Analiza

Vetëm një Europë federale sjell paqen. Fjalë të Immanuel Kantit

EU puzzleNë një dorëshkrim të vitit 1975, filozofi gjerman thoshte se ndoshta ishte e vetmja rrugë për të shmangur luftëra të reja dhe për të krijuar një qeveri demokratike superkombëtare. Një teori që SHBA e vunë në zbatim më shumë se dy shekuj më parë. Dhe për të cilën, në Kontinentin e Vjetër diskutohet ende

Deri në pragun e Shtatëqindës, shkrimet që përmbanin fjalën “Europë” numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Më pas, termi hyri në përdorimin e përditshëm dhe studiuesit u gjendën përballë problemit të kundërt: cilët tekste duheshin përzgjedhur, cfarë domethënie i duhej dhënë termit “Europë”, që po përhapej? Për shembull, në traktatin e aleancës mes Francës së Luigjit XIV dhe Spanjës së Filipit V, firmosur në vitin 1701, thuhet: “Asgjë nuk mund të kontribuojë më shumë se një bashkim, për ruajtjen e paqes në Europë”. Bëhet fjalë për një bashkim mes dy vendeve. Nuk e mendonin kështu sovranët e Anglisë, të Provincave të Bashkuara dhe të Portugalisë, që në vitin 1703 ndërtuan një aleancë, kundër asaj franko-spanjolle, duke e justifikuar me faktin që do të ofronte “një bazë më të fortë për paqen dhe qetësinë në Europë”. Edhe filozofët, intelektualët dhe shkrimtarët konsideroheshin si “grupet më të mësuar të Europës” dhe titujt e revistave të tyre pasqyronin në mënyrë të pashmangshme frymën e kohës: Histoire littéraire de l’Europe, Gran giornale d’Europa, Giornale letterario d’Europa… Fjalët nuk e bëjnë historinë, por janë pa dyshim dëshmitarë të besueshëm të ndjenjave të shoqërisë.

Tek shkrimtarët më të adhuruar të shekullit të iluminimit nisi të shfaqet një ide për një Europë të destinuar t’i qëndrojë kohës. Në vitin 1752, Volteri theksonte me të gjithë forcën e prozës së tij se “Europa kristiane (me përjashtim të Rusisë), mund të shihej si një lloj republike e madhe e ndarë në shumë shtete, disa monarkikë, disa të përzier, disa aristokratikë, të tjerë popullorë: por të gjithë pak a shumë të ngjashëm, duke patur të gjithë të njëjtin bezim fetar bazë, ndonëse të ndarë në shumë sekte. Dhe të gjithë të kenë të njëjtët parime të të drejtës publike dhe politikës, gjëra të panjohura këto në pjesë të tjera të botës”. Në fjalët e filozofit francez gjen jehonë sërish, ndonëse përsëlargu, Respublica Christiana, por mendja e tij ishte krejt e pushtuar nga republika letrare që “ishte vendosur gradualisht në Europë, pavarësisht luftërave, dhe pavarësisht shumëllojshmërisë së feve”.

Një iluzion bujar. Tridhjetë vjet më vonë, Zhan Zhak Rusoi shprehte të njëjtët mendime, me një stil të mprehtë që nuk pranonte replika: “Sot nuk ka më as francezë, as gjermanë, as spanjollë, madje as anglezë: sot ka vetëm europianë. Të gjithë kanë të njëjtat shije, të njëjtët pasioine, të njëjtët zakone, sepse askush nuk ka marrë formim nacional nga një institucion i vecantë”.

Europa e Volterit dhe Rusosë nuk ishte shkatërruar ende nga nacionalizmat që do të shpërthenin pak më vonë, por luftërat e tmerrshme që e kishin përgjakur në dy shekujt e fundit, e bënin megjithatë edhe më urgjent se sa në të kaluarën, një plan që të garantonte një paqe të qëndrueshme. Që në vitin 1693, Uilliam Pen kishte botuar një dorëshkrim të shkurtër, “Diskursi mbi paqen e sotme dhe të ardhme në Europë”, ku propozonte krijimin e një “parlamenti apo shteti europian”, me detyrën që të diktonte normat të cilave të gjithë sovranët duhej t’u bindeshin, si dhe të zgjidhte mosmarrëveshjet që lindnin mes sovranëve dhe princërve. Një iluzion bujar, që e gjejmë edhe në shkrimet e abatit Carls Ireni Kastel de Son Pierr. Abati francez, që kish marrë pjesë në konferencën përgatitore të Traktatit të Utrehtit dhe kishte një dije parësore të realitetit politik në Kontinentin e Vjetër, i hodhi refleksionet e tij në tre vëllime që shpallnin që në titull objektivin e autorit: krijimin e kushteve për vendosjen e një “paqeje të përjetshme” në Europë, me kontributin e të gjithë princërve kristianë.

Për të arritur objektivin ishte e domosdoshme lindja e një konfederate të përbërë nga përfaqësues të 24 sovranëve (por “shoqëria europiane”, sic e kishte quajtur, mund të përbëhej konstitucionalisht nga vetëm 14 anëtarë) që angazhoheshin të mos ndryshohej ekuilibri i arritur në Utreht, dhe të mos aneksonin territore të tjerë pa konsensusin e shoqërisë, dhe mbi të gjitha, të mos përdornin armë. Një shpresë e pabazuar, gjë që do ta shprehte qartë Frederiku II në testamentin e tij: “Nuk ekziston asnjë princ që nuk dëshiron të rrisë fuqinë e tij”. Dhe mjeti më i sigurtë, sic e kishte demonstruar vetë Frederiku, ishte lufta.

 

 

 

 

 

Përgjigjet e gabuara dhe problemet e vërtetë nuk bien domosdoshmërisht në boshllëk, por nxisin reflektime të mëtejshëm, që ndihmojnë për të gjetur rrugën e duhur. Në vitin 1795, Imanuel Kanti kishte botuar një shkrim të shkurtër, “Për paqen e përjetshme”, i punuar gjatë revolucionit francez. “Projekti kantian”, ka shkruajtur Lucio Levi, “dallohet në thelb prej atyre që i paraprinë, sepse nuk është konceptuar si një propozim për t’ua paraqitur qeverive dhe diplomatëve, për të arritur një ekuilibër më të mirë. Duke kontestuar faktin që e drejta ndërkombëtare dhe ekuilibri mes fuqive janë instrumenta efikasë për të garantuar paqen, ai formulon një gjykim, që më vonë, historia e ndarjeve dhe luftërave në Europë do ta konfirmonte. Vetëm federalizmi mundëson vendosjen e paqes… dhe krijimin e një qeverie demokratike supernacionale”.

Kant kishte caktuar përfundimisht kushtet, pa të ilët është e pamundur të arrish “paqen e përjetshme”. Filozofi gjerman mendonte, si destinacion të fundit, federatën botërore, që mund të ralizohej ndërkohë në hapësira më të kufizuara – për shembull në Europë – duke eleminuar përgjithmonë mundësinë për luftëra të reja në tokën e saj. Cuditërisht, federata e parë nuk e pa dritën në Europë por në bregun tjetër të Atlantikut, ku ish kolonitë britanike po kërkonin një rrugë për të mos ripërjetuar përvojat dramatike të Kontinentit të Vjetër. Në 20 vite, falë gjenisë politike të Hamiltonit dhe mprehtësisë së Kantit, një dritare e re ishte hapur për historinë. Por, dihet që historia ecën ngadalë, ndonjëherë me rrëzime dramatikë dhe sot, në Europë, ndodhemi sërish përpara një problemi që Amerika e ka zgjidhur dy shekuj më parë.

Giovanni Vigo

Leave a Reply

Back to top button