EkonomiMAIN

Historia e 150 viteve të fundit, ka treguar se pushtimi e fundos ekonomikisht pushtuesin

Nga Paul Krugman

“New York Times”

Mrekullia e Ukrainës mund të mos zgjasë. Përpjekja e Vladimir Putin për të arritur një fitore të shpejtë me një kosto të vogël, duke pushtuar qytetet e mëdha me forca të armatosura relativisht lehtë, është përballur me një rezistencë të madhe. Por tani po përdoren armët më të rënda.

Dhe përkundër heroizmit të jashtëzakonshëm të popullit të Ukrainës, ka ende më shumë gjasa që flamuri rus të vendoset midis rrënojave të Kievit dhe Kharkivit. Por edhe nëse kjo ndodh, Federata Ruse do të dalë nga kjo luftë më e dobët dhe më e varfër se sa ishte para pushtimit. Pushtimi nuk sjellë asnjëherë përfitime për pushtuesin. Pse? Nëse i riktheheni historisë, do të shihni shumë shembuj të fuqive që u pasuruan përmes aftësive të tyre ushtarake. Romakët përfituan me siguri nga pushtimi i botës helenistike, siç bëri edhe Spanja me pushtimin e Aztekëve dhe Inkasve në Amerikë. Por bota moderne është ndryshe, dhe me “moderne” nënkuptoj të paktën shekullin e kaluar e këtej. Shkrimtari britanik Norman Angell botoi në vitin 1909 traktin e tij të famshëm “Iluzioni i Madh”, ku argumenton se lufta është një mjet i vjetruar për pasurimin e një shteti.

Libri i tij u keqinterpretua gjerësisht, duke thënë se lufta nuk mund të ndodhte më. Një hipotezë që rezultoi të ishte tmerrësisht i gabuar gjatë dy brezave të ardhshëm. Por ajo që tha në fakt, ishte se edhe fituesit në luftë nuk mund të nxirrnin më asnjë fitim nga suksesi i tyre.

Dhe sigurisht që kishte të drejtë. Ne të gjithë i jemi përjetë mirënjohës Aleatëve që triumfuan në Luftën e Dytë Botërore. Por më vonë Britania u shfaq si një fuqi e dobësuar, dhe përjetoi për vite me radhë masa ekonomike shtrënguese, teksa hasi shumë vështirësi në  kapërcimin e mungesën së këmbimit valutor.

Edhe Shtetet e Bashkuara pas luftës patën më shumë probleme sesa mund ta mendojnë sot shumë njerëz. Ajo përjetoi një periudhë të rritjes çmimesh, të cilat e çuan për një kohë inflacionin në nivelin mbi 20 për qind. Dhe anasjelltas, edhe kapitullimi i plotë nuk e pengoi Gjermaninë dhe Japoninë që të arrinin më vonë një zhvillim të paparë.

Pse dhe kur u bë i padobishëm pushtimi? Angell thotë se gjithçka ndryshoi me lindjen e një “ndërvarësie jetike” midis kombeve “që zhvlerësoi kufijtë ndërkombëtarë”, dhe sipas tij kjo ishte “kryesisht një punë e 40 viteve të fundit”, duke filluar rreth vitit 1870. Dhe duket se argumenti i tij qëndron.

Viti 1870 ishte afërsisht koha kur hekurudhat, anijet me avull dhe telegrafët bënë të mundur krijimin e asaj që disa ekonomistë e quajnë ekonomia e parë globale. Në një ekonomi të tillë globale, është e vështirë të pushtosh një vend tjetër pa e shkëputur atë vend – por edhe veten – nga ndarja ndërkombëtare e punës, për të mos përmendur sistemin financiar ndërkombëtar, me kosto të madhe.

Ne mund ta shohim sot këtë dinamikë tek Rusia. Po ashtu Angell u vuri theksin tek limitet e aneksimit të një territori në një ekonomi moderne. Ju nuk mund të sekuestroni asetet industriale të një vendit ashtu si pushtuesit e epokës para-industriale pushtonin territoret. Pasi konfiskimi arbitrar shkatërron stimujt dhe ndjenjën e sigurisë, për të cilën ka nevojë një shoqëri e përparuar për të qëndruar produktive. Sërish, historia e vërtetoi analizën e tij. Për një farë kohe, Gjermania naziste arriti të mbajë të pushtuar vende me një Produkt të Brendshëm Bruto të përbashkët të para luftës që ishte afro dyfishi i saj.

Por pavarësisht shfrytëzimit të pamëshirshëm, territoret e pushtuara duket se kompensuan vetëm rreth 30 për qind të kostos së fushatës ushtarake gjermane, pjesërisht sepse shumë nga ekonomitë që u përpoq të shfrytëzonte Hilteri u futën nën kolaps.

A nuk është diçka sa e jashtëzakonshme aq edhe e tmerrshme të gjendemi në një situatë ku dështimet ekonomike të Hitlerit, na tregojnë gjëra të dobishme për perspektivat e ardhshme? Por ja ku jemi. Falë Putinit!Do të shtoja edhe dy faktorë të tjerë që shpjegojnë se përse pushtimi është një sipërmarrje e kotë.

E para është se lufta moderne përdor një sasi të jashtëzakonshme burimesh. Ushtritë para-moderne përdornin sasi të kufizuara municionesh, dhe mund të jetonin në një farë mase nga ambienti përreth. Në vitin 1864, gjenerali i Unionit William Tecumseh Sherman, mundi të shkëputej nga linjat e tij të furnizimit, dhe të marshonte nëpër Xhorxhia duke pasur racione ushqimore për vetëm 20 ditë.

Por ushtritë moderne kërkojnë sasi të mëdha municionesh, pjesë këmbimi dhe mbi të gjitha karburant për automjetet e tyre. Në fakt, vlerësimet e fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes thonë se përparimi rus në Kiev ka ngecur përkohësisht “ndoshta si rezultat i vështirësive të vazhdueshme logjistike”.

Kjo do të thotë për pushtuesit e mundshëm se pushtimi, edhe nëse i suksesshëm, është jashtëzakonisht i kushtueshëm, dhe ka pak të ngjarë që ai të mund të shlyejmë ndonjëherë kostot e shpenzuara për të. Së dyti, ne jetojmë sot në një botë të nacionalizmit pasionant.

Fshatarëve të lashtë dhe atyre të Mesjetës ndoshta nuk u interesonte se kush i shfrytëzonte;  por punëtorëve modernë po. Përpjekja e Putinit për të pushtuar Ukrainën duket se bazohet jo vetëm në besimin e tij se nuk ekziston diçka e tillë si kombi ukrainas, por edhe në supozimin se vetë ukrainasit mund të binden që ta konsiderojnë veten rusë.

Kjo duket shumë e pamundur që të ndodhë. Prandaj edhe nëse bie Kievi dhe qytetet e tjera të mëdha ukrainase, Rusia do ta gjejë veten duke shpenzuar shumë për vite të tëra në përpjekje për të mbajtur nën kontroll një popullsi armiqësore.

Pra, pushtimi është një bast i humbur. Kjo ka qenë e vërtetë për të paktën një shekull e gjysmë. Ka qenë e qartë për cilindo që ka parë faktet e 100 viteve të fundit. Fatkeqësisht, ka ende të çmendur dhe fanatikë që refuzojnë ta besojnë këtë, dhe disa prej tyre drejtojnë kombet dhe ushtritë e tyre.

Shënim: Paul Krugman, ekonomist i njohur amerikan, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 2008.

Back to top button