Analiza

Hija e Kremlinit mbi shtetet balltike

Elisabeth Braw

Edhe pse një pushtim ushtarak është për t’u përjashtuar, pas krizës në Ukrainë, shtetet që ndodhen në brigjet e Detit balltik kanë frikë nga Rusia. Dhe për t’u mbrojtur i kërkojnë ndihmë NATO-s

kremliniNë fillim të nëntorit, një luftanije ruse hyri në zonën e veçantë ekonomike të Letonisë, pothuajse nëntë milje detare larg prej ujërave territorialë të këtij vendi. Nuk ishte një shfaqje e papritur: këtë vit, luftanijet ruse u janë afruar ujërave letoneze afro pesëdhjetë herë, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të Rigës. Gjithmonë në 2014-ën, kanë qenë 200 rastet kur avionë luftarakë rusë i janë afruar hapësirës ajrore të vendit balltik. Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Raimonds Vejonis ka thënë se Riga është gati për një pushtim të mundshëm nga fqinji i fuqishëm në lindje: “Kemi gati tashmë planet e veprimit, dhe punojmë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Brendshme, duke stërvitur ushtarë dhe policë për të përballuar situata të ndryshme. Por, natyrisht që kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh me fqinjët tanë dhe me aleatët e NATO-s”.
Ndërhyrje e shpejtë
Shqetësimet e shteteve balltike, që shpesh herë akuzohen se i zmadhojnë kërcënimet ruse, sot duken të justifikuar. “Ne estonezët nuk kemi menduar asnjëherë që historia mori fund njëzetë vjet më parë”, thotë Sven Sakkov, nënsekretar i Mbrojtjes i Estonisë. “Lufta e vitit 2008 në Gjeorgji ka qenë një sinjal alarmi, por pjesa më e madhe e vendeve europianë ka preferuar të mos vetëdijësohet”. Sipas Sakkovit, në Europë situata po ndryshon rrënjësisht. Dhe Tallinni ka reaguar tashmë ndaj kërcënimit rus, duke përshpejtuar oepracionet e furnizimeve ushtarakë dhe duke i kërkuar NATO-s që të vendosë në mënyrë të përhershme në territorin e vet ushtarë dhe mjete ushtarakë. Në Estoni, edhe qytetarët e zakonshëm po mobilizohen: këtë vit, rekrutët e Kaitseliit (lidhja estoneze e mbrojtjes, një strukturë vullnetare paramilitare që vepron nën komandën e shtetit) janë dyfishuar në krahasim me vitin 2013: sot të rregjistruarit janë 14545, sa 1 përqind e popullsisë së vendit.
Edhe Lituania ka ngritur kohët e fundit një forcë të ndërhyrjes së shpejtë, të përbërë nga afro 1600 ushtarë. Dhe Letonia – që konsiderohet veçanërisht e cënueshme për shkak të pranisë së një pakice ruse domethënëse, sa 26% e popullsisë si dhe një partie të fortë filoruse – ka kërkuar praninë e përhershme të ushtarëve të NATO-s në territorin e vet. Aktualisht, ushtarët e Aleancës së Atlantikut që janë vendosur në Letoni janë 150. Sipas Vejonis, prania e tyre është që tani në vetvete një frenues. “Vladimir Putini”, thotë ministri, “nuk është aq budalla sa të shkaktojë një luftë me Shtetet e Bashkuara, që do të ishte e pashmangshme, nëse Rusia do të pushtonte Letoninë”. Megjithatë, edhe pse sot një pushtim i Letonisë nga Moska është shumë i pamundur, Riga është duke rritur shpenzimet për mbrojtjen, që në vitin 2015 do të arrijnë 1 përqind të GDP-së dhe në 2020 do të barazohen me standartin e vendeve të NATO-s, domethënë 2%. Duke bërë demonstrime të forcës së saj, Rusia tregon qartësisht se ka ende interesa gjeopolitikë në Letoni dhe në rajon”, pohon Vejonis. “Luftanijet e mobilizuara në Balltik janë të pajisura me teknologjitë më të përparuara. Sigurisht, gjithmonë bëhet fjalë për teknologji ruse, por gjithësesi janë anijet më të mira”. Një shenjë e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve janë lojërat e luftës mes NATO-s dhe Rusisë, që ka pak kohë që zhvillohen në këtë rajon.
Interesat e fajkonjve
Në fillimin e viteve 2000, Suedia kishte arritur në konkluzionin se historia kishte marrë fund, dhe kështu vendosi të zvogëlojë në mënyrë drastike aparatin e madh ushtarak që kishte ngritur gjatë Luftës së Ftohtë. “Ishim të bindur se në horizont nuk kishte rreziqe dhe bëmë një pauzë strategjike, duke i përqëndruar përpjekjet tona në zhvillimin e një sistemi mbrojtjeje të teknologjisë së lartë”, shpjegon Bo Hugemark, studiues i historisë ushtarake dhe kolonel në pension. Në vitin 2009, pasi i dha fund shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Suedia zvogëloi më tej numrin e ushtarakëve dhe sot ka gjashtë mijë ushtarë me kohë të plotë dhe po kaq me kohë të pjesshme. “Duke u përqëndruar në rreziqet që na preknin drejtpërdrejtë, dhe jo ata që i vërtiteshin të gjithë rajonit, nuk u shqetësuam shumë. Po kështu, ndiheshim të mbrojtur prej mburojës balltiko-finlandeze”, vëren HUgemark. Pasoja është që Suedia ka sot më pak ushtarë dhe marinarë nga sa i nevojiten. “Jemi në gjendje të kryejmë detyra të kufizuara, sigurisht nuk jemi të aftë të luftojmë kundër një armiku shumë të fuqishëm”, ankohet një oficer i ri.
Në tetor, një nëndetëse e huaj, ndoshta ruse, u pikas në ujërat territorialë të Suedisë, pranë Stokholmit. Fakti që, pavarësisht mobilizimit të marinës dhe aeronautikës, ajo arriti të largohet, ishte një arsye e fortë turpërimi për vendin. Ndërtimi i një sistemi të ri mbrojtjeje kundër nëndetëseve ishte anuluar në vitin 2007, pas shkurtimeve të buxhetit. Shkelja e ujërave territorialë suedezë u konfirmua në fillim të nëntorit nga Kryeministri Stefan Löfvén, që ka folur për një “episod të papranueshëm”. Pas incidentit, Löfvén krijoi një këshill sigurie i ngarkuar që ta informojë për të gjithë rreziqet potencialë që i kanosen vendit.
Më i matur ka qenë pozicioni i Finlandës. “Politikanët që shpresonin në një përmirësim të marrëdhënieve me Moskën kanë mbetur të befasuar nga agresiviteti i ri i rusëve. Por ushtarakët e prisnin”, vëren Jyri Raitasalo, docent i strategjisë dhe politikave të sigurisë në shkollën e lartë të mbrojtjes në Helsinki. “Pasoja është që investimet ushtarakë për të cilët ka nevojë vendi, janë më të pakët se sa ata të Suedisë”. Në vitin 2014, edhe hapësira ajrore finlandeze u shkel prej avionëve rusë, të paktën pesë herë. Dhe në kuadrin e një serie incidentesh të çuditshëm që kanë ndodhur mes gushtit dhe shtatorit, disa helikopterë dhe luftanije ruse u përpoqën të pengojnë një anije finlandeze që merrej me kërkime në det, “Aranda”, që të hynte në ujërat ndërkombëtarë ndërkohë që gjendej në ishullin suedez të Gotlandit.
Një tjetër mundësi është që në vendet balltike fajkonjtë janë duke zmadhuar me qëllim provokimet e Moskës, duke i quajtur akte agresioni kur në të vërtetë mund të jenë vetëm sinjale të një arrogance të padëmshme. “Pa krizën e Ukrainës, kush kërkonte shkurtime në buxhetin e mbrojtjes me siguri që do të kishte gjithmonë të drejtë”, pohon Raitasolo. Sipas Ivars Zarins, deputet i partisë filoruse në Letoni, “Armonia”, “palët flasin për Rusinë vetëm për të larguar vëmendjen nga paaftësia e tyre për të zgjidhur problemet e vendit”. Në zgjedhjet parlamentare të tetorit, fushata për të cilat u përqëndrua e gjitha në temën e sigurisë kombëtare, “Armonia” humbi 7 nga 31 vendet e saj, por gjithësesi duke mbetur e para në vend.
Gjatë një fjalimi që mbajti në parlament, Zarins pohoi se “Letonia është pjesë e NATO-s dhe eurozonës. Të thuash se rrezikojmë të përfundojmë si Ukraina është njësoj si të thuash se jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore”. Megjithatë, ka shtuar më tej ai, është e vërtetë që vendi është i ndarë si Ukraina. Dhe kush lëshon alarme të vazhdueshëm mbi kërcënimet e Moskës, në vend që të përqëndrohet “tek problemet e vërtetë të letonezëve”, nuk bën gjë tjetër veçse armiqëson më shumë pakicën ruse. Zarins, i cili është letonez, e krahason mënyrën si vendi i tij trajton pakicën ruse me një tradhëti bashkëshortore: “Nëse burri e trajton keq gruan, ajo herët a vonë do të gjejë një dashnor. Atëherë i kujt është faji, i burrit apo i dashnorit?” Letonia, këmbëngul Zarins, duhet të përqëndrohet tek “varfëria, tek pabarazitë dhe arsimi. Vendi nuk po investon aq sa duhet për ta bërë ekonominë më produktive dhe për të gjeneruar vende pune”.
Propagandë dhe informacion
Nga ana tjetër, është e pamohueshme që letonezët dhe stonezët me kombësi ruse kanë një vizion filorus të fakteve. Edhe në kuptimin e drejtpërdrejtë: në fillim të nëntorit, Moska krijoi kanalin satelitor Sputnik, të cilit i vuri emrin e satelitit të hedhur në orbitë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1957, i cili transmeton në tridhjetë gjuhë, mes të cilave estoneze, letoneze, lituaneze dhe finlandeze. Sipas qeverisë së Letonisë, “lufta e informacionit” e Moskës duhet të konsiderohet e rrezikshme po aq sa kërcënimet ushtarakë. Për këtë arsye, Riga sapo ka akorduar 800 mijë Euro për të forcuar shërbimin televiziv shtetëror në gjuhën ruse dhe dëshiron të kufizojë aktivitetin e “kanaleve të propagandës” ruse që transmetojnë nga shtete të tjerë europianë. “Nuk është një ndërhyrje kundër lirisë së fjalës”, këmbëngul Vejonis. “Përpiqemi vetëm t’i kundërvihemi propagandës”.
Nëse shtetet balltikë duken gjithnjë e më të alarmuar nga frika e një agresioni rus, kjo ndodh sepse e kanë përjetuar tashmë në të kaluarën. Dallimi është që sot kanë karta më të mira për të luajtur. “Nëse sulmohet Estonia, do të luftojmë”, premton Sakkov. “Pushtimet e 1939 dhe 1940 na kanë mësuar se duhet luftuar pavarësisht nga vështirësitë, që duhen aleatë dhe që demokracia është e domosdoshme”./Newsweek/
SHQIPERUAR NGA bota.al

Leave a Reply

Back to top button