HistoriMagazine

Historia nuk mori fund në 1989-ën

Nga Seria: “A mori vërtetë ndonjëherë fund, Lufta e Ftohtë?”

Lufta e Ftohtë ishte një konkurrencë shumë specifike mes dy modeleve universaliste, secili prej të cilëve pretendonte se përfaqësonte të ardhmen për të gjithë njerëzimin. Nuk jam i sigurt që ky universalizëm qëndron në themel të mendimeve të Putinit, apo atyre të Kinës. Bashkimi Sovjetik dhe SHBA, besonin se bota duhej dhe do të shkonte vendosmërisht, në drejtimin e sistemit ekonomik, shoqërisë dhe sistemit politik të secilit

Piers Ludlou

Lufta e Ftohtë ishte gjithmonë, shumë më tepër se thjesht një tension ushtarak apo konfrontim i armatosur mes blloqeve perëndimore dhe lindore. Në rrënjë të saj ishte konkurrenca mes dy vizioneve themelisht të ndryshëm të modernitetit – pra se si duhej dhe do të organizohej bota në të ardhmen. Ishte kjo konkurrencë që mori fund përfundimisht në periudhën mes viteve 1989 dhe 1991, kur u shemb blloku sovjetik.

Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se gjithçka që ka pasuar, ka qenë në dobi të paqes dhe vullnetit të mirë. Ende ka mjaft konflikte, shumë ndarje në botën e sotme. As nuk duhet të mohohet se një shtet si Rusia e Putinit paraqet një kërcënim të vërtetë sigurie për Evropën, veçanërisht për vendet fqinje si shtetet e balltikut apo Ukraina. Ka. As nuk duhet të mohohet konkurrenca e vazhdueshme midis demokracisë liberale perëndimore dhe pikëpamjeve alternative për botën, qoftë ato të ekstremistëve islamikë, qoftë të një vendi autokratik dhe ende komunist, si Kina. Këto përfaqësojnë mënyra shumë të ndryshme të organizimit të politikës, shoqërisë dhe ekonomisë. Historia nuk ka mbaruar në vitin 1989, siç sugjeruan disa.

Por Lufta e Ftohtë, ashtu si e kuptoj unë, ishte një konkurrencë shumë specifike mes dy modeleve universaliste, secili prej të cilëve pretendonte se përfaqësonte të ardhmen për të gjithë njerëzimin. Nuk jam i sigurt që ky universalizëm qëndron në themel të mendimeve të Putinit, apo atyre të Kinës. Bashkimi Sovjetik dhe SHBA, besonin se bota duhej dhe do të shkonte vendosmërisht, në drejtimin e sistemit ekonomik, shoqërisë dhe sistemit politik të gjithësecilit. Dhe secila superfuqi shpenzoi energji të mëdha për të siguruar që kjo të ndodhte, duke përdorur të gjithë taktikat, nga propaganda dhe rryshfeti, tek përdorimi i forcës ushtarake.

Ishte pikërisht kjo gjë që e shtyu përpara Luftën e Ftohtë, dhe e shndërroi nga një rivalitet tradicional mes fuqive të mëdha, në një tipar përcaktues të periudhës mes 1947-ës dhe 1991-shit. Dhe ishte kjo konkurrencë që mori fund, përfundimisht, me fitoren e modelit perëndimor. Kështu që, po, Lufta e Ftohtë ka mbaruar, sado që ndarë, e pasigurtë dhe e paparashikueshme mbetet bota jonë.

Piers Ludlou është profesor në London School of Economics / Përgatiti: bota.al


Po nga kjo seri:

https://www.bota.al/2017/04/lufta-e-ftohte-nuk-perfundoi-asnjehere/

https://www.bota.al/2017/04/lufta-e-ftohte-ishte-produkt-i-revolucionit-te-1917-es-dhe-luftes-se-dyte-boterore/

Leave a Reply

Back to top button