Analiza

Greqia / “Tregtari” i Evropës

Një autor amerikan vëren një paralele të çuditshme midis krizës greke dhe “Tregtarit të Venedikut”, një nga veprat më të famshme të Uilliam Shekspirit

“Duke qenë në qeveri ballafaqohemi me realitetin dhe shumë shpesh, realiteti nuk është aq i bukur sa e imagjinojmë atë”. Duke përdorur termin “realitet”, udhëheqësit gjermanë sigurisht i referohen pushtetit të parasë mbi njerëzimin, të Gjermanisë mbi Greqinë, të kreditorëve mbi huamarrësit, të bankave mbi qeveritë, të financierëve mbi demokracinë, dhe të një agresioni të pamëshirshëm mbi ushtrimin e përgjegjësive dhe mëshirës

Screen Shot 2015-03-13 at 2.29.28 PM

Robert Appelbaum

Vepra e Shekspirit, “Tregtari i Venedikut” na jep, fatkeqësisht, një nga modelet më të mirë për të kuptuar dramën e borxhit grek që luhet në ditët e sotme. Unë them “fatkeqësisht”, sepse në fakt, (simpatiku) i ligu i pjesës, Shilok, është një çifut, judaizmi i të cilit paraqitet nga dramaturgu si palë e problemit.

Por konfliktet midis drejtësisë dhe mëshirës, qeverisë kombëtare dhe çështjeve ndërkombëtare e detyrimi për të shlyer një borxh, dhe detyra e njerëzimit, nuk janë më pak të pranishme në krizën e sotme, krahasuar me këtë pjesë të mrekullueshme të viteve 1590.

Një nga temat kryesore të “Tregtarit të Venedikut” është konflikti midis drejtësisë dhe mëshirës. Një tregtar me emër Antonio nuk është në gjëndje të shlyejë një borxh prej 3 000 dukatësh huadhënësit të tij Shilokut. Duke mësuar këtë, ky i fundit bërtet: “Do të kem biletën time”. Dhe “bileta” është si vijon: ose Antonio t’i shlyejë atij paranë që i detyrohet, ose ai do të marrë një “gjysmë kile mish të prerë, afër zemrës së tregtarit”. Me të kaluar afati, gjërat përkeqësohen. Edhe kur një i tretë i propozon atij të paguajë borxhin në vend të Antonios, ose dyfishin apo trefishin e shumës, Shiloku refuzon, duke kërkuar të marrë gjysmë kilen e mishit që i është garantuar atij nga ligji. Ai nuk do ta braktiste as interesin personal, as dhembshurinë. Nuk do të ketë bekim për kreditorin, as mëshirë për huamarrësin – vetëm kërkesa e një forme drejtësie.

Sigurisht, fjala “drejtësi” është një term i dyvlefshëm. Drejtësia që kërkon Shiloku është një revansh, për fyerjet dhe ngacmimet që ai ka pësuar nga antisemiti Antonio. Por kjo drejtësi mbështetet mbi një parim. Asnjeri, sipas këtij të fundit, nuk mund “të refuzojë të zbatojë ligjin”.

Borxhi është borxh, dhe ai duhet shlyer. Edhe drejtuesit më të lartë politikë nuk mund të ndërhyjnë. Siç e thekson Antonio, “t’i heqësh të huajve siguritë që ata gëzojnë në Venecia, do të ishte një padrejtësi kundër shtetit. E thënë ndryshe, nëqoftëse parimi i detyrimit të shlyerjes së borxheve vihet në diskutim, ky, duke qenë themeli i prosperitetit të qytetit të Venecias, do ta trondiste qytetin nga themelet.

I tillë është në fakt argumenti që Bashkimi Evropian ka kundërshtuar publikisht Greqinë. Një angazhim është një angazhim dhe ai duhet respektuar.

Anullimi i borxhit do të cënonte “drejtësinë” e ekonomisë evropiane. Prandaj sipas Wolfgang Schaüble, ministri gjerman i financave, nuk ka zgjidhje tjetër veçse plani i masave shtrënguese, me anë të cilit fuqitë evropiane kërkojnë nga Greqia që ajo të shlyejë borxhet e saj: bëhet fjalë në një kohë të parë, për të pranuar kredi të reja nga institucione si FMN-ja, që kjo pastaj t’i përdorë këto kredi për të shlyer huatë e kontraktuara më parë pranë bankave evropiane, duke zvogëluar në maksimum shpenzimet qeveritare. “Zgjedhjet e fundit nuk ndryshojnë marrëveshjet e bëra nga qeveria greke, deklaroi ministri gjerman. Çdo qeveri e re duhet të respektojë marrëveshjet kontraktuale të paraardhësve të saj”. Paradoksi është i çuditshëm. Nëse David Graeber, i cili ka kontribuar në redaktimin e “The Baffler”, thotë të vërtetën, menaxhimi i borxhit dhe i lidhjeve të tij kontraktuale është një funksion thelbësor i shtetit.

Në fakt menaxhimi i borxhit është një nga arsyet kryesore të pranueshme. Por personazhi i Shekspirit, ashtu si ministri gjerman i financave, mendon se shteti është i pafuqishëm përballë borxhit. Sipas pikëpamjes së tyre, sovraniteti i takon kreditorit dhe jo shtetit, i cili është burimi i kredisë. Dhe prandaj siç e ka shpallur atë Schaüble dhe personalitete të tjera evropiane, “zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë”. Nuk ekzistojnë procedura demokratike që mund të anullojnë një borxh; përkundrazi është borxhi që i kapërcen procedurat demokratike.

Kjo nuk ka asgjë të re për shumë evropianë. BE-ja nuk është me të vërtetë një demokraci; është një burokraci e drejtuar nga rregulla të vendosura për ta bërë atë të funksionojë si një burokraci, në mënyrë që “të gjithë shtetet” të mund t’i trajtojnë çështjet sëbashku, nën patronazhin e saj.

Por ku është universi i thellë dhe shqetësues i emocioneve, motiveve personale dhe forcave shkatërruese që e ndeshim gjithashtu në sjelljen agresive të Shilokut? A nuk ka asgjë më tepër në kërkesën e Greqisë, se një gjysme kile mish që rrezikon ta vrasë atë? Nuk ka thirrje për mëshirë? Asnjë paralajmërim në faktin se duke vrarë huamarrësit e tij, po veprohet jo vetëm kundër interesit të këtij të fundit, por gjithashtu kundër interesit të vetjak?
Deri këtu, edhe nëse qeveria e Syrizas arriti të vazhdonte negociatat dhe madje u përpoq të thërriste fitore në fund të një seance të mynxyrshme, përgjigja duket të jetë negative. “Greqia nuk e kupton se ajo nuk mund të refuzojë të shohë realitetin”, deklaroi Volker Kauder, president i grupit të CDU në Bundestag. Dhe Schaüble shtoi: “Duke qenë në qeveri ballafaqohemi me realitetin dhe shumë shpesh, realiteti nuk është aq i bukur sa e imagjinojmë atë”. Duke përdorur termin “realitet”, udhëheqësit gjermanë sigurisht i referohen pushtetit të parasë mbi njerëzimin, të Gjermanisë mbi Greqinë, të kreditorëve mbi huamarrësit, të bankave mbi qeveritë, të financierëve mbi demokracinë, dhe të një agresioni të pamëshirshëm mbi ushtrimin e përgjegjësive dhe mëshirës.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button