Analiza

GREQIA / Nga Perikliu, tek Potami

Nikos Kostandaras *

greqia nga perikliuNjë mik dhe koleg në gazetën time, po largohet për të kandiduar në zgjedhjet për Parlamentin Europian, me një nga partitë kryesore të opozitës në Greqi. Partia e tij, Syriza, ka kryesuar në shumicën e sondazheve për zgjedhjet e 25 majit, por nuk ka garanci që kolegu im do të zgjidhet. Megjithatë, në mesin e të pesëdhjetave, ai po e bën këtë “kërcim”.

Këtu nuk ka asgjë të çuditshme – siç thoshin profesionistët e vjetër, gazetaria është një profesion shumë i mirë, nëse di të largohesh në kohë – por vendimi i kolegut tim reflekton diçka domethënëse: Kriza ekonomike e katër viteve të fundit, po i hap rrugën, pas disa dekadash stanjacion, një ndryshimi radikal në politikën e Greqisë. Njerëz të rinj – nga biznesi, sporti, bota akademike dhe profesione të ndryshëm – po hyjnë në politikë. Parti të reja po shtyjnë për të gjetur një vend në një fushë ku për breza të tërë, dy partitë kryesore dhe një grusht dinastish politike kanë kontrolluar zhvillimet.

Ka probleme seriozë për të marë në konsideratë, kur një gazetar shumë i njohur hyn në politikë. A ka ngjyrosur politika pikëpamjet e tij si gazetar? A e ndihmoi gazetaria të hapë rrugën drejt një karriere të re? Në këto zgjedhje, të gjithë partitë po hedhin në “fushë” një numër të madh politikanësh rishtarë nga i gjithë spektri social dhe profesional, teksa përpiqen të fitojnë besueshmëri mes votuesve, të cilët kriza i ka bërë cinikë. A po shfrytëzojnë ata “njohjen e markës”, në vend që të fusin ide të reja në partitë e tyre?

Përtej vitrinës, sistemi politik në Greqi ka nevojë për një ribërje radikale, dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes pranisë së njerëzve të talentuar, të cilët kanë lënë shenjë në sfera të tjera. Në fund të fundit, pjesëmarrja është gurthemeli i demokracisë. Gjatë atyre viteve të trazuar në shekullin 5 p.e.s. – vite luftërash, perandorie, arkitekture madhështore dhe lulëzimi artesh – një burrë shteti, Perikliu, thoshte se çdo qytetar i Athinës kishte detyrë të luante një rol në çështjet publike. “Ne jemi unikë, pasi ne konsiderojmë çdo person që nuk merr pjesë në to, jo thjeshtë të paangazhuar, por të padobishëm”, deklaronte ai. Megjithatë, në kohët romake, sistemi padron-klient e bëri politikën profesion dhe votat një mall që duhej shkëmbyer me favore.

Dhe që nga krijimi i shtetit modern grek pothuajse një shekull më parë, këshilla e Perikliut është kujtuar vetëm gjatë fjalimeve në ditë pushimesh. Politika është dominuar nga një kastë profesioniste, besueshmëria e të cilëve varej nga lumturia e votuesve. Kjo shkaktoi rritje të kërkesave nga grupet e interesit, në dëm të të gjithë shoqërisë.

Pas kolapsit të diktaturës ushtarake në vitin 1974, familjet që kishin qenë të pushtetshme përpara juntës, u rikthyen në qendër të skenës së politikës greke – ndërkohë që disa pak familje të tjera të pushtetshme luajtën një rol të madh në ekonominë e vendit.

Vështirë se ndokujt mund t’i shpëtojë ironia e faktit që qeveria aktuale po detyrohet – nën trysninë e kredidhënësve të huaj – që të çmontojë sistemin e vendeve të përhershëm të punës në sektorin publik, që kanë qenë objektivi final i votuesve dhe padronëve të tyre në sistemin e mëparshëm politik.

Vitet e prosperitetit dhe kredisë së kollajtë pasi Greqia hyri në Bashkimin Europian e kishin fuqizuar sistemin e vjetër, duke i lejuar partitë që të luftonin se kush ia kalonte tjetrës në premtimet për elektoratin, deri kur ky mentalitet e falimentoi Greqinë. Në ata vite bollëku, dy parti të mëdha – Demokracia e Re e qendrës së djathtë dhe PASOK-u i qendrës së majtë – ndërronin vendet në pushtet. Së bashku, ato merrnin zakonisht 80% të votave. Prosperiteti prej huamarrjes, kombinuar me premtimin për pushtet, i lejoi të kontrollojnë çdo lloj kundërshtimi brenda radhëve të tyre, duke i detyruar të ardhurit rishtaz që, ose të viheshin në resht, ose të bashkoheshin me ndonjë nga partitë më të vogla, të cilat as nuk shpresonin të vinin në qeverisje.

Kolapsi i financave të vendit, paketa shpëtuese ndërkombëtare dhe masat e forta të kursimit që u imponuan në vitin 2010, diskredituan Demokracinë e Re dhe PASOK-un, dhe votuesit nisën të largohen në shumicë. Partitë mbeten në pushtet vetëm sepse, pas vitesh antagonizëm, ato krijuan një koalicion.

Por që nga koha e zgjedhjeve të fundit, në vitin 2012, parti që ishin në periferi të spektrit politik kanë fituar votues dhe gjallëri, pasi Greqia kërkonte alternativa. (Pas zgjedhjeve të vitit 2009 ishin 4 parti në parlament. Në 2012-ën u bënë shtatë). Potami (Lumi), një parti që u krijua vetëm në prill nga Stavros Theodorakis, një tjetër ish gazetar, aktualisht ka 10 përqind mbështetje në sondazhe, gjë që e bën partinë e tretë më të madhe, pas Demokracisë së Re dhe Syrizës. “Cdo ditë dhe çdo natë”, shkruante Theodhorakis në manifestin e tij, njerëzit që takon e pyesin: “Cfarë do të bëjmë?” Të gjithë ndihen në një rrugë pa krye. Edhe ata që kishin vendosur se për kë do të votonin, pas një bisede të shkurtër, pyesnin veten: “A kemi alternativë?”

Që përpara se njerëzit të dëgjonin për politikat centriste, pro Bashkimit Europian të Potamit, ata ishin të prirur që ta provonin – thjeshtë duke u bazuar tek pëlqueshmëria televizive e udhëheqësit të partisë si dhe një ide e turbullt për atë që ai mendonte. Theodhorakis ka përdorur mediat sociale për të inkurajuar qytetarët që të marrin pjesë duke sugjeruar kandidatë për në Parlamentin Europian, propozuar politika dhe ofruar donacione të vegjël. (Partia e ka qendrën në një apartament në Athinë dhe nuk ka zyra nëpër Greqi – ndryshe nga partitë “tradicionale”, që kanë makineri shumë të kushtueshme, të cilave u nevojiten miliona euro për të funksionuar). Interneti i lejon qytetarët që sërish të luajnë një rol, duke rikthyer marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe qeverisë, që ishte një prej arritjeve më të mëdha të Athinës së lashtë.

Askush nuk duket se i ka përgjigjet për problemet që ndeshin shumica e shteteve. Si mund të sigurojmë prosperitet, nëse ai të çon drejt borxheve? Si mund të imponojmë masa kursimi, kur këto shkaktojnë zemërim dhe dëshpërim, që nga ana e tyre fuqizojnë forcat populiste, të cilat mund të dëmtojnë edhe ekonominë, edhe demokracinë? Si mund të mbrojmë prodhimin lokal dhe vendet e punës në një ekonomi globale?

Sistemet politikë, ideologjitë dhe teoritë ekonomike ose janë “duke luftuar”, ose janë të papërshtatshme. Europa po ndryshon. Kriza po thyen formacionet e vjetër, duke na çuar drejt pasigurisë dhe rrezikut. Por, nga ana tjetër, kjo u hap rrugën atyre që ndiejnë se tani, përmes shërbimit publik, munden që të jenë jo vetëm të angazhuar, por edhe të dobishëm. (NYT)

* Drejtor i Përgjithshëm dhe editorialist i të përditshmes greke “Kathimerini”.

Leave a Reply

Back to top button