Analiza

Greqia dhe Turqia kërcënojnë Perëndimin

Zgjedhjet filoruse të Tsiprasit dhe politika e jashtme e Erdoganit tregojnë se si disa shtete tashmë i marrin shumë lehtë aleancat e vjetra

Angelo Panebianco

Screen Shot 2015-04-28 at 1.15.19 PMProva teknike të rënies së Perëndimit. Në fazën e re të historisë botërore, ata që kishin dominuar botën e pesë shekujve të fundit, perëndimorët, duhet të përballen me vështirësi në rritje. Rënia relative e fuqisë amerikane dhe kriza në të cilën gjendet procesi i integrimit europian janë shprehje të kësaj. Ashtu si e tregon edhe lehtësia me të cilën shtete të ndryshëm i trajtojnë tashmë aleancat e vjetra.

Marrim rastet e Greqisë dhe Turqisë. Eshtë gjithnjë e më e dukshme se sa e papërshtatshme është prania e Greqisë në Bashkimin Europian. Nuk bëhet fjalë për rolin destabilizues që ajo ka kundrejt monedhës së përbashkët, as për faktin që vetëm me mashtrime, duke trukuar llogaritë, mundi që të hyjë në bashkimin monetar: një ves i fillesës ky, për të cilin tashmë e paguajmë të gjithë faturën. Bëhet fjalë edhe për domethënien gjeopolitike të asaj pranie. Eshtë fakt që Greqia ka afërsi të mëdha politike dhe kulturore me Rusinë, se sa me vendet e BE. Për shumë arsye, duke filluar nga përkatësia e përbashkët në kristianizmin ortodoks. Sa kohë që marrëdhëniet mes Rusisë dhe botës perëndimore ishin të mirë dhe bashkëpunues, problemi mund të fshihej. Por tani që, me krizën e Ukrainës, kemi hyrë në një fazë tensioni të përhershëm, cështja fiton një peshë të madhe politike: me kë do të zgjedhë, në të ardhmen, që të jetë besnike Greqia? A do të vazhdojë të mbështesë sanksionet kundër Rusisë? A do të zgjedhë të sabotojë, në sintoni me Putinin, marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Amerikës dhe Europës?

Edhe rasti i Turqisë është ndoshta problematik. Ajo është ende, formalisht, një anëtare e NATO-s dhe deri pak vite më parë, ishte një aleate besnike e perëndimorëve në Lindjen e Mesme, por edhe një partner i shtetit të Izraelit. E tillë ishte, në politikën e jashtme, trashëgimia e Ataturkut, themeluesi i Turqisë moderne dhe perëndimore. Por politika e Erdoganit dhe partisë së tij islamike ia ka ndryshuar tashmë fytyrën. Brenda vendit, i ka dhënë fund tashmë supremacisë së ushtrisë, garante për dekada të tëra e laicitetit të Turqisë dhe vokacionit të saj perëndimor, dhe i ka dhënë jetë një procesi të ri-islamizimit të vendit.

Sic ndodh gjithmonë, ndryshimi i brendshëm është shoqëruar me një ripërcaktim të orientimeve të politikës së jashtme. Erdogani ka zgjedhur atë që propaganda e quan “politika neo-otomane”: konkretisht, një linjë autonome që synon të kombinojë ambiciet hegjemonike në rajon dhe rizbulimin e rrënjëve islamike. Prej këtu buron prishja me Izraelin. Prej këtu buron edhe përpjekja e sotme e Erdoganit për t’u paraqitur si kampion i islamizmit: me mbështetjen për Vëllazërinë Myslimane, pjesëtarët e të cilës janë të persekutuar në Egjipt, me mbështetjen për islamistët në luftë për supremaci në Libi, me paqartësinë dhe lojën e dyfishtë në marrëdhëniet me Shtetin Islamik. Edhe polemika e fortë me Papën në lidhje me gjenocidin armen është dëshmi e vullnetit për të prishur aleancat e vjetra. Europianët dhe amerikanët duhet të përballen herët a vonë me problemin se si të ndalin shtytjet centrifugale në brendësi të aleancave perëndimore./Sette/ Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button