Analiza

Hartat mendore të serbëve

Christopher Clark

Pjesë nga libri: “Somnambulët: Si shkoi Europa në luftë në vitin 1914” – Ajo që ishte ruajtur mbi gjithçka brenda kësaj tradite ishte lufta e serbëve kundër pushtimit të huaj. Një shqetësim që përsëritej shpesh ishte humbja e serbëve në duart e turqve në Fushë Kosovë në 28 qershor 1389. E “qëndisur” dhe zbukuruar nëpër shekuj, kjo betejë mesjetare aspak vendimtare u shndërrua në një lloj simboli mes serbëve dhe armiqve të pabesë. Vrasja, martirizimi, viktimizimi dhe etja për hakmarrje në emër të të vdekurve ishin temat qëndrore të këtyre këngëve. Një Serbi e imagjinuar, e projektuar mbi një të kaluar mitike, erdhi në jetë përmes kulturës së këngëve

serbs

Në themel të idesë së “bashkimit të të gjithë serbëve” ishte një shëmbëlltyrë mendore e Serbisë që kishte shumë pak lidhje me hartën politike të Ballkanit, në kapërcyell të shekullit të njëzetë. Shprehja e saj politike me më shumë ndikim ishte një memorandum i fshehtë i hartuar në 1844 nga ministri i brendshëm i Serbisë, Ilija Garashanin, për Princin Aleksandër Karaxhorxheviç. I njohur pas botimit në vitin 1906 me emrin Nacertanije (nga serbishtja e vjetër nacrt – “draft”), propozimi i Garashaninit paraqiste një “Program për Politikën Kombëtare dhe të Jashtme të Serbisë”.
Do të ishte e vështirë të mbivlerësohej ndikimi i këtij dokumenti mbi breza të tërë politikanësh dhe patriotësh serbë; me kalimin e kohës, ai u shndërrua në Magna Carta-n e nacionalizmit serb. Garashanini e hapte memorandumin e tij me vëzhgimin se Serbia “është e vogël, por nuk duhet të mbetet e tillë”. Urdhëresa e parë e politikës së Serbisë, argumentonte ai, duhet të jetë “parimi i unitetit kombëtar”; me këtë ai nënkuptonte bashkimin e të gjithë serbëve, brenda kufijve të një shteti serb: “Ku banon një serb, aty është Serbi”. Modeli historik për këtë vizion ekspansionist të shtetësisë serbe ishte perandoria mesjetare e Stefan Dushanit, një hapësirë që, sipas tyre, përfshinte pjesën më të madhe të republikës serbe të sotme, bashkë me tërësinë e Shqipërisë së sotme,  shumicën e Maqedonisë dhe të gjithë Greqinë qendrore dhe veriore, por çuditërisht, jo Bosnjen.
Perandoria e Car Dushanit ishte shembur pas humbjes përballë turqve në Fushë Kosovë në 28 qershor 1389. Por kjo, argumentonte Garashanini, nuk e dëmtonte legjitimitetin e Serbisë për shtetësi; ajo thjeshtë kishte ndërprerë ekzistencën e tij. “Rikthimi” i një Serbie të madhe që bashkonte të gjithë serbët nuk ishte një risi pra, por shprehje e një të drejte, sipas tyre, të vjetër. “Ata nuk mund të na akuzojnë se kërkojmë diçka të re, të pabazë, se po organizojmë një revolucion apo një kryengritje, por në vend të kësaj, të gjithë duhet të pranojnë se është politikisht e domosdoshme, se e ka themelin në kohë shumë të lashta dhe se i ka rrënjët në jetën e mëparshme politike dhe kombëtare të serbëve.
Argumenti i Garashaninit paraqiste në këtë mënyrë një shkurtim dramatik të kohës historike, që mund ta vësh re ndonjëherë në diskurset e nacionalizmit integral; mbi të gjitha, ai ngrihej mbi sajesën se organizimi politik mesjetar dhe shumëetnik i Car Dushanit mund të shkrihej me idenë moderne të një një shteti-komb homogjen nga pikëpamha kulturore dhe gjuhësore. Patriotët serbë nuk shihnin një mungesë vazhdimësie këtu, përderisa argumentonin se praktikisht, të gjithë banorët e këtyre trojeve ishin në thelb serbë. Vuk Karaxhiçi, arkitekti i gjuhës moderne letrare serbo-kroate dhe autori i një trakti të famshëm nacionalist “Srbi svi i svuda” (Serbët, të gjithë dhe kudo”, botuar nëvitin 1836) fliste për një komb prej 5 milionë serbësh që flisnin “gjuhën serbe” dhe ishin të shpërndarë nga Bosnja dhe Hercegovina, deri tek Banati i Temeshvarit (një rajon i shtrirë nga Serbia veriore deri në jug të Hungarisë), më tej në Kroaci, Dalmaci dhe në bregun e Adriatikut, nga Trieste deri në Shqipërinë e veriut. Sigurisht, kishte disa në këta troje, pranonte Karaxhiçi (e kishte fjalën veçanërisht për kroatët), ‘që ende e kanë të vështirë ta quajnë veten serbë, por gradualisht duket se edhe ata do të mësohen”.
Programi i bashkimit e futi organizimin politik serb, siç e dinte mirë Garashanini, në një luftë të gjatë me dy perandoritë e mëdha, atë otomane dhe atë austriake, tokat e të cilave binin mbi Serbinë e Madhe të imagjinatës nacionaliste.
Në vitin 1844, Perandoria Otomane kontrollonte ende pjesën më të madhe të Gadishullit të Ballkanit. “Serbia duhet të përpiqet vazhdimisht që të thyejë, gur pas guri, fasadën e e shtetit turk dhe t’i përvetësojë këta gurë, me qëllim që ta përdorë këtë material të mirë për të forcuar themelet e vjetër të Perandorisë Serbe, për të ndërtuar dhe krijuar një shtet të ri të madh serb”.
Në Hungari, Kroaci-Slloveni dhe Istria-Dalmaci kishte serbë (për të mos përmendur shumë kroatë që nuk e quanin ende veten serbë) që supozohej se prisnin çlirimin nga sundimi i Habsburgëve dhe bashkimin nën ombrellën e shtetit të Beogradit.
Deri në vitin 1918, kur shumë prej objektivave të tij u përmbushën, memorandumi i Garashaninit mbeti dokumenti kryesor për sundimtarët serbë, ndërkohë që “këshillat” e tij u përhapën në popullsinë e gjerë përmes një propagande të fuqishme nacionaliste, e koordinuar pjesërisht nga Beogradi dhe pjesërisht e nxitur prej rrjeteve patriotikë në media.
Vizioni i Serbisë së Madhe, megjithatë, nuk ishte një çështje politike qeveritare, as edhe propagande. Ai ishte i ngulitur thellë në kulturën dhe identitetin e serbëve. Kujtimi i perandorisë së Dushanit gjente jehonë në traditën e gjallë të këngëve popullore epike serbe. Kishte balada të gjata, ku ata që këndonin dhe ata që dëgjonin ripërjetonin momentet kyçë të historisë së Serbisë. Në fshatra dhe tregje në tokat serbe, këto këngë krijuan një lidhje mes poezisë, historisë dhe identitetit. Një vëzhgues i hershëm i kësaj ishte historiani gjerman Leopold von Ranke, i cili ka shkruajtur në historinë e tij të Serbisë, botuar në vitin 1829 se “historia e kombit, e zhvilluar prej poezisë, përmes kësaj të fundit është shndërruar në një pronë kombëtare e si pasojë ruhet në kujtimin e njerëzve”.
Ajo që ishte ruajtur mbi gjithçka brenda kësaj tradite ishte lufta e serbëve kundër pushtimit të huaj. Një shqetësim që përsëritej shpesh ishte humbja e serbëve në duart e turqve në Fushë Kosovë në 28 qershor 1389. E “qëndisur” dhe zbukuruar nëpër shekuj, kjo betejë mesjetare aspak vendimtare u shndërrua në një lloj simboli mes serbëve dhe armiqve të pabesë. Përreth saj u thur një kronikë jo vetëm me heronj që shkëlqejnë, që kishin bashkuar serbët në kohëra të vështira, por edhe me tradhëtarë të poshtër që nuk kishin dhënë mbështetjen e tyre për kauzën e përbashkët, ose kishin tradhëtuar serbët tek armiqtë e tyre. Panteoni mitik përfshinte edhe Milosh Obiliçin, për të cilin këngët thonin se kishte infiltruar në çadrat e turqve ditën e betejës dhe i kish prerë fytin sulltanit, përpara se të kapej dhe t’i pritej koka prej rojave të tij. Vrasja, martirizimi, viktimizimi dhe etja për hakmarrje në emër të të vdekurve ishin temat qëndrore të këtyre këngëve. Një Serbi e imagjinuar, e projektuar mbi një të kaluar mitike, erdhi në jetë përmes kulturës së këngëve.
Pershtatur ne shqip nga www.bota.al
Angazhimi për rimarrjen e trojeve “të humbur” serbë, bashkë me gjendjen e vështirë që shkaktonte vendndodhja mes dy perandorive e pasuroi politikën e jashtme të shtetit serb me disa tipare të spikatur. I pari ndër ta ishte një pavendosmëri sa i përket fokusit gjeografik. Të angazhoheshe për një Serbi të Madhe ishte një gjë, po ku duhej të rifillonte ekzaktësisht procesi i rimarrjes së trojeve? Në Vojvodinë, brenda Mbretërisë së Hungarisë? Në Kosovën otomane, që e quanin “Serbia e Vjetër”? Në Bosnje, e cila nuk kish qenë asnjëherë pjesë e perandorisë së Dushanit, por e cila kishte një popullsi të madhe serbe? Apo në Maqedoni në jug, edhe kjo ende nën sundimin otoman? Kjo mospërputhje mes objektivit vizionar të “bashkimit” dhe burimeve të paktë ushtarakë dhe financiarë në dispozicion të shtetit serb nënkuptonte që politikëbërësit në Beograd nuk kishin zgjidhje tjetër, përveçse të vepronin në mënyrë oportuniste ndaj kushteve që po ndryshonin me shpejtësi në gadishullin e Ballkanit. Si rezultat, orientimi i politikës së jashtme serbe mes viteve 1844 dhe 1914 luhatej si një gjilpërë busulle nga njëra periferi e shtetit, në tjetrën.

Politikës së jashtme serbe iu desh të luftojë me mospërputhjen që ekzistonte mes nacionalizmit vizionar që kishte pushtuar kulturën politike në vend dhe realiteteve etnopolitikë kompleksë në Ballkan. Kosova ishte në qendër të miteve serbë, por në terma etnikë ajo nuk ishte një territor serb. Shqiptarët myslimanë kishin qenë shumicë prej shekujsh. Shumë prej serbëve që Vuk Karaxhiçi llogariste në Dalmaci dhe Istria ishin në fakt kroatë, të cilët nuk kishin dëshirë të bashkoheshin me një shtet më të madh serb. Bosnja, e cila historikisht nuk kish qenë asnjëherë pjesë e Serbisë, kishte shumë serbë (ata përbënin 43% të popullsisë së Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1878, kur dy provincat u pushtuan nga Austro-Hungaria) por aty kishte dhe katolikë kroatë (afro 20%) dhe myslimanë boshnjakë (33%). (Mbijetesa e një pakice të madhe myslimane ishte një prej tipareve dallues më të veçantë të Bosnjes – brenda Serbisë, komunitetet myslimanë ishin sulmuar, dëbuar apo vrarë gjatë luftës së gjatë për pavarësi).

Pershtatur ne shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button