Analiza

Hegjemoni vetmitar dhe ngurrues i Europës

Gjermania është një hegjemion ngurues. Është kaq e thjeshtë për ta kuptuar këtë. Por është gjithashtu shumë e fuqishme dhe shumë qendrore për të shmangur fatin e saj të ri. Mbetet e ardhmja e një Europe politike dhe ekonomike mjaft delikate. Koha për të menduar ngushtë ka kaluar. Gjermania, tashmë është një vend i madh me përgjegjësi të shumta, dhe do të gjykohet nga ajo sesi do të dijë t’i trajtojë këto përgjegjësi

Nga Martin Wolf

german-flag

Këtë vit përkujtuam 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlint. E para çoi drejt një katastrofe edhe më të madhe, që ishte Lufta e Dytë Botërore, e pasuar nga ndarja e Europës në dy pjesë: mes perëndimit dhe bllokut komunist. E dyta shënoi fundin e asaj ndarjeje dhe shtroi nevojën për një Europë të lirë dhe të bashkuar. Sot ne konstatojmë një ironi të madhe të historisë: Gjermania fitoi përmes paqes, atë që mendoi se do të mund të fitonte përmes luftës. Për mirë apo keq, Republika Federale është aktualisht qendra e pushtetit europian. Disa lindin të mëdhenj, të tjerë e fitojnë madhështinë rrugës, ndërsa disa të tjerë e kanë të shenjuar madhështinë mbi krye. Gjermania tashmë po përjeton stadin e fundit në formën e saj më të plotë. Por si po e menaxhon ajo këtë përparësi ?
Në tërësi mjaft mirë, ndonëse jo mjaftueshëm. Epërsia gjermane nuk është thjesht një çështje e madhësisë së saj hapësinore apo e pozicionit gjeografik. Nuk është as edhe produkt i zhvillimit të saj industrial. Njëri prej vendeve më të mëdhenj europianë, Gjermania ka arritur që të ketë një demokraci të pjekur dhe të qëndrueshme. Është e çliruar nga populizmat ksenofobë që trazojnë fqinjët. Kancelarja aktuale Merkel zotëron pjekurinë e jashtëzakonshme të një lideri të përgjegjshëm.
Përtej këtyre fitoreve, jo gjithçka shkon vaj. Ekonomia e eurozonës ka ngecur në llumin e stagflacionit, si edhe tç inflacionit në nivele minimalë. Shumë politikëbërës në Gjermani i rezistojnë ende tundimit për të ndërmarrë masa që do të ndryshonin këtë situatë. Për pasojë, projekti Europian që dikur vetëmburrej me forcën dhe enegjinë e tij pozitive, paraqet tashmë jo një shpresë për një jetë më të mirë, por e kundërta. Ndërkohë, në lindje një Rusi revanshiste ka arritur që të destabilizojë një Ukrainë harmonike dhe kërcënon të bëjë të njëjtën gjë edhe me vendet që dikur ka qenë pjesë e perandorisë sovjetike. Sërish si në rastin e ekonomisë, kjo sfidon reflekset e Gjermanisë së pasluftës. Berlini dëshiron që të shmangë pozicionet edhe më agresivë ndaj Rusisë, por e di se nuk mund të vazhdojë gjatë në këtë mënyrë. Vështirësia që has Gjemania në gjetjen e një roli të ri është e kuptueshme.
Gjermania nuk e kërkoi monedhën e përbashkët euro. Përkundrazi, ishte çmimi që të tjerët i kërkuan të paguajë për të farkëtuar bashkimin. Politikëbërësit gjermanë i kuptojnë fare mirë ndërlikimet politike dhe ekonomike të një bashkimi monetar. Vështirësi që pothuasje shumica e anëtarëve të tjerë nuk i kuptuan. Përtej kësaj, Gjermania ka përballë një problem të madh: doktrina ekonomike që solli bumin e madh ekonomik të pasluftës, nuk mund të aplikohet e pandryshuar në një zonë të madhe dhe të larmishme, sikurse është ekonomia e eurozonës. Ajo është e detyruar të arrijë në disa kompromise që në fakt i cilëson si dështime. Doktrina kryesore e gjermanëve bazohet në një ekonomi të vogël dhe të hapur. Kjo është e vërtetë edhe për gjeopolitikën e saj. Sipas kësaj doktrine, përgjegjësia për sigurinë globale u mbetet të tjerëve: SHBA mbi të gjitha, së bashku me Europën, por me në krye Francën dhe Britaninë e Madhe.
Në të dyja rastet, perspektiva e “vendeve të vogla” ishte e natyrshme por në të vërtetë e imponuar nga katastrofa që pësoi Gjermania në tentativën e saj për të ftuar madhështinë. Por këto reflekse nuk janë më të përshtashme, pasi ato kanë lënë një boshllëk që vetëm Gjermania mund ta mbushë. Pikësëpari përsa i përket eurzonës, ajo që duhet bërë si fillim është ta shohësh atë si një ekonomi të vetme. Çfarë shohim ne aty? Prej disa vitesh, inflacioni vjetor është vetëm 0.7 përqind. Në 3-mujorin e dytë të këtij viti, kërkesa nominale e brendshme ishte 1.7 përqind më e madhe sesa piku i para-krizës, ndërsa kërkesa reale ishte 5 përqind më e ulët. Papunësia është në nivelin e 11.5 përqind të krahut të punës. Çfarë tregon kjo? Thjesht që Banka Qëndrore Europiane ka dështuar në detyrat e saj.
Në një nga fjalimet e tij të fundit, Jens Weidmann, Presidenti i Bankës Qëndore Gjermane iu përgjigj kësaj situate duke argumentuar se “është fantastike të besosh se politikat monetare mundet që të garantojnë potencialin e nevojshëm që shtyn përpara rritjen ekonomike”. Ai ka të drejtë. Por politika monetare duhet që të garantojë se ky potencial do të shfrytëzohet. Sigurisht që kjo është shumë e vështirë në një zonë me nje monedhë të vetme dhe me kundërshti të mëdha në kuadër të një konkurence të brendshme. Por kjo thjesht nënvizon një tjetër fakt: beteja për konkurencë në kushtet e një eurozone që ka reduktuar ndjeshëm pagat, nuk është një shteg që të çon medeomos drejt zhvillimit. Përkundrazi është një lojë më rezultat zero. Në rast se Gjermania kërkon që të jetë një hegjemone e suksesshme, atëherë duhet të hedhë vështrimin më larg. Duhet që të rikujtojë se edhe çështjet e brendshme, kanë rëndësinë e tyre.
Në Gjermani ekziston një opinion i gjithëpranuar se pa pasojat e krizës, nuk do të ishte ndërmarrë asnjë reformë. Këtu ka diçka të vërtetë. Por ka gjithashtu edhe diçka tjetër: vendet në krizë mund të zgjedhin qeveri që refuzojnë politikat e arsyeshme e të drejtpërdrejta. Kjo do të ishte një tragjedi e madhe për të ardhmen e Europës. “Jep ilaçin sipas dhimbjeve” – mbetet një parullë e ditës, kur ke të bësh me krizat. Çfarë do të thotë kjo në kushtet aktuale ? Do të thotë se Gjermania kishte të drejtë kur mbështeti Mario Dragin në përpjekjen e tij për të eleminuar riskun e një shkërmoqjeje të plotë ekonomike në vitin 2012. Por tani ajo duhet të mbështesë sërish presidentin e BQE-së, në tentativën e tij për të nxitur kërkesën dhe shmangur deflacionin.
Do të thotë gjithashtu që si një vend kreditues, ajo duhet që të pranojë më shumë përgjegjësi mbi shpatulla përsa i përket menaxhimit të financave të unionit. Ristrukturimi i borxhit duhet të jetë në tryezën e bisedimeve, duke filluar me Greqinë. Irlanda gjithashtu duhet që të çlirohet nga ngarkesa e rëndë e të dalit garant ndaj kreditorëve të huaj mendjelehtë, që kanë derdhur paratë e tyre në bankat e saj problematike. Së fundmi por jo më pak e rëndësishmja, Gjermania duhet të ndajë përgjegjësinë mbi reformat makroekonomike që do të duhet të ndërmerren pas krizës financiare. Një hegjemon i zgjuar vetiu do të pyesë: Si sjellja ime mund të përcaktojë qëndrueshmërinë dhe suksesin e sistemit nga i cili përfitoj edhe unë dhe për të cilën jam shumë i përgjergjshëm? Kjo pyetje qëndron si në rafshin ekonomik, ashtu edhe atë gjeopolitik. Është barra e Gjermanisë që së bashku me aleatët t’i japë një përgjigje të fortë Rusisë së Vladimir Putinit, duke kombinuar me shkathtësi karotën e përfitimeve të ndërsjellta, me shkopin gati në duar për të parandaluar më të keqen. Kjo do të kërkojë nga Gjermania të marrë një pozicion agresiv në mbrojtje të vlerave perëndimore.
Gjermania është një hegjemion ngurues. Është kaq e thjeshtë për ta kuptuar këtë. Por është gjithashtu shumë e fuqishme dhe shumë qendrore për të shmangur fatin e saj të ri. Mbetet e ardhmja e një Europe politike dhe ekonomike mjaft delikate. Koha për të menduar ngushtë ka kaluar. Gjermania, tashmë është një vend i madh me përgjegjësi të shumta, dhe do të gjykohet nga ajo sesi do të dijë t’i trajtojë këto përgjegjësi./Financial Times/
Pergatiti: Alket Goce/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button