Analiza

Heretikë kundër fajkonjve

Stephen F. Cohen*

Mungesa e rregullave dhe e moderimit reciprok, të krahasueshme me ato që të dy frontet vendosën mbi të gjitha duke nisur nga kriza e raketave, do të jetë një tjetër faktor risku. Moderimi i nevojshëm reciprok pengohet prej dyshimeve, fyerjeve, keqkuptimeve dhe dizinformimit, sa në Moskë, aq edhe në Uashington. Henry Kissinger thotë se “demonizimi i Vladimir Putinit nuk mund të zëvendësojë politikën: ai thjeshtë ofron një alibi për mungesën e politikës”. Ky demonizim është i barabartë me heqjen dorë nga çdo analizë serioze, nga përpunimi i çdo politike të arsyeshme. Në fund, lufta e re e ftohtë do të jetë shumë më e rrezikshme për faktin se në SHBA nuk ekziston asnjë opozitë aktive

G20 SUMMIT IN THE MEXICAN CITY OF LOS CABOS

Jemi duke parë përplasjen më rëndë të dekadave të fundit mes Rusisë dhe SHBA, dhe ndoshta më të keqe se sa kriza e raketave e vitit 1962. Lufta civile në Ukrainë, që precipitoi në shkurt për shkak të ndryshimit të paligjshëm të qeverisë në Kiev, mund të çojë ndoshta drejt një konflikti mes NATO-s dhe Rusisë. Një skenar i tillë, që prej vitesh kishte qenë i pakonceptueshëm, tashmë është bërë i mundshëm. Dhe janë të shumtë elementët që tregojnë se kjo luftë e ftohtë e re, do të ishte shumë më e rëndë se sa e para – nga e cila planeti shpëtoi për një fije.
Epiqendra e tensionit nuk gjendet më në Berlin, por në kufirin e Rusisë. Në Ukrainë, një rajon jetik për Moskën, llogaritë e gabuara, incidentet dhe provokimet do të kenë një peshë më të madhe se sa ato që kemi parë disa dekada më herët në Gjermani. Edhe më keq: aktorët e kësaj lufte të ftohtë mund të jenë më të prirur që të rendin drejt armëve bërthamore. Disa strategë ushtarakë moskovitë thonë se, nëse trupat konvencionale perëndimore, ndonëse më të mëdha në numër, do të kërcënonin drejtpërdrejt Rusinë, kjo e fundit do të përdorte armë bërthamore taktike. Rrethimi që po i bën këtij vendi NATO, me baza ushtarake dhe sisteme antiraketë, e bën edhe më të mundur një reagim të tillë.
Mungesa e rregullave dhe e moderimit reciprok, të krahasueshme me ato që të dy frontet vendosën mbi të gjitha duke nisur nga kriza e raketave, do të jetë një tjetër faktor risku. Moderimi i nevojshëm reciprok pengohet prej dyshimeve, fyerjeve, keqkuptimeve dhe dizinformimit, sa në Moskë, aq edhe në Uashington. Henry Kissinger thotë se “demonizimi i Vladimir Putinit nuk mund të zëvendësojë politikën: ai thjeshtë ofron një alibi për mungesën e politikës”. Ky demonizim është i barabartë me heqjen dorë nga çdo analizë serioze, nga përpunimi i çdo politike të arsyeshme. Në fund, lufta e re e ftohtë do të jetë shumë më e rrezikshme për faktin se në SHBA nuk ekziston asnjë opozitë aktive. Ne, kundërshtarë t politikës së jashtme katastrofike të qeverisë nuk kemi mbështetjen e asnjë personaliteti me ndikim, dhe nuk jemi të organizuar. Gjë aspak e ngjashme me vitet 70 dhe 80, kur luftonim në favor të atij që atëherë e quanim “relaksimi”. Ishim një pakicë, sigurisht, por një pakicë e konsiderueshme, me aleatë të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe disa në Kongres dhe në Ministrinë e Jashtme. Gazetat e mëdha, stacionet radiofonikë dhe televizivë e mirëprisnin pikëpamjen tonë. Mbështeteshim mbi një bazë popullore e madje edhe një grup presioni në Uashington, Komiteti Amerikan për Marrëveshjen Lindje-Perëndim, ku ishin pjesëmarrës biznesmenë, personalitete të njohur politikë dhe burra shteti të kalibrit të George Frost Kennanit.
Sot nuk kemi asgjë prej këtyre. Nuk kemi asnjë ndikim në administratën Obama dhe praktikisht aspak edhe në Kongres, i cili është shndërruar në një bastion bipartizan i politikës së përplasjes. Mediat e mëdha na injorojnë. Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, as editorialët e New York Times, as të Washington Post dhe as të Wall Street Journal nuk i kanë botuar idetë tona. Nuk janë transmetuar as nga Msnbc apo Fox News, analizat tendencioze të të cilëve pak dallim kanë mes tyre: gjithmonë është “i gjithë faji i rusëve”. Botojmë në media alternative, sigurisht, por në Uashington nuk konsiderohen të denja për t’u besuar, apo të rëndësishme. Gjatë jetës sime të gjatë, nuk mbaj mend një rënie kaq të keqe të debatit demokratik gjatë një krize të ngjashme.
E konsideroj detyrën time të kujtoj që çdo medalje ka dy anë, si dhe të shpjegoj këndvështrimin e Moskës në lidhje me Ukrainën. Kjo ka bërë që të vihem në shënjestër. Viktimë e karikaturave që më përshkruajnë ushtar të “apologjeve” të Putinit, “idioti i tij i dobishëm” dhe më keq akoma, puthador i tij. Gjithmonë më janë bërë kritika, sidomos gjatë 20 viteve kur isha komentator tek Cbs Neës. Por nuk kam qenë asnjëherë objekt i sulmeve kaq personalë dhe dashakeqë.
Disa prej autorëve të tyre – ose ata që i frymëzojnë – janë kampionë të politikës së jashtme të Uashingtonit në dy dekadat e fundit, që solli krizën në Ukrainë. Duke na denigruar, ata përpiqen të fshehin bashkëfajësinë e tyre në atë që po ndodh. Këta neomakartistë duan të mbysin debatin demokratik duke na stigmatizuar në transmetimet informativë më të ndjekur, në gazetat e mëdha dhe në praninë e vendim-marrësve politikë.
E gjithë kjo do të thotë që në të vërtetë ne, disidentët, jemi demokratët e vërtetë në vend, patriotët e vërtetë, garantët e vërtetë të sigurisë së tij. Ne nuk përpiqemi të bëjnë të heshtin këta luftëdashës; duam të diskutojmë me ta. Duhet t’i bëjmë të kuptojnë se politika e jashtme aktuale e SHBA rrezikon të ketë pasoja shkatërrimtare për sigurinë e vendit tonë, ashtu sikurse dhe për pjesën tjetër të botës. Rreziqet dhe kostot e një tjetër lufte të ftohtë do të bien mbi jetët e bijve dhe nipërve tanë. Kjo politikë e papërgjegjshme e privon që tani Uashingtonin nga partneri themelor që është Kremlini, në territore kaq jetikë për sigurinë tonë si Irani, Siria dhe Afganistani, mospërhapja bërthamore apo terrorizmi ndërkombëtar.
Por duhet të themi që edhe ne jemi pjesërisht përgjegjës për çekuilibrin, apo më mirë të themi inekzistencën e debatit. Mungojnë organizimi dhe solidariteti. Disa personalitete mbështesin privatisht këndvështrimin tonë, por pa u shprehur asnjëherë publikisht. Megjithatë, në demokracinë tonë, ku kostoja e disidencës është relativisht modeste, heshtja nuk është më një zgjedhje patriotike.
Na kanë mësuar se moderimi në të menduar dhe në të folur janë gjithmonë zgjidhja më e mirë. Por në një krizë kaq të rëndë, moderimi nuk ka asnjë vlerë. Ai transformohet në konformizëm, dhe konformizmi në bashkëfajësi. Më kujtohet një debat për një temë të tillë mes disidentëve sovjetikë, atëherë kur jetoja mes tyre në Moskë në vitet 70 dhe 80. Disa prej tyre na kanë klasifikuar kohët e fundit si “disidentë amerikanë”. Një krahasim jo me të meta: miqtë e mi sovjetikë kishin shumë më pak mundësi për të bërë disidentin dhe rrezikonin shumë më tepër. Por është një krahasim që tregon jo pak. Disidentët sovjetikë protestonin kundër një ortodoksie doktrinore jo elastike, kundër privilegjeve të paligjshëm dhe një mendimi politik sklerotik. Si pasojë, autoritetet dhe mediat sovjetike i konsideronin heretikë. Duke filluar nga vitet 1990 dhe nga administrata Clinton, disa pozicione jo shumë të mençur në politikën e jashtme janë afirmuar si ortodoksi dypartiake. Tani përgjigja ndaj çdo lloj ortodoksie, është herezia. Atëherë, unë u them miqve të mi: “Jemi heretikë, që nuk shqetësohemi për pasojat personale, me shpresën që të tjerë do të bashkohen me ne, siç ka ndodhur shpesh gjatë historisë’.
Perspektiva më inkurajuese që unë mund t’u ofroj aleatëve të mi është t’u kujtoj se shpesh herë, ndryshimet fillojnë si herezi. Ose, për të cituar Mikail Gorbaçovin, i cili komentonte mbi luftën e brendshme të një nomenklature shumë më të ngurtë se sa e jona: “Cdo lloj risie në filozofi fillon nga një herezi dhe në politikë, nga mendimi i pakicës”. Sa për patriotizmin, le të dëgjojmë Udrou Uilsonin: “Patrioti më i madh është ndonjëherë ai që do të këmbëngulë në drejtimin që e konsideron të drejtë, edhe nëse sheh që gjysma e botës është kundër tij”.
* Stephen F. Cohen është Profesor Emeritus në New York University dhe Princeton University, si dhe një ekspertëve më të spikatur të studimeve mbi ish Bashkimin Sovjetik
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button