinë e femrës në çdo vend, kur foli në konferencën e katërt ndërkombëtare të OKB- së mbi gratë në Pekin, në vitin 1995. Hilari deklaroi se “të drejtat e grave, janë të drejtat e njeriut”, ajo diskutoi sesi këto të drejta janë shkelur sa herë një fëmijë është mbytur, vetëm sepse ka lindur femër.

Ajo foli ndërkaq për brutalitetin e gjymtimit gjenital femëror, trafikimin seksual dhe sesi trupat e grave ishin shndërruar në një front lufte, ku përdhunimi gjithnjë e më shumë po përdorej si një taktikë në betejë.

Madlen Olbrajt, e emëruar e para grua në postin e sekretares së shtetit në SHBA-së në vitin 1997, pati një axhendë të ngjashme. Ajo trajtoi të drejtat e grave, gjatë gjithë kohës që mbajti postin e ambasadores amerikane në OKB në vitet 1993-1997, por si një nga 7 përfaqësueset e përhershme gra, ajo solli vëmendje në çështje të tilla si vuajtjet e grave në konfliktin boshnjak. “Unë do të shkoj në mbledhje dhe flas për rëndësinë e mbështetjes së Bosnjes, dhe disa burra rreth tryezës do të thonë: mos ji kaq emocionale” – tha ajo. Por duhej të vinte viti 2000, kur u miratua Rezoluta 1325 në OKB që pranonte rolin e gruas në luftë. Ajo ishte në fakt

rezoluta e parë e OKB-së, që përmendte në mënyrë specifike gratë dhe u pasua nga dy rezoluta të tjera, të cilat deklaronin se përdhunimi dhe sulmi seksual ishin krime lufte. Si sekretarja e dytë grua e shtetit, në shërbim në vitet 2005-2009, Kondoleza Rajs gjithashtu përkrahu të drejtat e grave. Gjatë luftës në Afganistan, ajo solli në vëmendjen e botës trajtimin çnjerëzor që talebanët u bënin grave, duke mos kërkuar asnjë falje apo pranuar ndonjë kritikë. “Ne harxhuam gjakun dhe pasurinë e amerikanëve për të çliruar popullin e Afganistanit, nga një prej regjimeve më brutale mbi faqen e dheut. Që ne ta përdorim këtë moment për të shtypur të drejtat e grave, mua më duket e pamendueshme. Dhe kështu natyrisht ishim të ashpër lidhur me këtë çështje. Ajo është një shoqëri tradicionale, që duhet të përqafojë standartet e shekullit XXI-të për gratë” – tha ajo.

Si Sekretare e Shtetit, Rajs thotë se nuk hasur kurrë një situatë në të cilën ajo të jetë trajtuar ndryshe, për shkak se ishte një grua. “Ju them sinqerisht, se si sekretare e shtetit nëse dikush ju trajton keq dhe kjo ndodh sepse ju jeni një grua, ky është faji juaj dhe jo i tyre. Ju keni shumëçka në dorë dhe nëse ju ndonjëherë vëreni

se dikush vë në pikëpyetje autoritetin tuaj, atëherë duhet të bëni pikërisht atë që duhet bërë, pra duhet ose vazhdoni të punoni me atë person, ose duhet ta pushoni nga puna. Unë i kam bërë të dyja”.

Gratë në pushtet
Nëse Klintoni do të zgjidhet presidente, ajo do të hyjë në një klub të vogël të lidereve gra, duke përfshirë: Angela Merkelin, kancelaren e parë grua të Gjermanisë. Merkeli u cilësua vitin e shkuar si gruaja më e fuqishme në botë nga revista “Forbes”.
Kristina Fernandez de Kirshner, presidentja e parë femër e Argjentinës. Ajo krahasohet shpesh me legjendaren Eva Peron.
Dilma Rusef, presidentja e parë grua e Brazilit. Rusef, e cila u bë e famshme për kritikat e ashpra publike ndaj ministrave të saj.
Pra, çfarë bëjnë këto gra që të ndihen të arrira kohët e fundit? “Unë mendoj se kjo është arritur qëkur Pekini, e ka pranuar se kjo është diçka që duhet bërë – thotë Ollbrajt. “Tani kjo nuk duket një punë e madhe, por nëse e kuptoni se kemi përshkuar qindra vite ku çështjet e grave cilësoheshin si anësore ose sentimentale, ndërsa

sot janë çështje në qendër të politikës së jashtme”.
Numri në rritje i grave në pozita drejtuese në botën e zhvilluar dhe në zhvillim, është një shenjë inkurajuese, sipas Rajs. Ollbrajt thotë se shoqëria është më e qëndrueshme, nëse gratë fuqizohen politikisht dhe ekonomikisht. “Gratë duhen të zgjohen në ato pjesë të botës, ku kjo gjë nuk ka ndodhur, dhe duhet të luftojnë për të drejtat e tyre”-thotë Rajs.

Ndërkaq për Hilari Klintonin, çdo progres lidhur me të drejtat e grave, ka qenë i ngadalshëm. “Ne kemi ende shumë shumë për të bërë, dhe gjithësesi mos t’i shmangemi përgjegjësive, pa marrë parasysh se çfarë po ndodh në botë, ne duhet të vazhdojmë në këtë axhendë” – thotë ajo. Vetëm koha do të tregojë nëse kjo axhendë do të ndihmojë ndërkaq edhe garën e Klintonit drejt Shtëpisë së Bardhë, duke shkatërruar kësisoj tavanin e xhamtë. /BBC/

wwww.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button