Shendeti

Hipertiroidizmi: Simptomat dhe trajtimi i kësaj sëmundjeje që gjeneron ankth

Tiroidja është një gjendër e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Hipertiroidizmi është një sëmundje e karakterizuar nga prodhimi i shtuar i hormoneve të tiroides, të quajtura tiroksinë T4 dhe trijodtiroininë T3. Studimet kanë treguar se patologjia prek kryesisht seksin femër, ndërkohë prek rreth 1% popullatën mashkullore.

Si pasojë e prodhimit të shtuar të hormoneve të tiroides, vihen re pasoja mbi metabolizmin. Vihet re rënie e theksuar në peshë dhe shtim i ritmit kardiak. Sëmundja sjell pasoja edhe në aspektin emotiv të personit, sepse mund të manifestohen edhe shenja të nervozizmit, episode depresioni dhe gjendje ankthi.

Pasoja të tjera janë: tremori, shtimi i oreksit, çrregullime në ciklin menstrual. Nuk ka mundësi parandalimi për shfaqjen e hipertiroidizmit, por predispozita gjenetike është një nga arsyet kryesore që përmendin specialistët.

Për të diagnostikuar sëmundjen, duhen kontrolluar nivelet e tiroksinës T4, të trijodtironinës T3 dhe të hormonit TSH (që kontrollon sekretimin e hormoneve të tiroides) në gjak. Mund të kërkohet gjithashtu edhe niveli i antitrupave anti-tiroidienë, i cili tregon mbi patologji autoimune të cilat mund të çojnë në hipertiroidizëm.

Më pas, nëse nivelet e mësipërme rezultojnë të larta (T3, T4, por TSH i ulët), pra konfirmohet diagnoza e hipertiroidizmit, duhet domosdoshmërisht të bëhet edhe një ekografi e tiroides. Trajtimi më pas varet nga gjendja e ecurisë së sëmundjes, si dhe nga mosha e pacientes. Këto përcaktojnë edhe planin e trajtimit farmakologjik ose kirurgjikal (kur nevojitet).

Duhet njëkohësisht të ndiqet edhe një dietë sipas konsultës së endokrinologut, në mënyrë që të mos rëndohen simtomat, apo mosfunksionimi i mëtejshëm i tiroides. Dieta varet nga lloji i sëmundjes, ose shkaku që ka çuar në hipertiroidizëm, por përgjithësisht sugjerohen ushqime të pasur me omega 3, veza, ndërkohë nuk rekomandohen produktet e sojës apo derivatet e saj.

Back to top button