Analiza

Horizonti është i zymtë, për marrëdhënien transatlantike

Erik Brattberg

Kryeqytetet evropiane do të përballen me disa beteja të mëdha të politikës së jashtme me Uashingtonin gjatë muajve të ardhshëm, të cilat mund të dëmtojnë një marrëdhënie tashmë të brishtë transatlantike.

Urtësia konvencionale thoshte se pas zgjedhjeve të Gjermanisë, Angela Merkel do të rivalizonte për të rregulluar projektin evropian së bashku me homologun e saj francez, Emmanuel Macron. Kancelarja gjermane do të vazhdonte të mbronte rendin ndërkombëtar liberal, nga udhëheqja e çoroditur e Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Ajo ende mundet. Por dinamika në Evropë ka ndryshuar. Fjalimi i fundit i Presidentit Macron në Sorbonne parashtroi një axhendë ambicioze të reformave të BE-së. Kjo rrezikon ta lërë Berlini – i shqetësuar tashmë me politikën e brendshme – në vendin e të dytit që vjen pas.

Macron ka nevojë për Merkelin më shumë se kurrë, për të realizuar axhendën e tij. Fokusi i presidentit francez është të bëjë Evropën të fortë, konkurruese, ambicioze dhe të aftë për t’u përballur me sfidat e mëdha globale, që burojnë nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Por kjo ka pasoja për marrëdhëniet transatlantike.

Ja pse.

Kryeqytetet evropiane do të përballen me disa beteja të mëdha të politikës së jashtme me Uashingtonin gjatë muajve të ardhshëm, gjë që mund të minojë një marrëdhënie transatlantike, tashmë të brishtë.

E para është Afganistani. Administrata e Trumpit është duke u përgatitur për një shtim të trupave në vend. Megjithëse presidenti i SHBA fillimisht ishte kundër idesë së një angazhimi më të madh ushtarak në rajon, atij ia ndërruan mendjen këshilltarët e tij ushtarakë. Kur shpalli planet e tij në gusht, Presidenti Trump bëri të qartë se ai gjithashtu pret kontribute nga NATO.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili kohët e fundit u takua me zyrtarët afganë gjatë një vizite në Kabul, tha se Evropa ka një interes në stabilizimin e Afganistanit dhe premtoi të ndihmojë. Megjithatë, oreksi publik në Evropë për të rritur kontributin e vet në këtë përpjekje, është në rastin më të mirë, i vakët.

Në Gjermani, ku do të fillojnë bisedimet e koalicionit qeveritar, aleatët e rinj të Merkelit (Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë, një parti pro biznesit) janë skeptikë rreth mbështetjes së një përpjekjeje të tillë në Afganistan. Duke pasur parasysh se Trump i sheh këto kontribute si pjesë e ndarjes së barrës transatlantike, nëse Evropa nuk ofron trupa shtesë, atëherë do të intensifikohej debati për shpenzimet e mbrojtjes.

Beteja e dytë është Irani. Uashingtoni është duke u përgatitur për të marrë një vendim, nëse duhet të heqë dorë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Gjatë fjalës së tij në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trumpi i referohej marrëveshjes bërthamore si një gjë “sikletosëse për Shtetet e Bashkuara”. Çështja më urgjente është, nëse presidenti amerikan do të riçertifikojë pajtueshmërinë e Iranit me Planin e Përbashkët të Veprimit, një vendim që duhet të merret deri më 15 tetor.

Një dështim në ripërsëritjen e marrëveshjes mund të hapë rrugën jo vetëm për sanksione njëpalëshe të SHBA, por gjithashtu mund të detyrojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që të rivendosë sanksionet shumëpalëshe, të cilat u hoqën në kuadër të marrëveshjes. Kjo do t’i vendoste aleatët evropianë në një situatë të tmerrshme, ku në thelb do t’u duhet të zgjedhin mes sfidës ndaj Shteteve të Bashkuara, ose sfidës ndaj Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, edhe nëse Shtëpia e Bardhë nuk largohet nga marrëveshja këtë herë, presioni ndaj aleatëve evropianë për ta rinegociuar do të vazhdonte të shtohej.

Gjermania, e cila ashtu si pjesa tjetër e Evropës dëshiron të ruajë marrëveshjen aktuale dhe është e gatshme të luftojë fort për ta bërë këtë, e di se një përplasje transatlantike për Iranin, mund të jetë e pashmangshme. Nëse ndodh, do të ishte shumë e madhe, aq sa do të eklipsonte edhe pasojat e vendimit të Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja e klimës e Parisit. Për më tepër, arsyetimi i SHBA për pushtimin e Irakut në vitin 2003 e ndau Perëndimin, dhe u deshën vite të tëra që marrëdhëniet të riktheheshin atje ku ishin më parë. Një ndarje mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me Iranin, nuk duhet të nënvlerësohen.

Beteja e tretë është Koreja e Veriut. Shtetet e Bashkuara janë po afrohen gjithnjë e më shumë një konfrontimi me regjimin e Kimit. Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të Shtatorit, Trump kërcënoi “të shkatërrojë totalisht” Korenë e Veriut, nëse vazhdon të zhvillojë armë bërthamore dhe raketa balistike. Ndërsa një konfrontim i drejtpërdrejtë ushtarak nuk është i afërt, retorika e ashpër nga Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, rrit rrezikun e incidenteve dhe aksidenteve, duke ndikuar dukshëm në sigurinë globale.

Merkeli dhe udhëheqësit e tjerë evropianë kanë qenë kritikë ndaj retorikës së Trumpit, por në të njëjtën kohë ata mbështesin sanksione më të ashpra kundër Penianit. Ndërkohë që, gati gjysma e amerikanëve mbështesin aksionin ushtarak kundër Koresë së Veriut për t’i dhënë fund programit të saj bërthamor, reagimi nga Evropa nëse aksioni ushtarak do të fillonte, do të ishte jashtëzakonisht negativ. Ndërsa kërcënimi për sigurinë ndaj Evropës nuk është aq i madh sa është për Shtetet e Bashkuara, ai gjithësesi nuk është i papërfillshëm. Raketat e Koresë së Veriut mund të arrijnë në anën tjetër të Atlantikut, për të mos përmendur se çfarë do të ndodhte me Korenë e Jugut.

Oferta e Merkelit për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës nuk ka të ngjarë të sjellë gjë. Fakti është se përkundër përpjekjeve dhe pozicionit të saj Evropa, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, nuk është perceptuar si një lojtar strategjik në Azi dhe Paqësor, dhe prandaj ka ndikim të kufizuar.

E sikur të mos mjaftonin këto që u thanë më lart, për të testuar marrëdhënien transatlantike, po shfaqen edhe probleme të tjera: si të përballojnë situatën në Sirinë e pas ISIS-it; se si sanksionet e reja SHBA-Rusi mund të kenë impakt mbi kompanitë evropiane të energjisë dhe Procesin e Minskut në Ukrainë; dhe potencialin për një luftë tregtare midis SHBA dhe Evropës.

Në fund të fundit, marrëdhënia transatlantike do të testohen ashpër në muajt e ardhshëm.

Merkel-Macron ka potencial për të forcuar Evropën, e cila deri më tani është hedhur nga kriza në krizë (marrëdhënia transatlantike është bërë pothuajse një çështje e dorës së dytë). Megjithatë, përplasja potenciale e Evropës me Shtetet e Bashkuara, mbi çështjet e jashtme të tilla si Irani, Afganistani, Koreja e Veriut dhe Lindja e Mesme, kërkojnë vëmendje të menjëhershme dhe mendime largpamëse, qofshin ato të iniciuara nga Berlini, Parisi apo Uashingtoni. Një gjë është e sigurt, megjithatë, transatlanticizmi tradicional është në udhëkryq. Është koha për të bërë pyetje të vështira, për drejtimin e tij të ardhshëm. / Carnegie Europe – Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button