Histori

Historia e fshehtë e një tradhëtie. Aferat e pista të Sarkozy me Kolonelin Ghedaffi?

Paratë e Gheddafi për Presidentin e ardhshëm janë kapitulli i fundit i “France-à-fric”, në të cilën retorika dhe interesat përkojnë. Misteri i Raisit të Tripolit që bëhet armik

Screen Shot 2016-07-09 at 22.52.41

Ai që shërben si sfond i mrekullueshëm i pyetjes së afaristit franko – libanez Ziad Takieddine është kopshti i Hotel Marigny dy hapa larg nga Champs-Elysées, pallati parisian në të cilat presidentët e République presin krerët e shteteve të huaj në vizitë: “Si ka mundësi që Franca, papritmas, ka vendosur që ai i cili ishte pritur në Elize, me të cilin nënshkruanin traktate, firmosnin kontrata dhe që ishte i pranuar nga të gjithë, duhej të braktisej dhe të vritej?”. Qe në këtë kopsht që në vitin 2007 Presidenti Nicolas Sarkozy caktoi për Kolonelin Gheddafi skenën për firmosjen e realizimit të aferave dhe për vizitën e parë të diktatorit libian në Francë në 34 vjet. Aty u trajtua edhe shitja e fuoristradës së blinduar me të cilën Gheddafi do t’i shpëtonte bombardimeve të NATO-s. Duke ju përmbajtur një hetimi në vazhdim, në ditët e mëparshme do të vendoseshin edhe financimet e Gheddafi për të mbështetur fushatën e Sarkozy. Financime të dhëna edhe socialistëve, të paktën nga sa thotë Bernard Squarcini, ish përgjegjësi i agjencisë së shërbimeve sekrete të brendshme.

Historia shpaloset si një roman spiunazhi. Në pranverën e 2012 një politikan i majtë francez, Michel Scarbonchi, afrohet nga Mohammed Albichari, djali i një shefi të shërbimeve të Gheddafi vdekur në vitin 1997 në një incident rrugor të çuditshëm. Albichari thotë se një grup rebelësh nga Bengasi ka futur në dorë “shtatëdhjetë kuti me kaseta” të Kolonelit. Scarbonchi vjen nga i njëjti qytet i Korsikës si Squarcini, Ajaccio, kështu që i organizon një takim me Albichari. Zbulohet se ato kutia, tek të cilat Franca qysh atëhere kërkon që të hedhë duart, përmbajnë arkivin e bisedave sekrete të Gheddafi me liderët e huaj. Dy protagonistët e misterit, Albichari dhe Shukri Ghanem, ish Ministri i Naftës libian, do të vdesin në rrethana pak të qarta në harkun e pak ditëve në prillin e një viti më parë. Me një interes të ngjashëm po kërkohet, midis Libanit, Zvazilendit dhe Afrikës së Jugut, ish shefi i kabinetit të Gheddafi, Bashir Saleh, “bankieri” i zi i Kolonelit, ai që ruan sekretet e pagesave eventuale për Sarkozy. Herën e fundit që Bashir është parë ka qenë pikërisht në Ajaccio të Korsikës. Sipas një interceptimi të përcjellë nga uebsajti Mediapart, me 28 mars të 2007 Sarkozy pyet Gheddafi: “Me cilin mund të flas për çështje të “ndjeshme”? Me Bashir?”.

Ngjarja, e rilançuar me stil të madh nga një investigim i “Le Monde”, e komplikon shumë, në mos e zeron, rolin humaitarist të nouvelle philosophe Bernard-Henri Lévy, ideologut të ndërhyrjes në Libi, prototipi i qytetarit të kënaqur me ndërhyrje humanitare që është bërë padron i opinionit publik perëndimor duke e paraqitur një luftë të organizuar në rajonet lindore të Libisë, gjithmonë armiqësore ndaj pushtetit qendror të Tripolit, si një luftë çlirimtare kundër një tirani. Kur Sarkozy shtroi qilimin e kuq për Gheddaffi në Hotel Marigny, intelot e ardhshëm e luftës në Libi, duke filluar nga Lévy, e akuzuan Presidentin se po rehabilitonte “një terrorist shtetëror” dhe Nënsekretarja e atëhershme e të Drejtave të Njeriut e afërt me Sarkozy, Rama Yade, protestoi se pse Franca katandisej në “një qilim ku diktatorët vijnë e pastrojnë këpucët e tyre të spërkatura me gjak”. Akoma në fazë pragmatiste dhe cinike, Sarkozy replikoi: “Ka intelektualë që e pijnë kafen në Boulevard Saint Germain, mbajnë leksione, por nuk i ndyejnë duart”.

Vetë ky Sarkozy i kish krijuar iluzione partizanëve të prishjes. “Dua të nënshkruaj aktin e vdekjes të Françafrique”, kishte saktësuar Nënsekretari i tij për Bashkëpunimi, social-liberali Jean-Marie Bockel, duke përdorur neologjizmin e Presidentit të Bregut të Fildishtë, Félix Houphouët-Boigny, për të treguar marrëdhëniet e dyshimta midis Francës dhe Afrikës. Ndërsa Bockel shqiptonte këto fjalë, Sarkozy nënshkruante marrëveshje ushtarake me satrapin e Tripolit, me të cilin bënte traktativa edhe për shitjen e teknologjisë bërthamore, aq sa gazeta e ekstremit të majtë gjerman “Die Tageszeitung” botoi fotografinë e Sarkozy dhe të Kolonelit në faqe të parë, nën titullin: “Do t’ia shisnit një reaktor bërthamor këtij njeriu?”. “Një nacionalist i çfrenuar i ofron atomiken një diktatori”, akuzoi Presidenti i të Gjelbërve, Reinhard Bütikofer. Ishte i njëjti Sarkozy që kish sokëllirë kundër “të korruptuarve, korruptuesve dhe falsifikuesve që kanë përdorur abuzimin e pushtetit që e kanë ushqyer dhe me të cilin janë ushqyer” (nga “Témoignage”, libri manifest i tij). Por në moralin e Sarkozy, në sloganin e tij “as indiferencë, as ndërhyrje”, vlera dhe interesa përkojnë gjithmonë.

Sipas Albert Bourgi, Docent i së Drejtës dhe vëllai i atij avokati protagonist i shumë marrëveshjeve midis Parisit dhe Afrikës, “ndërhyrja e Sarkozy në Libi të kujton politikën franceze në Afrikë nga viti 1960 deri më sot”. Nëqoftëse konfirmohet, afera e financimeve elektorale dhe vrasja pasuese e Gheddafi do të duhej të lexohej si kapitulli i fundit i Françafrique i bazuar mbi raportet personale me satrapët dhe mbi interesa të “kampionëve kombëtare” transalpinë, një paternalizëm i pagëzuar “France-à-fric” (nga “fric”, slang që tregon të hollat). Për ta thënë me fjalët e socialistit François Loncle, “lufta e Libisë është një karikaturë e Françafrique”. Është ribotimi i historisë së keqe që përfshi Valery Giscard d’Estaing, i cili u gjend në krizë të plotë presidenciale kur u përhap lajmi i diamanteve (për më shumë se 1 milion franga) të marra si dhuratë nga Madhëria e Tij Bokassa. Në tetor të 1979 Amnesty International zbulonte se nja 100 fëmijë qenë masakruar në Bangui “me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të perandorit”. U shfaqën kufoma ne frigoriferin e “Bokassa kanibalit”, një tip i mirë që shtetasit e palëqyeshëm e kishte zakon që t’i fuste në kafaz për t’u dobësuar pasi mishi nuk i pëlqente shumë i majmë, pak i varur dhe gjysmë i zier, si i thonë bleu. Vijon “operacioni Barracuda”, një grusht shteti me ndihmën e parashutistëve francezë që risjell në pushtet David Dacko, kushëri i Bokassa, i përzënë natën e Shën Vasilit të vitit 1965. Bokassa do të hakmerret duke shkruar “E vërteta ime” lidhur me dhuratat për Giscard. Si në rastin Giscard – Bokassa, ashtu dhe në atë Sarkozy – Gheddafi, ajo që ka zbuluar skenaret ka qenë gazeta pirate dhe satirike “Le Canard Enchaîné”. Atëhere qe një diamant prej 30 karatësh i përgatitur nga Bokassa për Giscard, kurse sot është fushata elektorale e Sarkozy e financuar nga Tripoli. Po pse Franca e Sarkozy, që e kishte pritur me krahë të hapura Gheddafi, që e kish lejuar ta ngulte tendën në Elize, që kish nënshkruar me të marrëveshje të majme ekonomike, që bile nga ai do të paguante fushatën elektorale, do t’i shpallte më pas luftë Tripolit?

Është ndoshta i njëjti paradoks që u regjistrua në epokën e kundërvënies militante, madhështore dhe politike e Francës së Jacques Chirac ndaj luftës anglo – amerikane kundër Saddam Hussein të vitit 2003. Në Kombet e Bashkuara, Dominique de Villepin u shfaq për muaj të tërë në mbrojtje të arsyes, të maturisë dhe të së drejtës ndërkombëtare kundër një Amerike arrogante, mospërfillëse, e paarsyeshme. Është “Chiracchia” vendi drejtues i së majtës botërore, me manifestin që nxiste veton e Parisit kundër luftës. “Franca nuk gjunjëzohet”, titullonin të gjitha, të ekzaltuara. Jo ajo Francë që qe aristokrate e libertine dhe, për pasojë, gjiganteske. As Franca melankolike dhe e mundura e barrikadës së fundit së Komuneve apo e Frontit Popullor. Franca që pëlqehej është ajo që ka humbur, fuqinë, por jo fodullëkun. Franca që i ka bërë luftë Gheddafi do të paraqiste arsye të tjera morale respektivisht proba’athizmit, por është e njëjta ndërthurje e interesave dhe e retorikës. Të gjithë të lumtur se kanë rigjetur Francën, deuxième patrie e të gjithë fatkëqinjve të të gjithë botës.

Jacques Chirac, që në Irakun e Saddam Hussein kishte interesa politike dhe ekonomike, u bë ai që për naftën nuk e çan kokën fare, lideri i mirë që nuk do të ëndërronte kurrë që të hidhte mbi Afrikë një rrjet njerëzish me pistoleta dhe thika siç bëjnë ata zuzarët e CIA-s. Pastaj, le ta themi, shumëkombëshet made in France as nuk vërtiten rreth Bagdadit, të gufuar duke pritur që Raisi të rrëzohet si ata prepotentët që e besojnë veten bile si të bekuar nga Zoti. Por më pas, si në rastin e Sarkozy në Libi, zbulohet se Franca e Chirac bënte afera të arta me regjimin e Bagdadit. Në dosjet tashmë të famshme të CIA-s lidhur me Saddam shfaqen emrat e ish Ministrit të Brendshëm francez, Charles Pasqua, e biznesmenëve mjaft të afërt me Chirac si Patrick Maugein dhe i ambasadorit të Parisit në Pallatin e Xhamtë, Jean-Bernard Mérimée. Mekanizmi i ideuar nga Saddam Hussein ishte gjenial. Shërbente për të financuar politikanë dhe gazetarë që kryenin betejën ndërkombëtare kundër sanksioneve. Me bashkëfajësinë e Kombeve të Bashkuara, çmimi i naftës irakene fiksohej në një kuotë më të ulët sesa vlera e tregut.

Përfituesit sinjalizonin në Bagdad një ndërmjetës i cili blinte të drejtën e blerjes së naftës me çmim të ulur, por që më pas rishitej me çmim real tregu. Diferenca në kuotim ishte përfitimi për miqtë e Raisit, shumë prej tyre francezë. Feta më e majme e aferës ishte në dorën e shoqërive ruse, pasuar nga francezet me më shumë se 4 miliard dollarë (7.3 me ndihman humanitare). Është edhe roli i luajtur nga bankat transalpine, në veçanti nga BNP Paribas, e cila ka menaxhuar transaksionet e skemës Oil for Food.

Për të kuptuar funksionimin e Françafrique duhen lexuar kujtimet e një aparatçiku si puna e “dhelprës” Jean-François Probst, që në librin me titull “Chirac, mon ami de trente ans” rrëfen do ut des me të fuqishmit arabë dhe afrikanë. Nga gjenialitetet e De Villepin – “duhet t’ju tregoj diçka”, i tha një ditë në Brazzaville Presidentit kongolez Denis Sassou Nguesso, duke nxjerrë një bllok me spirale me tanxhentet që pretendonte se i kish dorëzuar në hotelet parisiane, deri sa të prekë epokën e Chirac kryebashkiak i Parisit, kur Jérôme Monod, Sekretar i Rassemblement pour la République, nisej drejt pushtimit të Afrikës për llogari të Lyonnaise des eaux që siguronte vepra të mëdha hidrike: Kongo, Gabon, Senegal, Mali, Burkina Faso dhe më pas Lomé në Togo, mysafir i Gjeneralisimit Gnassingbé Eyadéma, dhe Yamoussoukro në Bregun e Fildishtë, në pallatin e Houphouét-Boigny, ku takohet me Ernest Cazelles e Jacques Foccart, Sekretar i Elizeut nga 1960 në 1974 dhe frymëzuesi më i madh i politikës së influencës me “réseaux” strategjike dhe lidhjet e ngushta të tij me shërbimet sekrete, që do të vazhdohet me François Mitterrand dhe do ta arrijë kulmin e saj të fshehtësisë, korrupsionit dhe afarizmit falë djalit Jean Christophe Mitterrand, i famshmi “Papa-m’a-dit” (Babai më ka thënë) i dënuar me 30 muaj për mashtrim fiskal.

Ai Jean-Christophe Mitterrand, i akuzuar për riciklim parash në sfondin e trafiqeve të errëta të armëve franceze në Angola, që ka bërë kohën e mirë dhe të keqe në raportet me Afrikën. Babai e vendosi në “celulën Afrikë dhe Madagaskar” të Elizeut në 1982 dhe në 1986 e promovoi si shefin e kësaj zyre që i dha nofkën “Monsieur Afrique”. Të gjithë “mbretërit” afrikanë shkonin që t’i bënin homazh në zyrën mjaft të bukur në Nr. 2 të Rue de l’Elysée.

Është kjo epokë e errët dhe monumentale që e ka arritur apogjeun e saj në fushatën e Sarkozy në Libi. Një epope e miëshruar nga “les affreux”, mercenarët e Bob Denard, me atë ecjen e tij të çalë prej xhentëlmeni âgé, të kaluarën koloniale dhe “retraite” e kamur jashtë Parisit. Është një Francë e gatshme për gjithçka boll që të mos humbasë ndeshjen në Afrikë fillimisht kundër presionit sovjetik dhe më pas anglosakson. E gatshme edhe të braktisë sa të hapë e të mbyllësh sytë miqtë e vjetër.

Karriera e Denard i detyrohet mbi të gjitha Mobutu Sese Seko, i cili gjatë luftës në Kongo i besoi ushtritë e tij. Denard u dallua në luftimet kundër simba-ve dhe baluba-ve të dehur me kanabis dhe alkool. Kontribuoi në suksesin e Mobutu, por për funksionarët e Rue de Grenelle, mbretëria e shumë të fuqishmit Foccart ku vendosen “Affaires Africaines et Malgaches”, Mobutu është bërë tepër proamerikan sa të mund t’i besohet: “Mon cher Denard, duhet ndryshuar regjistër” (do të ndodhë edhe me Gheddafi). Duhet synuar tek Moïse Ciombé, lideri separatist armik për vdekje i Mobuto. Denard ia kthen krahët mikut të Kinshasa: “La politique (et la France), d’abord”.

Shpërthen Maji 1968 dhe baroudeur paksa i errët i shërbimeve franceze Denard gjendet duke luftuar me babain e ndërhyrjes humanitare, atë doktor Bernard Kouchner të “Médicins sans Frontières” partizan i ardhshëm i luftës kundër Gheddafi. Denard do të përkufizohet deri në fund “pirati i Republikës”, për të nënvizuar se sa aventurat e tij kanë përkuar me interesat e Elizeut të paktën me tri presidentë: De Gaulle, Pompidou dhe Giscard d’Estaing. Një histori shërbimesh sekrete, legjionarësh dhe “grand commis” që hedh një hije edhe mbi 14 vitet e Mitterrand.

Ka qenë kështu që kompanitë franceze – Elf, Bouygues, Bolloré – kanë gëzuar të drejtën e monopolit në pjesën më të madhe të Afrikës. “Rrjeti Foccart” – që ka marrë format e rrjeteve neogoliste të Charles Pasqua dhe socialisto – miterrandiane – ka ushqyer dhe shpëtuar presidentë dhe diktatorë miq: Omar Bongo në Gabon, Gnassingbé Eyadéma në Togo, Paul Biya në Camerun, Denis Sassou Nguesso në Kongo, Blaise Compaoré në Burkina Faso, Idriss Déby në Çad, Ange-Félix Patassé nq Repudlikën e Afrikës Qendrore, Félix Houphouët-Boigny në Bregun e Fildishtë dhe, natyrisht, Juvénal Habyarimana në Ruanda. Prapa këtyre konflikteve ka qenë dora pakashumë diskrete e Francës. Nganjëherë me mandatin e Kombeve të Bashkuara (si kundër Libisë së Gheddafi), të tjera në mënyrë unilaterale dhe, të tjera akoma, nëpërmjet shërbimeve dhe mercenarëve.

Por me Sarkozy dhe Gheddafi kjo skemë do të hidhet në erë. Alizeu do të duhej të bënte gjithçka për ta mbrojtur “klientin” e tij nga Tripoli. Në atë darkë në Hotel Marigny, Sarkozy nënshkroi një marrëveshje prej 10 miliard dollarësh në kontrata me Kolonelin, midis të cilave rinovimi i linjës së prodhimit të avionëve Mirage e nisur nga Libia në vitet Shtatëdhjetë, shitja e 14 Rafale, 8 helikopterëve Tigre, 15 Caracal dhe 10 Fennec (Eurocopter), një sistem artilerie Cesar, 60 autoblindave Vab, 13 Sagaie dhe 25 makinave të lehta të blinduara Vbl. Në darkë në Elize me Gheddafi ndodheshin të gjithë biznesmenët francezë me peshë: Presidenti i Gaz de France, Jean-François Cirelli, Presidenti joekzekutiv Total, Thierry Desmarest, Drejtori i Përgjithshëm i Airbus, Administratori i Deleguar i Dassault, Charles Edelstenne. Sarkozy, pas fillimit të luftës kundër Gheddafi, në fakt do t’i hiqte nga faqja internetore e Presidencës së Republikës fotografitë e vizitës së famshme të Kolonelit në dhjetor të 2007 në Paris.

Paradoksi është që në vitin 2007 qe pikërisht Sarkozy ai që “shiti” Gheddafi. Për këtë arsye gjatë luftës kundër Tripolit, Koloneli do të sokëllijë nga bunkeri: “Sarkozy të na rikthejë paratë që i kemi dhënë”. Por jemi në luftë dhe asnjë nuk i merr seriozisht akuzat e Kolonelit. Siç kanë qenë dhe pak ata që kanë marrë seriozisht zbulimet e establishmentit libian pasGheddafi, sipas të cilave ka qenë një “agjent i huaj”, një francez dhe jo brigadat libiane dora që ka qëlluar me pistoletë në kokë dhe ka vrarë Kolonelin në Sirte. Të tjerë akoma thonë se ai që ka urdhëruar vrasjen e Gheddafi duket se ka qenë Emiri i Katarit, al Thani. Dhe ndoshta këtu është dhe çelësi i misterit. Çfarë ia ka ndryshuar mendjen Sarkozy? Përse përfituesi dënon me vdekje bamirësin e tij?

Sarkozy lidh një aleancë të mrekullueshme me Emiratin e Katarit, protagonist i të gjitha “pranverave arabe” dhe financues i luftës ndaj Gheddafi. Në ditët e kaluara ka dalë lajmi se Katari do të synonte tek Sarkozy për menaxhimin e fondeve të tij. Emirati shumë i pasur i Gjirit Person do t’i ofronte ish Presidentit francez që të drejtonte një fond investimesh, një “private equity fund”, prej 500 milion dollarësh. Me Sarkozy, Katari ka blerë gjysmën e Francës. Cup de théâtre i parë është blerja e Paris Saint-Germain, skuadra e futbollit e kryeqytetit. Pasojnë pjesëmarrje në kompaninë e naftës Total, në ndërtuesen Vinci, në kompaninë e ujit Veolia, në kompaninë Vivendi, në gjigantin e botimeve Lagardère, në Société des Bains de Mer të Montecarlo, në ndërtuesin aeronautik Eads, në shumëkombëshen e luksit Lvmh. Pastaj pallatet simbol të grandeur-it si selia e Figaro, hotelet Carlton dhe Martinez në Cannes, Palais de la Mediterranée në Nizza, Concorde Lafayette, Hôtel du Louvre, Royal Monceau në Parigi.

Diamantët e “zinj” të Giscard d’Estaing, shitjet nën egjidën e Kombeve të Bashkuara e “Chirac d’Arabie”, financimet elektorale e Gheddafi, duket se të gjitha konfirmojnë moton e vjetër të Gjeneralit De Gaulle sipas të cilës “Franca nuk njeh miq, por vetëm interesa”. Një maksimë për t’u plotësuar me fjalët e paharrueshme të ish Ministrit të Jashtëm, Louis de Guiringaud, të shqiptuara në vitin 1978: “Afrika dhe Lindja e Mesme janë pjesa e vetme e botës ku Franca mund të sillet akoma si një fuqi e madhe, e aftë që t’u ndryshojë rrjedhën e historisë me 500 njerëz”. E kështu, në një ndërthurje aferash, gjaku dhe Café de Flore që ka ndryshuar historinë e Libisë, Françafrique është bërë démocratique.

Leave a Reply

Back to top button