Analiza

Grekët drejt zgjedhjeve dhe sfida e Aleksis Ciprasit

Maria Malagardis

Lind pyetja, nëse në fund, do të fitojë frika apo zemërimi? Grekët do të zgjedhin pasigurinë, që ofron një fillim i ri, apo sigurinë që jep vazhdimësia? Pyetje të tilla ishin në qendër edhe të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012. Por këtë herë, ”Syriza” është shndëruar në një simbol, për të gjitha ata që duan “një tjetër Evropë”. Një fitore kjo e mirfilltë, për një parti politike që vetëm 6 vite më parë ishte thuajse jo ekzistente

Cipras

Pas disa vitesh shkurtime financiare, një fitore e mundshme e së majtës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 janarit, mund të shenjojë një kthesë radikale për vendin, ashtu sikurse edhe për vetë Evropën.
Për disa është ankthi më i keq, për të tjerë shpresa më e çmendur. Perspektiva e një suksesi të partisë së majtë greke “Syriza” në zgjedhjet që do të mbahen në Greqi në 25 janar, po mban të ngërthyer opinionin publik në mbarë Evropën. “2015-ta do të jetë viti i ndryshimit. Dhe ky ndryshim, do të fillojë nga Greqia. Forca Aleksis!”- shkroi në rrjetin social “Twitter” në datën 29 dhjetor, Pablo Iglesias drejtuesi i “Podemos”, partia spanjolle që sikurse “Syriza” ka mbështetjen e atyre që kundërshtojnë politikën e shkurtimeve financiare.
“Në 25 janar, nuk do të kthehet thjesht një faqe, përkundrazi do të hapet një libër i ri” – deklaroi në 3 janar Aleksis Cipras, gjatë fjalimit të tij në kongresin e partisë në Athinë.
Personaliteti i këtij lideri 40-vjeçar, drejtuesi më i ri i një force politike që Greqia ka patur ndonjëherë, shpjegon arsyet kryesore të suksesit të madh të “Syriza”-s, duke kaluar nga 4.6 përqind të votave, në zgjedhjet e vitit 2009, në 27 përqind në ato të vitit 2012.
Cipras është një orator i lindur dhe një strateg i zoti, i aftë të ruajë koherencën e një lëvizjeje shume heterogjene. E krijuar në vitin 2004 si një koalicion zgjedhor, “Syriza” bashkon rryma të ndryshme brenda së majtës. Ajo u transformua në një parti politike të vërtetë vetëm në vitin 2012.
Militantët e saj janë mësuar me përçarjet e brendshme, por asnjëri prej tyre nuk do të guxonte të vinte në dyshim udhëheqjen e “Aleksis”. Karizma e pakët në arenën ndërkombëtare ka qenë për një kohë të gjatë dobësia e tij kryesore. Por pas zgjedhjeve të vitit 2012, që e shndërruan “Syriza”-n partinë kryesore të opozitës, Cipras u përpoq të organizonte takime të rëndësishme jashtë vendit.
Deklaratat e tij, që jashtë Greqisë kanë qenë më tepër garantuese, e bënë atë më të pranueshëm, në sytë e partnerëve të ardhshëm evropianë, por ndërkohë kanë zemëruar edhe rrymën më radikale në gjirin e parties. Kritikat nuk munguan edhe nga ana e kundërshtarëve të tij, që e cilësojnë Ciprasin një “demagog populist”.
Një akuzë kjo që nuk kalon pa u vënë re në një vend tejet mosbesues, ndaj premtimeve që bëjnë partitë. Duke marrë parasysh, gjendjen e dëshpëruar tek e cila ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë, nuk ishte e vështirë të parashikoje suksesin e një partie që propozon një pezullim të pagesave të borxhit për familjet dhe sipërmarjet e vogla të biznesit.
Por suksesi i “Syriza”-s lidhet edhe me krizën e thellë sociale që ka goditur vendin, në një kohë që borxhi publik vazhdon të rritet. Në 4 vite shkurtime financiare drastike, papunësia u rrit me 190 përqind, 30 përqind e sipërmarrjeve falimentuan dhe si pasojë e shkurtimeve të fondeve edhe në shëndetësi, vdekshmëria foshnjore u rrit me 42 përqind.
Gjithësesi, zgjedhjet e 25 janarit vijnë në një moment, në të cilin klima sociale duket më e qetë, në një kohë që po ravijëzohen gjasat që vendi të mund të arrijë të vendosë nën kontroll bilancet financiare.
Por a do të mjaftojë kjo, që të zhvendosë pëlqimin e zgjedhësve drejt koalicionit aktual qeverisës, të përbërë nga e djathta e “Demokracisë së Re” dhe nga socialistët e PASOK-ut? Shumë vetë janë mosbesues. Në fakt, suksesi i fundit i “Syriza”-s i detyrohet edhe fragmentarizimit që ka pësuar peizashi politik grek, i dominuar deri më sot nga DR dhe PASOK-u, si dhe nga humbja e mbështetjes për Partinë Komuniste.
Konjuktura aktuale e favorshme, megjithatë nuk duhet të bëjë të harrohet fakti që zgjedhësi grek mbetet i ndryshueshëm. Këtë e tregon, edhe popullariteti i papritur i “To Potami” (Lumi), partia e formuar pas zgjedhjeve evropiane të vitit të kaluar, dhe që në 25 janar mund të renditet e treta.
Në këtë situatë të rrëmujshme, strategjia e dhënies së alarmit nga ana e së djathtës konservatore greke, e mbështetur edhe nga disa liderë evropianë, mund të rezultojë e efektshme. Ndonëse programi i “Syriza”-s, nuk është aspak “antievropian”, madje bazohet thelbësisht tek rryma ekonomike e kejnesianizmit.
Lind pyetja, nëse në fund, do të fitojë frika apo zemërimi? Grekët do të zgjedhin pasigurinë, që ofron një fillim i ri, apo sigurinë që jep vazhdimësia? Pyetje të tilla ishin në qendër edhe të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012. Por këtë herë, ”Syriza” është shndëruar në një simbol, për të gjitha ata që duan “një tjetër Evropë”. Një fitore kjo e mirfilltë, për një parti politike që vetëm 6 vite më parë ishte thuajse jo ekzistente. /“Libération”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button