“Unë jam një nga ato femra që ka përjetuar dhunën e një bashkëshorti, të cilin as që e zgjodhi vetë. Po, mos u habisni. Ka ende femra si unë që familja i detyron të zgjedhin dikë të prezantuar me mblesëri. Isha vetëm 18 vjeçe dhe prindërit nuk më vazhduan shkollë të lartë, sepse në fshatrat e thella të Shqipërisëende ekziston mentaliteti i mbyllur dhe mendësia se vetëm një mashkull mund të arsimohet. Femra duhet të rrijë në shtëpi e të bëjë punë shtëpie, të mbahet nga burri.
Kur një i njohur në fisin tonë prezantoi djalin që kërkonte dorën time, unë nuk pranova. Së pari, ai ishte 30 vjeç, pra kishte diferencë të madhe moshe krahasuar me mua. Së dyti, jetonte në Itali dhe unë nuk dija italisht. Kjo gjë do të thoshte të izolohesha në shtëpi dhe të isha larg prindërve të mi. Së treti, dua të jem e sinqertë deri në fund të këtij rrëfimi, nuk pranova edhe sepse nuk më pëlqeu në paraqitje. Mirëpo prindërit donin që unë të pranoja. Këmbëngulën deri në pikën që im atë tha se do të vriste veten, nëse unë nuk e pranoja atë djalë (I dukej më i miri i mundshëm).
Ndaj, u detyrova në këtë mënyrë të pranoja. Folëm shumë pak kohë përmes rrjeteve sociale. Më pas ai hyri të kërkonte dorën time dhe vendosi të martoheshim herët. U bë edhe dasma, edhe pse unë vazhdoja tëmos kisha pëlqim për të. Gjithçka më dukej sikur po e bëja nga “detyrimi” prej tim ati.
Një muaj pas martesës shkova në Itali. Aty nisën vuajtjet e mia më të mëdha. Isha si një shërbëtore nështëpinë e tij, e cila ndodhej në një lagje thuajse të shkretë të Barit. Kisha shumë pak komshinj afër, asnjëshqiptar. Shumica ishin të droguar që zinin gjithë cepat e rrugëve, ndaj dhe nuk dilja nga shtëpia pasi kisha frikë.
Shumë shpejt mbeta shtatzënë. Im shoq kthehej vonë në shtëpi dhe gjatë orarit të punës (punonte si bojaxhi) nuk gjente kohë të fliste me mua. Vinte në shtëpi dhe mbante era alkool, por mua më thoshte se kishte pirë me shokët duke parë ndeshje futbolli. Situata vinte duke u rënduar dita ditës. Kishte raste edhe kur vinte totalisht i dehur. Nuk i thoja asgjë, e lija të flinte derisa të nesërmen t’i dilte pija dhe të ziheshim. Ziheshim shumë, pasi e dija që më gënjente. Unë nuk isha budallaqe të mos e kuptoj se nuk kishtendeshje të rëndësishme futbolli përditë. Aq më tepër, nuk ishte e nevojshme të pinte deri në ekstrem. Ndaj edhe ngrija debate të rënda me të, në shumicën prej të cilave ai edhe më qëllonte për t’i dalë e tija.
Situatat u bënë edhe më të vështira, pasi ai filloi të pinte akoma më shumë dhe të mos sillte të ardhura nështëpi. Shumë netë e prisja se mos kthehej “nga puna” dhe më sillte diçka për të ngrënë. Ai kthehej i dehur, duarbosh dhe unë detyrohesha të flija pa ngrënë, edhe pse isha shtatzënë. Në kushte të tilla e linda tim bir dhe e rrita atë, derisa shkoi në shkollë. Për vite të tëra e duroja dhunën e tij dhe ndërkohë rrisja djalin tim. Kur e pashë se gjërat nuk po ndryshonin prej tij, vendosa të kërkoja një punë dhe sapo tësiguroja disa të ardhura për t’ia dalë mbanë e vetme, e kisha ndarë mendjen t’i kërkoja divorcin. Ndaj, nisa të kërkoja punë, mirëpo ai e mori vesh këtë gjë. Në darkë nisi sherri sërish dhe këtë herë, ai jo vetëm më dhunoi mua, por edhe djalin tonë që ishte 5 vjeç në atë kohë. Ai e kuptoi planin që kisha dhe nuk e pranonte. Nuk donte që unë të largohesha, por as bënte diçka për ta ndryshuar situatën në të cilën ndodheshim.
Kur gjërat u vështirësuan akoma më shumë, kur ditët pa ushqim u shpeshtuan, kur dhuna në shtëpi u shtua, vendosa të ikja nga shtëpia, edhe pse ai e kyçte derën pasi largohej për në punë. Shihja veten nëpasqyrë dhe nuk e njihja veten time. Isha gjithë njolla në fytyrë, e shpërfytyruar, e lodhur. Përditë e mëshumë kuptoja se unë vleja shumë më tepër se për aq. Unë mëritoja më tepër se aq. Mbi të gjitha, im bir nuk kishte pse vuante dhunën nga i ati i tij, të cilin e kisha pranuar unë “e detyruar” nga familja ime. Ai ishte më i pafajshmi në këtë mes.
Ndaj një ditë qëndrova në ballkonin e hyrjes së pallatit për pak kohë, derisa pashë një të ri në rrugë dhe nisa të ulërisja në shqip duke bërë me duar shenjën e lutjes. Isha me lot në sy, nuk mundesha dot të rrija më në atë shtëpi. Më besoni, kur një person nuk e do, kur ai nuk përmbush asnjë nga cilësitë që ti kërkon tek një mashkull e mbi të gjitha, kur ai nuk të trajton si një femër, është e kotë të mundohesh të rrish me të. Kalimtari erdhi, shkelmoi derën e hyrjes së pallatit dhe më pas më çoi në polici. Atje morën të gjitha masat për të më kthyer në Shqipëri dhe që ai person të mos më afrohej më pranë.
Ama vështirësitë i hasa edhe këtu, pasi familja ime nuk më pranoi fillimisht. Prindërit e mi nuk e pranonin zgjedhjen që bëra, pasi mendonin se burri duhet të ushtrojë edhe dhunë ndaj gruas apo fëmijëve, por mjafton t’i bindesh atij dhe të qëndrosh me të gjithë jetën. Unë nuk mendoja kështu dhe përderisa nuk mëhapën dyert e shtëpisë, gjeta një punë dhe u zhvendosa për disa vite në një qytet tjetër duke jetuar me qera. Ai edhe kur erdhi në Shqipëri u mundua të më takonte e të më bindte të kthehesha me të. Ama nuk doja ta shihja më atë person. Falenderoj Zotin që më ndihmoi të largohesha prej tij. I kujtoj vuajtjet nëItali dhe ende më bëhet lëkura me mornica.
Dua r’i them çdo femre të mos nxitohet. Njiheni mirë mashkullin që zgjidhni për të ndarë jetën tuaj, pasi një zgjedhje e tillë mund t’jua shënjojë gjithë jetën. Mendohuni mirë përpara se të merrni vendime tëmëdha, të cilat mund t’ju bëjnë të pendoheni përgjithmonë. Të përfundosh nënë e baba për fëmijën tënd, siç përfundova unë, sigurisht që është shumë e vështirë, por mund të përfundoni edhe të vrara prej tij. Kemi dëgjuar jo pak raste me vrasje në familje, ndaj mendoni më të keqen dhe shpresoni për më të mirën. Mendohuni mirë përpara se të vendosni gjëra të mëdha”. – Anonim