
Plani i ri i paqes i propozuar nga Donald Trump, i shpallur si lëvizja vendimtare për të ndalur luftën në Ukrainë, i ngjan më shumë një akti noterial që çertifikon fitoren diplomatike të Rusisë. Jo një traktat shumëpalësh, jo produkti i ngadaltë i një negociate ndërkombëtare: por një projekt që, sipas të dhënave të mbledhura nga Wall Street Journal, lind diku tjetër, në një territor ku gjeopolitika përzihet me interesat private dhe diplomacia shndërrohet në lojë mes pak burrash me ndikim.
Draftet e dokumentit flasin qartë. Paqja e premtuar nga Trump përkon me një listë që i ngjan dëshirave të hedhura mbi tryezë nga Kremlini gjatë dhjetë viteve të fundit: dorëzimi i Donbasit Moskës, njohja e Krimesë, reduktimi i forcave të armatosura të Ukrainës. Për Kievin ky nuk është kompromis: është kapitullim, i formuluar me mirësjelljen formale të marrëveshjeve të fundit të lojës.
Por prapaskena është edhe më domethënëse se përmbajtja. Sipas Wall Street Journal, zemra e vërtetë e planit nuk gjendet në korridoret e Departamentit të Shtetit, as në zyrat e Shtëpisë së Bardhë. Vendi ku është punuar, ka qenë një vilë në Miami, ajo e miliarderit Steve Witkoff, njeriu që Trump ka emëruar të dërguar special për Ukrainën dhe që shumë e përshkruajnë si figurë lidhëse mes biznesit dhe politikës. Rreth asaj tryeze janë ulur Kirill Dmitriev, arkitekti i disa strategjive ekonomike të Kremlinit, dhe Jared Kushner, këshilltari në hije i Trump-it.
Dhe pikërisht këtu plani i Trump-it zbulon thelbin e tij. Më shumë se të ndalojë luftën, ai synon të rikthejë Rusinë në qarkullimin ekonomik global: heqje graduale e sanksioneve, rikthim i Moskës në G8, partneritete industriale me Uashingtonin për teknologjitë e avancuara. Jo si shpërblim për paqen, por si një bast: nëse Rusia fillon të fitojë, do të fillojë edhe të bashkëpunojë.
Një ide që në Moskë nuk e shohin me keqardhje. Peskov, zëdhënësi i Putinit, e ka quajtur këtë strategji të re “në përputhje me vizionin e Kremlinit”. Ndërsa Donald Trump Jr., me stilin e tij të drejtpërdrejtë, shtoi: “Shtetet e Bashkuara nuk janë më idiotët që firmosin çeqe.”
Goditja gjeopolitike është e menjëhershme: vizatohet një bosht i ri mes Uashingtonit dhe Moskës, që e lë Ukrainën dhe Europën në një pozicion periferik. Zelensky përpiqet të mos përmbytet nga dallgët.
Të thuash “jo” do të thotë të rrezikosh marrëdhënien me SHBA-të, por të thuash “po” do të thotë të sakrifikosh sovranitetin dhe sigurinë. Prandaj ai fluturon drejt Europës, takon Starmer, Macron, Merz e më pas Melonin: premtime, mbështetje morale, ndonjë dritare e ngushtë për ndihmë ushtarake. Por BE duket e ngadaltë, hezituese, e rënduar nga ndasitë e veta. / bota.al





