Analiza

Hapja e Kubës: çfarë fshihet prapa “marrëveshjes historike”?

Ekuacionit i mungon edhe një variabël. Ku mund ta gjejmë? Përgjigja mund të jetë disi befasuese: në Karakas, në Moskë dhe në basenet e naftës dhe gazit në Dakotën e Veriut dhe Teksas

Jorge Castaneda
Ish Ministër i Jashtëm i Meksikës

CUBA-CASTRO-RESIGNATION

Lirimi i të burgosurit/spiunit/pengut amerikan Alan Gross nga qeveria kubane, dhe ai i tre spiunëve/heronjve/agjentëve kubanë që mbaheshin në SHBA, bashkë me deklaratat respektive si dhe telefonatat mes Raul Kastros dhe Barak Obamës shënojnë momentin më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe ishullit, që nga viti 1977. Atëherë, Xhimi Karteri dhe Fidel Kastro firmosën disa marrëveshje mes dy qeverive, që mundësuan hapjen e dy zyrave administrative në kryeqytetet respektivë.
Ndërhyrja e Vatikanit dhe Kanadasë, një prej qeverive më antiKastro në botën demokratike ishte vendimtare dhe ajo garanton përmbushjen e fazave të marrëveshjes. Guximi i Barak Obamës dhe Raul Kastros garanton pjesën tjetër.
Nuk është fundi i embargos. Ajo mund të ndryshohet vetëm prej Kongresit amerikan. Në fakt, nuk është një normalizim i plotë i marrëdhënieve: do të ketë ambasada, por nuk do të ketë ambasadorë.
Megjithëkëtë, është një përparim i dukshëm: amerikanët që nuk kanë të afërm kubanë do ta kenë shumë më të lehtë të udhëtojnë në Havanë; lëvizjet financiare mes të dy shteteve do të lehtësohen; do të lejohen disa operacione tregtarë; dhe Departamenti i Shtetit do ta heqë Kubën nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin.
Në pamje të parë, gjithë kjo të duket si një fitore për Kubën, një tërheqje të Amerikës, si dhe një korrigjim të vonuar, por të mirëpritur. Duket si konfirmim i disa pozicioneve më prokubanë dhe antiamerikanë në Amerikën Latine. Në fund të fundit, Kuba nuk jep shumë në këmbim: Grossin, lirimin e 53 të burgosurve politikë, lejimin e pranisë së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe reporterëve të të drejtave të njeriut nga OKB, si dhe zgjerimin e aksesit në internet në të gjithë ishullin. Nuk është ndonjë gjë e madhe kur e krahason me atë që po marrin: rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas më shumë se gjysmë shekulli izolim.
Një marrëveshje e “vajisur” me Kubën
Megjithatë, ekuacionit i mungon edhe një variabël. Ku mund ta gjejmë? Përgjigja mund të jetë disi befasuese: në Karakas, në Moskë dhe në basenet e naftës dhe gazit në Dakotën e Veriut dhe Teksas. Më lejoni të shpjegohem.
Kohët e fundit, çmimet e naftës kanë rënë shumë për shkak të rritjes spektakolare të prodhimit të naftës në SHBA, kombinuar kjo me recesionin ekonomik në Europë dhe Japoni, si dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës dhe Indisë. Sauditët kanë kontribuar për rënien e çmimeve duke ruajtur nivelet e prodhimit, pavarësisht rënies së kërkesës, me qëllim që të dëmtojnë vendet prodhues të naftës si Irani, të cilët nuk janë dhe aq miqësorë ndaj Riadit. Ndërkohë, qeveria meksikane ka rezerva të mjaftueshme deri në fund të vitit tjetër.
Por, dy shtete nuk janë aq me fat: Rusia dhe Venezuela. Këta dy shtete janë pikërisht ata që do të kishin qenë në gjendje të mbështesnin ekonominë inekzistente të Kubës. Në fakt, Venezuela ishte ajo që e mbante “mbi ujë” ndërsa Rusia brohoritej si një rreze e re shprese, një që do të mund të zëvendësonte Venezuelën, pasi Nikolas Maduro dhe çfarëdo që mbetet prej partisë së tij nuk do të arrinin të shpëtonin ishullin nga telashet financiarë.
Rasti i Venezuelës është më domethënësi. Të ardhurat e këtij shteti dhe ekonomia në tërësi janë fundosur. Jo vetëm kaq: kursi i këmbimit në tregun e zi është 30 herë më lart se ai zyrtar, hiperinflacioni është shfaqur në horizont, produktet bazë është e vështirë të gjenden dhe shtetet që më parë përfitonin prej subvencioneve të Venezuelës për naftën tani janë duke e blerë borxhin e tyre me 40 cent për dollar.
Për këdo që ka sy në ballë, është e qartë tashmë se Venezuela nuk do të jetë në gjendje që të vazhdojë të subvencionojë regjimin e Kastros me 100 mijë fuçi naftë në ditë. Veç kësaj, çdo ditë e më shumë rriten gjasat për një përmbysje politike në Venezuelë, e cila në një mënyrë apo një tjetër do i japë fund shpëtimit ekonomik të Kubës.
Kështu pra, cikli është i mbyllur. Të gjithë ekonomistët që kanë studiuar të ashtuquajturat reforma në Kubë pranojnë se ato nuk kanë qenë efikase. Ekonomia e ishullit po hiqet zvarrë. Të gjithë e pranojnë se pa subvencionet e Venezuelës, Kuba do të zhytet edhe një herë në një krizë të ngjashme me atë që përjetoi në vitet ’90. Dhe të gjithë e dinë mirë se gjasat për një sukses të mundshëm të reformave kubane janë të lidhura ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me SHBA. Por, pavarësisht vullnetit të Obamës dhe disa demokratëve në Uashington, normalizimi ishte i pamundur pa ndonjë lëshim në lidhje me të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Siç e demonstron libri “Kanali i fshehtë drejt Kubës: Historia e fshehtë e negociatave mes Uashingtonit dhe Havanës”, kubanët kanë refuzuar gjithmonë që të negociojnë duke ofruar regjimin e tyre politik për fundin e embargos dhe normalizimin e marrëdhënieve me Amerikën. Kështu që, asnjë prej këtyre nuk përfshihej në deklaratat e të mërkurës. Por, jam i s igurtë se shumë shpejt do të shohim disa ndryshime të rëndësishëm në politikat e Kubës kundrejt të drejtave të njeriut.
Nuk ka kuptim që Obama t’i ketë dhënë kaq shumë Raulit dhe të ketë marrë kaq pak. Korrelacioni i forcave mes dy shteteve është ai që është, dhe pragmatizmi kuban deri tani joekzistent i është imponuar regjimit prej nevojës. Kush do e kishte menduar që manjatët e naftës në Dakotën e Veriut dhe Teksas, bashkë me princërit sauditë, do të kishin arritur të sillnin një hapje të regjimit të Kastros. Deri sot, askush nga ata që e kish provuar nuk ia kish dalë dot. /HuffPost/
/e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button