Ekonomi

Historitë paralele të Athinës dhe Dublinit. Një leksion i pakëndshëm

Ajo që po i ndodh Athinës – paaftësia për të modernizuar vendin – është tregues i një rreziku më të madh për Europën: i asaj që ndodh, kur një lëvizje populiste siguron mbështetje, e cila i lejon të influencojë zgjedhjet politike, apo edhe të marrë pushtetin. Ajo që bashkon Syrizan me partitë populiste që i afrohen pushtetit në Spanjë, Francë, Finlandë apo Holandë, është se, në dallim nga partitë e konsoliduara, këto nuk kanë pothuajse asgjë për të humbur, nëse kur të jenë në qeverisje, dështojnë: maksimumi do të kthehen atje ku ishin, në opozitë, apo drejt hiçit

Screen Shot 2015-05-30 at 23.53.03

Danilo Taino

Kriza greke po provokon një shtrembërim optik, pothuajse psikedelik, në shumë pjesë të Europës. Hedh rrënjë ideja që politikat e adoptuara për t’iu përgjigjur krizës që shpërtheu në Athinë në vitin 2010, e që vazhdoi në vende të tjerë, kanë dështuar tërësisht. Eshtë një bindje kjo, e cila qëndron në themel të propagandës së të gjithë partive të ashtuquajtura populiste – në të majtë e në të djathtë – që kohët e fundit kanë rregjistruar fitore elektorale, dhe në rastin e Greqisë, kanë marrë pushtetin. Kush kujton situatën në tregjet dhe në ekonomitë e Europës në vitet dramatikë 2011 dhe 2012, nuk mund të mos shohë një realitet të ndryshëm. Si dhe të vendosë transformimin e krizës, nga financiare në politike, në një perspektivë të ndryshme.

BKT Reklama

Vendet që iu nënshtruan një programi formal shpëtimi – Greqia, Irlanda, Portugalia – apo programi ndihmash për vështirësitë e sistemit bankar – Spanja – kanë adoptuar të gjithë këshillat e trojkës, e formuar nga BE, BQE dhe FMN: një kombinim i reformave strukturore dhe shëndoshjesh së bilanceve publikë, në këmbim të mbështetjes financiare. Rezultati nuk është vetëm fakti që faza më eakute e krizës, e cila në verën e tre viteve më parë ishte ende dramatike, tashmë është një kujtim: merita e qetësimit të tregjeve i shkon ndërhyrjes së famshme të Mario Draghit, në të cilën presidenti i Bankës Qendrore Europiane siguroi që Euro nuk do të dështonte. Ashtu sikurse edhe ekonomitë që i nënshtroheshin “kurës”, e cila nuk ka qenë thjeshtë rreptësi fiskale, po e rimarrin veten.

Komisioni Europian parashikon që Irlanda do të rritet këtë vit me 3.6%, pasi u rrit me 4.8% në vitin 2014: me një papunësi të parashikuar në nivelin 9.2% në vitin 2016, nga një nivel 13.1% që ishte dy vjet më parë. Ekonomia e Portugalisë është rikthyer në pozitive: më shumë se 0.9% në vitin 2014, dhe këtë vit do të arrijë 1.6%, me papunësinë që bie me tre pikë, në krahasim me 16.4% që ishte në 2013-ën. Si Dublini, edhe Lisbona, që në kulmin e krizës nuk mundeshin të tërhiqnin para prej investitorëve, janë rikthyer në tregje dhe kanë dalë prej programit të ndihmave. Spanja këtë vit do të rritet me 2.8% dhe të papunët – një problem strukturor i vjetër për spanjollët – do të bien me pothuajse 4 pikë në krahasim me 26% që ishte dy vjet më parë papunësia. Vitin e kaluar parashikohej që edhe vetë Greqia do të rritej me 2.9% në vitin 2015, me papunësinë e cila kish nisur të binte që në vitin 2014, në krahasim me 27.5% që ishte në 2013. 12 muaj më parë, Athina ia kish dalë në mënyrë të jashtëzakonshme që të rikthehej në tregje dhe të siguronte para, qoftë si shtet sovran, qoftë përmes bankave të saj. Nëse, pas fitores në zgjedhje në 25 janar të këtij viti, Syriza do të kish bërë ndonjë reformë të majtë – të detyronte evazorët e mëdhenj fiskal që të paguanin taksat, të merrte ndonjë masë për lehtësimin e krijimit të vendeve të punës – sot, udhëheqësi i saj, Alexis Tsipras do të ishte Kryeministri i rimëkëmbjes dhe i rikthimit të Greqisë në ekonomitë europiane dhe globale. Por, në vend të kësaj, ai rrezikon kaosin.

Ajo që po i ndodh Athinës – paaftësia për të modernizuar vendin – është tregues i një rreziku më të madh për Europën: i asaj që ndodh, kur një lëvizje populiste siguron mbështetje, e cila i lejon të influencojë zgjedhjet politike, apo edhe të marrë pushtetin.

Ajo që bashkon Syrizan me partitë populiste që i afrohen pushtetit në Spanjë, Francë, Finlandë apo Holandë, është se, në dallim nga partitë e konsoliduara, këto nuk kanë pothuajse asgjë për të humbur, nëse kur të jenë në qeverisje, dështojnë: maksimumi do të kthehen atje ku ishin, në opozitë, apo drejt hiçit. Kanë lindur pa amigdalë, ajo pjesë e trurit që është përgjegjëse për frikën: mund të luajnë me fatin, sepse nuk rrezikojnë që të paguajnë pasojat e veprimeve të tyre. Për këtë arsye, në përgjithësi, kanë programe qeverisës psikedelikë por jo të besueshëm, të paaftë të përballen me realitetin dhe ta ndryshojnë.

Jo se në Europë gjërat shkojnë mirë. Më e keqja e krizës ekonomike ndoshta ka kaluar, por problemet mbeten: rritja është e ulët, produktiviteti nuk përmirësohet, shoqëria plaket, inovacioni vuan, papunësia mbetet e lartë. Recesioni i madh ka lënë plagë që do të duhen vite të shërohen.

Kështu që, është e kuptueshme që në shumë shtete, qytetarët të shprehin vota proteste. Por, përgjigjet ndaj këtij kalimi të vështirë dihen: reforma kombëtare për të bërë ekonomitë dinamike dhe prodhuese pasurie, dhe reforma të BE. Sa për populizmat: testi i tyre i acidit po kryhet këto orë, në Athinë.

Corriere della Sera – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button