Psikologji

“Guri i rëndë në vendin e vet, edhe pse Shqipëria nuk të ofron mundësi të mëdha progresi”

Përherë e më tepër po dëgjojmë lajme lidhur me të rinj që i largohen vendit tonë. Nuk është e vështirë t’i kuptosh arsyet se pse ndodh diçka e tillë. Mjafton të shohësh rreth e rrotull dhe e kupton se mungesa e zhvillimit është shtysa që i bën të rinjtë ta lënë Shqipërinë.

Mirëpo unë besoj se guri i rëndë duhet të qëndrojë në vendin e vet. Mund të largohesh për vite e dekada nga vendi yt i lindjes, ama një ditë do të kthehesh sërish me mall në të.

Personalisht më ka ndodhur të njoh njerëz që kanë jetuar vite të tëra jashtë dhe gjithmonë kanë mbajtur brenda vetes mallin për t’u kthyer në Shqipëri. Nuk kanë mall për ekonominë jo të zhvilluar, apo për nivelin jo të lartë të jetesës në këtë vend, por kanë mall për prindërit, kanë mall për vendin ku kanë lindur e ku janë rritur, kanë mall edhe për gjërat më të parëndësishme në dukje, por që marrin rëndësi kur largohesh prej tyre.

Ne e kuptojmë vlerën e asaj që kemi, vetëm kur e humbim atë. Në dukje nuk kemi të bëjmë me humbje për individin, sepse ai përfiton nivelin më të lartë të jetesës, për të cilin është  përpjekur dhe ia ka dalë të largohet nga vendi i tij. Ama humbja qëndron në shpirt. Vendlindja sillet si një magnet që të tërheq drejt vetes në çdo moment. Unë nuk e di nëse ti je larguar, qoftë edhe për pak ditë, nga Shqipëria. Të merr malli, edhe pse mund të mos e pranosh për të mos e treguar këtë pjesë të ndjeshme të karakterit tënd, të cilën shumë veta mendon se mund ta marrin për dobësi. Të merr malli për çdo gjë të mundshme dhe do të kthehesh përsëri në këtë vend. Imagjinoni të rrini me vite të tëra jashtë vendit. Malli do t’ju djegë shpirtin për t’u kthyer sërish në atdhe.

Imagjinoni tani një të ri që largohet nga vendi dhe plaket në një vend që, në fund të fundit, nuk është “i tiji”, nuk i përket atij. Imagjinoni të jetë plakur në një vend të huaj. A do ta dish se çfarë ndodh? Unë ndoshta nuk jam personi i duhur për të ta treguar, sepse nuk jam në pozitë të tillë, por dikur kam bërë një bisedë me dikë që kishte 20 vite në emigracion. Kishte ikur i ri dhe po kthehej i moshuar në Shqipëri. “Më dukej sikur çdo gjë në atë vend po më mbyste” më tha ai, kur e pyeta se pse u kthye sërish këtu.

Mund të kesh gjithë të mirat në një vend tjetër. Mund të vendosësh më tepër pasuri, të sigurosh më shumë mundësi progresi, por ka diçka që të falet vetëm në vendin tënd. Ndoshta qetësia, ndoshta rehatia, ndoshta ndjesia se je në një vend ku ke lindur dhe të duket sikur “të përket” edhe ty.

Nuk mund të jetosh dot gjatë në një vend që sado vite të kalosh në të, përherë do të mbetet i huaj për ty. Populli e ka thënë qartë: “Guri i rëndë në vendin e vet”, dhe jo pa arsye… / F. Xhafaj

Leave a Reply

Back to top button