Histori

Histori / Kisha e Spiunëve: Lufta e Papa Piut XII kundër Hitlerit

 Një libër i ri nga Mark Ribling, ofron një version krejt të ndryshëm nga pjesa dërrmuese e autorëve, që shfaqen tejet kritikë ndaj rolit apatik të Vatikanit, në raport me rregjimin nazist të Adolf Hitlerit. Falë dokumentave të reja të zbuluara në arkivën e Selisë së Shenjtë, rezulton se Papa Piu XII kishte patur një njohje të vjetër me shefin e zbulimit gjerman Admiral Vilhelm Kanarisin, ndërsa bekoi komplotet e shumta për vrasjen e Hitlerit
Screen Shot 2015-12-04 at 22.15.08
Nga Joseph C. Goulden
Një nga polemikat e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, ka të bëjë me rolin e Kishës Katolike Romake, dhe nëse udhëheqja e saj – veçanërisht, Papa Piu XII – pati një kundërshtim kuptimplotë ndaj regjimit nazist. Grupet hebraike, kanë qenë veçanërisht të zëshme në kritikat ndaj Papa Piut, me akuzën e “heshtjes” ndaj Holokaustit. Edhe një biografi e kohëve të fundit nga teologu gjerman Ditrih von Hildebrand, paraqiste një aktakuzë të ashpër ndaj kishës mbi dështimin e kësaj të fundit, për të folur me më tepër forcë kundër rregjimit hitlerian.
Por një tabllo ndryshe na paraqetitet në një libër të jashtëzakonshëm nga Mark Ribling, i cili shpesh shkruan mbi shërbimet inteligjente, dhe që është bazuar në dokumentat unikë, pasi fitoi qasje tek dosjet e Vatikanit, të cilët mesa duket nuk ishin shqyrtuar nga ndonjë autor i mëparshëm. Përmes këtij libri, Ribling ndërmerr një hap gjigand në restaurimin e figurës së papa Piut XII-të.
Që në ditët e tij të para në pushtet, Hitleri e cilësoi kishën si një armik vdekjeprurës. Një fjalim i hershëm në Rajshtag, përmbante një frazë trishtues:”Priftërinjtë si armiq politike të gjermanëve do të shkatërrohen”. Zyrtarët nazistë u shprehën në një rast se bolshevizmi dhe Judaizmi u shkatërruan, “dhe Kisha Katolike do të mbetet armiku ynë i vetëm”.
Vatikani e njohu rrezikun nazist. Ekzistonte frika, shkruan Ribling se “Hitleri mund të shtetëzonte Kishën, siç veproi Mbreti Henri VIII dikur në Angli”. Njëkohësisht, Roma ishte e shqetësuar se shumë katolikë gjermanë, mund të zgjidhnin Hitlerit mbi kishën. Nazistët tashmë ishin duke krijuar fenë e tyre -për shembull, dekorimin e pemëve të Krishtlindjes me kryqin e thyer, në vend të yjeve.
Madje në një rast, një kardinal e cilësoi “blasfemi pretendimin se Adolf Hitleri është në thelb po aq i madh, sa edhe Krishti”. Piu ishte veçanërisht i përgatitur për t’u përballur me sfidën gjermane. Ai kishte shërbyer në Berlin, si një përfaqësues papnor në vitet 1917- 1929. Në mesin e kontakteve që kishte krijuar, ishte edhe ai me Admiralin Vilhelm Kanaris, i cili më vonë u bë kreu i Abvehr-it, agjensia e inteligjencës ushtarake gjermane.
Ai ishte një nga shumë oficerët që kundërshtuan ngjitjen e Hitlerit në pushtet, dhe iu bashkua një komploti të miratuar nga Kisha për të vrarë diktatorin. Roli aktiv i Piut, filloi nëpërmjet një avokati katolik nga Mynihu i quajtur Jozef Myler, i cili është një nga disa burrat tepër të guximshëm që nxirret në pah në narrativën tepër të rrjedhshme të Ribling.
Ai ishte një figurë e shquar në Mynih, ku kontrollonte biznese të ndryshme, që varionin nga fabrikat dhe deri tek një shtëpi botuese. Myler e vizitoi papën në vitin 1939, duke i bërë një pyetje të drejtpërdrejtë:Nëse ai dhe anëtarët e tjerë të rezistencës gjermane, arrinin të largonin Hitlerin nga drejtimi i Gjermanisë, a mund të llogarisnin mbështetjen e Britanisë? Piu ka dakord, duke iu përgjigjur:”Opozita gjermane duhet të dëgjohet!”.
Siç është pranuar nga shumë historianë, Vatikani krenohet me organizimin e shkëlqyer të shërbimit të inteligjencës. Kështu, Myler dhe kolegët e tij qenë në gjendje ta informojnë Romën mbi çështje të tilla si data paraprake mbi goditjet e nazistëve gjatë pushtimit të Francës, të cilat Vatikani në fakt i shpërfilli.
Por Piu e pranoi se zgjidhja e vetme për problemin “Hitler”, ishte asgjësimi i diktatorit. Dhe këtu u përfshi edhe doktrina e kishës. A ishte vrasja një gjest anti-kristian, sipas etikës themelore? Apo kisha duhej të ndiqte mësimin e Shën Thomas Akuinit, që e konsideronte vrasjen e tiranëve të justifikuar, nëse nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të mbrojtur të pafajshmit?
Piu u prir për këtë të fundit, dhe dha bekimin e tij për një numër përpjekjesh për të vrarë Hitlerin. Mjerisht, secili prej atentateve dështoi, i fundit në rradhë një bombë në “komplotin Valkirie”, i drejtuar nga Konti Klaus von Shtaufenberg në vitin 1944. Kritikët fajësojnë Piun XII-të, dhe udhëheqësit e tjerë të kishës, se qëndruan të heshtur (për pjesën më të madhe) ndaj Holokaustit hebre.
Në mesazhet e tij për Krishtlindje, Piu foli kundër mizorive naziste “të çdo lloji”, por pa përdorur asnjëherë fjalën “hebre”. Ribling nuk tenton në asnjë mënyrë të lehtësojë përgjegjësitë e Piut. Por ai shkruan se heshtja e tij, ishte e lidhur direkt me mbështetjen ndaj komplotistëve anti-nazistë, të cilët nuk dëshironin të ndiznin hakmarrje, si kundër dy hebrenjve, ashtu edhe katolikëve.
Madje edhe me këtë qëndrim pasiv, media naziste e quajti Piun XII-të një “zëdhënës të kriminelëve hebrenj të luftës”. Ana negative e asaj qasjeje, është se “asokohe heshtja e tij, tensionoi marrëdhëniet katoliko-hebreje, dhe uli ndjeshëm kredibilitetin moral të fesë”.
Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë gjermane (Abvehr-i), e konsideronte Vatikanin një organizatë rivale spiunësh, duke marrë masa aktive kundër kundër-inteligjencës së tij. Për shembull, ai mësoi se kryepeshkopi i Frajburgut kishte një dashnore gjysmë-hebreje, dhe e shantazhoi për të bashkëpunuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me murgjit, që u kapën në klubet e natës për  homoseksualët, dhe një prift i cili kishte shpërdoruar paratë për të fjetur me dy gra.
Përfundimisht Gestapoja e akuzoi Mylerin, si një ndër drejtuesit e komploteve dhe vrasjeve, dhe e torturoi në mënyrë brutale. Por ai nuk u thye dhe mbijetoi. Në vitet e pasluftës, ai punoi për CIA-n (me emrin e koduar “Robot”) për të ndihmuar në organizimin e Partisë Kristiandemokrate, e cila e dominoi politikën gjermane gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Ftohtë.
Qëllimi i librit të Ribling është dëshmuar edhe nga 104 faqet e shënimeve mbi kapitujt (të cilat janë me vlerë për t’u lexuar më vete). Ai ka shkruar atë që është një nga librat më të rëndësishëm mbi inteligjencën në vitin 2015. Hulumtimi i tij i përpiktë dhe të shkruarit e gjallë, bëjnë që libri të lexohet me një frymë./“Washington Times”
/bota.al

Leave a Reply

Back to top button