Histori

HISTORI / Angli-Skoci, dueli pa fund

Mohim, sakrificë, por asnjëherë dorëzim: ky është shpriti skocez, që i kundërvihet sigurisë së ftohtë të anglezëve. Ky ishte shpirti me të cilin skocezët përballën betejat e tyre kundër Anglisë. Ky ishte shpirti me të cilin luftoi, në emër të lirisë, William Wallace, “Braveheart” që u bë i famshëm prej Mel Gibsonit. Shekulli XIV ishte epoka e artë e nacionalizmit skocez, prej ku edhe sot separatistët peshkojnë me të dy duart. Vetëm se sot, betejat për identitetin luftohen më shumë në stadiumet e regbisë dhe futbollit, ku pavarësia ekziston prej më shumë se 140 vitesh

sko 1Mes ngazëllimit të më shumë se 2 milionë unionistëve, William Wallace, heroi i luftës së parë për pavarësi të Skocisë, vdiq për herë të dytë. Në shtator, Britania e Madhe la pas e paprekur referendumin për pavarësinë e Skocisë: Mbretëria mbeti e Bashkuar, ndonëse demonstroi edhe një herë se nuk është aspak e tillë. Sepse, pavarësisht më shumë se tre shekujsh bashkimi, për skocezët Anglia është ende “Auld Enemy”, armiku i lashtë, dhe “sassanachs”-ët, siç quhen me përçmim banorët e saj, janë pushtues dhe fqinjë mospërfillës.
Keltë kundër saksonëve, presbiterianë dhe katolikë kundër anglikanëve, Sean Connery kundër Roger Moore: dallimet kulturorë janë pjesë aktive në rivalitetin e vjetër që vë përballë këta dy kombe. Që kur, në shekullin I para Krishtit, perandori romak Klaudio mundi t’i shtojë listës së gjatë të pushtimeve romakë, edhe provincën e Britanias, që u pushtua duke nënshtruar fiset keltë që ishin vendosur në pjesën lindore të ishullit, tetë shekuj më herët.
Superioriteti
“Pas pushtimit të tokave të tyre nga ana e romakëve, shumë britanikë adoptuan zakonet e pushtuesve. Druidët u eleminuan dhe njerëzit u detyruan të praktikojnë fe të tjera, mes të cilave kristianizmin”, shkruan historiani Norman Davies, në librin e tij “Ishuj – Historia e Anglisë, Skocisë, e Uellsit dhe Irlandës”. Dhe duke parë raportet konfliktualë me keltët e tjerë luftëdashës të vendosur në veri, në vitin 126, perandori Adrian mendoi të ndërtojë murin që mori emrin e tij: një kufi i fortifikuar që shkonte, nga bregu në breg, nga 15 në 100 km në jug të kufirit të sotëm skocez, që ndau edhe fizikisht skocezët e ardhshëm nga anglezët e ardhshëm.
“Megjithatë, ishte fat për Britanian që Roma nuk e pushtoi të gjithë ishullin. Luftëtari i madh Agrikola penetroi në një pjesë të mirë brenda Skocisë, por nuk mundi të lërë asnjë gjurmë qytetërimi pas vetes”, shkruante në vitin 1911 Rudyard Kipling, në parathënien e librit të tij shumë popullor “Historia e Anglisë për studentë”. Gjë që thotë shumë për vetëvlerësimin e popullit anglez dhe konsideratën për skocezët fqinjë. I njëjti që ishte demonstruar në vitin 1884, kur pjesëtarët e Royal Historical Society u ofruan vullnetarë për një studim mbi “racën” britanike: duke matur kafkat e tyre, historiani James Foster Palmer pohoi se kush kishte një emër anglo-sakson e kishte kokën më të madhe nga një që kishte një emër kelt. Ja pra prova, përmbyllte ai, e virtutit të origjinës, anglezët janë superiorë ndaj skocezëve. Palmer harronte se populli anglez kishte lindur prej shkrirjes së ngadaltë të britanikëve të hershëm me saksonët dhe anglët, popullsi gjermanike që kishin ardhur përmes detit nga kontinenti, të nesërmen e tërheqjes së romakëve nga Britania. “Pasardhësit e tyre, më pas kishin mësuar ta quanin veten enlisc, domethënë anglezë, dhe territorin e tyre Angleland, “toka e anglëve” duke luftuar për shekuj të tërë me keltët për ishujt”, shkruan Davies. Dhe nëse mbretëria e Anglisë u konsolidua në shekullin X, në veri që në vitin 843, Pitët, të bashkuar me skotët që kishin ardhur nga Irlanda, kishin themeluar Mbretërinë e Albas, një emër që në gjuhën gale moderne tregon zonën që anglezët e quajnë Skoci.
Kompromise
sko 2

Cfarë i kishte bashkuar këta dy fise luftëdashës keltë? Feja kristiane që, sipas legjendës, u përhap në Skoci duke filluar nga shekulli VI prej san Columbas (Colombano), një skot që fliste gjuhën gale. Efektet dobiprurës të fesë u bënë motiv fërkimi në shekullin XVI, kur lindën dallimet fetarë që edhe sot e kësaj dite kundërvënë banorët e ishujve britanikë. Pas përhapjes së reformës luterane dhe ideve të teologut kalvinist John Knox, në vitin 1560 parlamenti skocez shfuqizoi katolicizmin, i zëvendësuar nga protestantizmi si fe shtetërore. Në Lowlands, zona qendrore dhe jugore e Skocisë, më e hapur ndaj ndikimeve anglosaksonë, kisha protestante presbiteriane, e pavarur nga Roma dhe nga monarkia, u bë padrone. Në zonën më në veri, banorët e Highlands nuk hoqën dorë asnjëherë nga traditat e tyre të lashta dhe vazhduan të konsiderohen katolikë.
Në lidhje me fenë, Anglia ishte treguar më krijuese: pak vite më herët i kish dhënë jetë anglikanizmit, një formë kristianizmi, i ndarë prej Kishës romane. Feja e re kish lejuar Mbretin Henriku VIII që të shpallej kreu i Kishës angleze (si dhe të zgjidhte pa pengesa papnore grindjet e tij martesore).
Për një kohë të gjatë, grindjet fetare ishin jnë tapet i mirë, poshtë të cilit fshiheshin interesat politikë dhe nacionalistë në lojë, si para edhe pas vitit 1603, kur Anglia dhe Skocia nisën të ndajnë të njëjtin sovran, me bashkimin e dy kurorave. Më vonë, do të ishte sërish feja, në shekullin XVIII, që shërbeu si pretekst për reagimin e dhunshëm anglez kundër Highlands. Ishte përplasja e fundit në tokë britanike, por skocezët e kujtojnë si trajtim “special” që iu bë atyre nga duka i Cumberland.
Ndal klaneve
Në atë rast, komandanti i forcave angleze fitoi në fushëbetejën e Cullodenit nofkën Billy “Kasapi”: pas fitores, ai urdhëroi ekzekutimin e të burgosurve dhe plagosurve skocezë, si ndëshkim sepse ishin vënë në anën e jakobitëve, anglezëve që donin të rikthenin në fron një mbret katolik. Shtypja nuk u ndal këtu: për të gjunjëzuar shpirtin rebel të banorëve të Highlands, parlamenti britanik vendosi të shkatërrojë sistemin e klaneve. E bëri me ligj, në 1 gusht 1746, kur hyri në fuqi “Akti i ndalimit”. Bashkë me masa të tjera, privoi krerët e klaneve nga çfarëdolloj autoriteti, duke përfshirë pushtetin feudal. U arrit deri në ndalimin e skocezëve që t’i bien gajdes, të mbanin veshur kilt-in dhe të flisnin në publik gjuhën gale, gjuha e lashtë që ishte simbol i pavarësisë së klaneve. Ky tërbim nuk ishte frut vetëm i një hakmarrjeje. Që nga viti 1707, Ligji i Unionit kishte ndryshuar shumë gjëra: donin apo nuk donin, skocezët ishin gjendur të bashkuar me anglezët në Mbretërinë e Britanisë së Madhe, me një parlament, që e ndanin bashkë. “Bëhej fjalë për një aleancë politike, e diktuar nga interesat sektoralë të aristokratëve të Lowlands që përbënin parlamentin e Edinburgut”, shpjegon Davies. Endrra e pavarësisë ishte fundosur sërish, dhe këtë fundosje e kishin shkaktuar ndarjet e brendshme mes skocezëve. Monarkia e themeluar prej Kenneth Mac Alpin në fillimet e shekullit IX kish marrë fund. “Klaneve të HIghland nuk iu njoh aspak zëri. Kështu gjuha dhe kultura angleze u përshtat si mjeti i vetëm dhe i pakontestuar për komunikimin zyrtar në të gjithë Mbretërinë”, përfundon autori britanik.
Identitet në tryezë
Humbja e Cullodenit shërbeu për t’i bërë më “britanikë” kokëfortët e indipendentizmit. Me të paktën një rezultat: sot gjuha gale përdoret vetëm nga një përqindje e vogël e skocezëve, ndërkohë që anglishtja është gjuhë kombëtare. Sigurisht, jo gjuha londineze alla Roger Moore, por ajo me theks skocez, që e flet me krenari jashtë filmave edhe Sean Connery. “Paradoksalisht, me bashkimin politik dallimet kulturorë u theksuan më shumë, në krah të një konsensusi politik. Dhe kështu u përhapën traditat e shumta historike të shpikura”, shpjegon Patrick Leech, docent i gjuhës dhe historisë angleze në Universitetin e Bolonjës. Eshtë ky rasti i tartanit, rroba që mbahet e veshur prej shekujsh nga klanet e Highlands.
Pas suksesit të regjimenteve me kilt në betejën e Vaterlosë, që u luftua në 1815 mes ushtrisë britanike dhe asaj franceze, për civilët morsa e Ligjit të Ndalimit filloi të zbutet. Rasti për të krijuar në tryezë një identitet kombëtar skocez u shfaq në vitin 1822, kur mbreti George IV donte të paraqitej para njerëzve në Edinburg. Ishte vizita e parë në Skoci e një monarku britanik dhe shkrimtari skocez Walter Scott, një unionist i paepur, u quajt mjeshtër i ceremonive.
Ishte ai që e “tartanizoi” vendin, duke botuar një udhëzues ku cdo motiv gjeometrik i tartanit shoqërohej, si nuk ishte bërë kurrë deri atëherë, me një familje apo një lagje. Mes popullit që festonte, të gjithë me rroba tradicionale, edhe mbreti George IV u vesh me kilt dhe ngriti gosti me “klanet e Skocisë dhe krerët e tyre”.
“Ishte një prej lëvizjeve publicitare më madhështore të historisë britanike. Me një goditje të vetme ishte shpikur një traditë kombëtare, ku gjithësecili ishte i lirë të bëhej pjesë dhe ku skocezët e Lowlands, që ishin dominues, mund të ndjenin krenari për skocezët e HIghlands”, nënvizon Davies.
Të dëbuar
Edhe për këtë arsye, Highlands nuk u kursyen nga një prej efekteve më të tmerrshëm të transformimit të tokave skoceze, tashmë në duar të pak fisnikëve të integruar mirë me anglezët. “Në fillim të viteve 800, për të krijuar mundësinë e një mbarështimi më të mirë të dhenve, lordët skocezë dëbuan me mijëra fshatarë të HIghlands, duke i detyruar të emigrojnë në drejtim të Amerikës së Veriut dhe kolonive të tjera britanike”, pohon Leech. Familjet e grumbulluara jashtë shtëpive, fermave që u vihej flaka për të lejuar kalimin e kopeve, burra dhe gra të tërhequr drejt anijeve të gatshme për t’u nisur: mizoria e këtyre dëbimeve shumë shepjt i la vend dhunës. Në vitin 1886, qeveria u detyrua t’u garantojë fshatarëve pronësinë e tokës, duke u njohur të dëbuarve të drejtën e kompensimit.
Rivalë si në stadium
Mohim, sakrificë, por asnjëherë dorëzim: ky është shpriti skocez, që i kundërvihet sigurisë së ftohtë të anglezëve. Ky ishte shpirti me të cilin skocezët përballën betejat e tyre kundër Anglisë. Ky ishte shpirti me të cilin luftoi, në emër të lirisë, William Wallace, “Braveheart” që u bë i famshëm prej Mel Gibsonit. Shekulli XIV ishte epoka e artë e nacionalizmit skocez, prej ku edhe sot separatistët peshkojnë me të dy duart. Vetëm se sot, betejat për identitetin luftohen më shumë në stadiumet e regbisë dhe futbollit, ku pavarësia ekziston prej më shumë se 140 vitesh. Në vitin 2008, në një ngut nacionalist, gazeta skoceze Daily Record i dha një cmim futbollistit argjentinas Diego Armando Maradona në emër të tifozëve të Skocisë, “për të përkujtuar golin e shënuar Anglisë me dorën e Zotit”, gjatë Botërorit të 1986-ës. William Wallace? Me siguri do të ketë lëvizur atje ku prehet./Focus History/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button