Histori

Guri i mbretërve

gu 1Brian Kannard

Ekziston një fije e përbashkët që mban të lidhura shumicën e monarkive. Linja gjaku, gurë të çmuar mbretërorë, ceremonitë dhe pompoziteti që i shoqëron, të gjitha nxjerrin në pah një ndjesi tradite që monarkitë u përcjellin subjekteve të tyre. Shpesh herë, një apo më shumë nga këta elementë bëhen më të rëndësishëm se vetë monarkët. Guri i Kulaçit, shpesh herë i njohur më mirë si Guri i Fatit, me siguri që mund të vendoset në këtë klasë. Guri ka qenë pjesë e ceremonive të kurorëzimit në Skoci dhe në Britani, të paktën duke filluar që nga viti 847. Po ta shohësh gurin, nuk mund të shquash ndonjë rëndësi të veçantë që ai mund të ketë. Nga pikëpamja fizike, nuk ka asgjë të spikatur që të të bëjë përshtypje tek a i gur, ai nuk është i praruar me gurë të çmuar dhe as nuk përbëhet nga ndonjë material i pazakontë. Ashtu si duket sot, ai është një gur ranor me gjatësi 26 inç, gjerësi 16 inç dhe 10.5 inç i thellë.

Pavarësisht paraqitjes së tij modeste, guri ka një histori të jashtëzakonshme. Mbreti i parë skocez, Kenneth Mac Alpin ishte ulur sipër Gurit të Kulaçit gjatë ceremonisë së kurorëzimit të tij. Guri ka ndihmuar në kurorëzimin e të gjithë mbretërve të Skocisë, dhe John Balliol, deri kur u grabit nga ushtria britanike në vitin 1296. Aty, ai qëndroi në Westminster Abbey i futur nën një karrike të Shën Eduardit. Me përjashtim të Mbretëreshës Meri II, të gjithë sovranët anglezë e kanë përdorur Gurin dhe karriken në ceremonitë e tyre të kurorëzimit. Guri u rikthye më në fund në Skoci në vitin 1996, dhe aktualisht ai ndodhet në Kështjellën e Edinburgut.

Askush nuk e di me saktësi përse ky gur i veçantë është përdorur në ceremoni kurorëzimi. Historia nuk dokumenton arsyet përse është përdorur guri. Një arsye e mundshme mund të jetë një lidhje me nderimin që i bëhet gurëve, një traditë e përhapur në të gjithë Britaninë e Madhe. Nuk është nevoja të shkosh më larg se Stonehenge apo në rrathë të tjerë më të vegjël me gurë që mbushin vendin, për të arritur në këtë konkluzion. Megjithatë, përderisa askush nuk ka një përgjigje ekzakte në lidhje me arsyen përse këta vende kanë qenë të rëndësishëm, dhe për kë kanë qenë, jemi gjithësesi në nivelin zero të dijes.

Dhe këtu hyjnë në punë tradita dhe njohuritë. Gojëdhëna që mbizotëron më shumë është se Guri ishte përdorur nga figura biblike Jakobi, në atë natë që ai pa ëndrrën me shkallën. Në traditën e hebrenjve, jastëku i Jakobit u përdor si piedestal për Arkën e Marrëveshjes në Tempullin e Solomonit. Nuk është shumë e qartë se si guri ka mbërritur në Skoci. Disa kanë hedhur teorinë se Tribuja e Humbur e Izraelit përfundoi në Skoci dhe ata e kishin gurin me vete. Të tjerë mendojnë se guri përfundoi në Irlandë dhe ai u bekua nga Shën Patriku. Më pas ai u përdor në mbretërinë angleze të Dalriadas nga viti 400 derinë 850, atëherë kur Kenneth I, mbreti i 36-të i Dalriadas, e zhvendosi kryeqytetin e perandorisë së tij në Scone, në Skoci.

Ata që e errësojnë edhe më shumë kriptohistorinë e Gurit janë deklaratat se ai Gur që ndodhet në Kështjellën e Edinburgut sot është një imitim, pra është fals. Në vitin 1296, Mbreti Eduard I i Anglisë udhëhoqi një ushtri drejt Skocisë për të shtypur rebelimin. Pasi nënshtroi Kështjellën e Edinburgut dhe mori prej aty gurët e çmuar të Kurorës Skoceze, Eduardi nuk e fshehu aspak faktin që shënjestra e tij e radhës do të ishte sigurimi i Gurit. Që nga fillimi i fushatës, Eduardit iu deshën tre muaj për të mbërritur tek Guri. Kjo ishte kohë më se e mjaftueshme për të fshehur gurin origjinal.

Siç thuhet në gojëdhëna, murgjit në Pallatit e Kulaçit bënë pikërisht këtë. Kur ushtria e Eduardit e plaçkiti Pallatin ata gjetën një Gur, por a ishte ai i duhuri? Një legjendë e paraqitur në një artikull të kohëve të fundit të një skocezi thotë se: “Guri nuk është origjinali, pasi origjinali ishte i mermertë. Breza të tërë mbretërish anglezë janë kurorëzuar, që atëherë, duke qëndruar në fakt mbi një gur fals”. Nuk do të ishte kjo hera e parë që besimtarë skocezë fshihnin gjëra me rëndësi nga anglezët pushtues. Peshkopi Wishart i fshehu veshjet e kurorëzimit në thesarin e tij, deri kur Robert Bruce u kurorëzua mbret në vitin 1306.

gu 2

Thuhet se murgjit e fshehën gurin e vërtetë në Lumin Tay apo e varrosën atë në Dunsinane Hill. Një tjetër legjendë thotë se Angus Og MacDonald e mori gurin dhe e fshehu atë ose në Skye, ose në Hibrides. Një pasardhës i MacDonaldit, Iain Alasdair Macdonald, kontaktoi historianin skocez Nigel Tranter duke i pohuar atij se ai zotëronte gurin e vërtetë. Shto këtu edhe disa histori fermerësh që kishin gjetur shpella ku mendohej se qe vendi i fshehjes së Gurit të vërtetë, dhe menjëherë e kupton që s’ka aspak provë të qartë që këto histori kanë qenë të sakta.

Një tjetër version në lidhje me historinë e Gurit është se ai mund të jetë dy herë fals. Në vitin 1950, një grup prej katër studentësh kolegji, skocezë, hynë në Westminster Abbey për të grabitur gurin dhe për ta risjellë atë në Skoci. Studentët i përkisnin një grupi që quhej Shoqata e marrëveshjes Skoceze, qëllimi përfundimtar i të cilës ishte të përftonte mbështetje publike për pavarësinë e Skocisë nga Anglia. Ditën e Krishtlindjeve, tre prej grupit hynë në Abbey dhe e morën Gurin. Ata kryen një krim pothuajse të përsosur; përveç faktit që e ndanë më dysh gurin duke thyer dy gishtërinj të një prej studentëve të pafat.

Më pas, grupi u largua nga Anglia dhe e riktheu Gurin në Skoci. Ai qëndroi i fshehur deri në prill të vitit pasardhës. Guri u la në altarin e Aborath Abbey. Hetimet e policisë zbuluan se grabitësi i gurit, Robert Gray e kishte riparuar gurin që kish marrë nga Westminster gjatë këtyre muajve. Disa mendojnë se Gray e ka ndërruar Gurin e Westminsterit. Në vitet tridhjetë, Gray kishte prodhuar një sasi imitimesh të Gurit.

Tani hyjnë në skenë Kalorësit Templarë. Të gjithë e dimë tashmë që nuk ka një rrëfim misteresh të mesjetës që nuk i përfshin në gjirin e vet edhe kalorësit templarë. Në vitin 1999, Parlamentit Skocez iu bë një ofertë shumë e çuditshme. Një grup Kalorësish Templarë të kohëve moderne nxorrën pretendimin se ata kishin në zotërim Gurin dhe se do t’ia rikthenin Parlamentit, nëse ky e dëshironte një gjë të tillë. Një gur 33 paundë i rëndë, i dekoruar me një kryq të vetëm latin kish qenë ruajtur nën kujdesin e Dr. John MacKay Nimmo për dekada të tëra përpara rikthimit të Gurit në Skoci. Nimmo ishte një Kavalier i Kalorësve Templarë të Skocisë dhe ministër i Kishës së Skocisë, i cili vdiq në vitin 1999. Sipas bashkëshortes së Nimmos, ishte amaneti i tij që Guri të rikthehej në Parlamentin Skocez. Templarët e bënë këtë kërkesë në emër të saj. Nuk është plotësisht e qartë se nga erdhi Guri i Nimmos. Më pas, ai iu dha Kishës së Dull, Perthshire për t’u ruajtur.

Kështu që, ekziston mundësia që Guri në Kështjellën e Edinburgut është një imitim i Gurit të Westminster, i cili nga ana e tij kish qenë një imitim i Gurit origjinal. Prova anektodike mund ta luhasin argumentin në secilën prej këtyre këndvështrimeve. Ka disa referenca të hershme, sipas të cilave Guri është mermer dhe se ai ka gdhendje të çuditshme në trup. Sigurisht, ky nuk përputhet me asnjë prej versioneve të historisë së Gurit që janë paraqitur deri sot dhe të bën të besosh se Guri i vërtetë është i fshehur diku. Dhe nga ana tjetër kemi edhe deklaratën e bërë në prag të vdekjes nga ana e Margaret Pearl Cook, një prej themelueseve të Partisë Nacionaliste Skoceze, sipas të cilës ajo e dinte që Guri kish qenë një imitim. Cook i kish thënë gjithashtu një nipit të saj se e dinte vendndodhjen e gurit të vërtetë, por që nuk e tregoi asnjëherë përpara se të ndërronte jetë.

Por interesi për gurin duket se nuk shuhet asnjëherë. Një studim arkeologjik po kryhet në Pallat. Do të jetë vërtetë interesante të shihet nëse do të gjejnë vërtetë diçka për të dhënë përgjigje pyetjeve në lidhje me historinë e Gurit.

Një gjë është e sigurtë: Guri i Kurorëzimit është shndërruar një lloj Grali i Shenjtë. Burra dhe gra kanë luftuar për ta zotëruar atë apo për ta fshehur nga ata që me pa të drejtë pretendojnë pronësinë e tij. Në fund të fundit, çfarë ka më pak se kjo, e gjithë historia e Gralit? /Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button