Analiza

I dashur armik! Epoka e rivalitetit dhe konkurrencës mes fuqive të mëdha, është rikthyer

Nga Jakub Gryiel

Epoka e rivalitetit dhe konkurrencës mes fuqive të mëdha, është rikthyer. Tani e njohim, siç thuhet qartë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2017, se Shtetet e Bashkuara përballen me konkurrentë dhe rivalë, dhe se bota nuk është drejt një rruge të pashmangshme drejt harmonisë. SHBA-ja ka armiq të llojeve të ndryshme përgjatë një kufiri të gjatë, dhe dekadat e ardhshme do të kërkojnë shumë nga qytetarët amerikanë dhe aleatët, nëse duan të ruajnë ekuilibrin politik që garanton lirinë e tyre.

Megjithatë, ekzistenca e armiqve, nuk duhet të jetë një arsye për t’u dëshpëruar. Prania e tyre nuk është një anomali, por një konstante gjatë gjithë historisë; armiqtë dhe rivalët nuk do të zhduken asnjëherë. Mposhtja e një armiku, ka të ngjarë të shkaktojë ngritjen e një fuqie tjetër të ndryshme, por jo më pak të rrezikshme.

Pavarësisht përpjekjeve tona të mëdha, për të jetuar në një marrëdhënie harmonike me të tjerët, armiqtë janë një realitet i pashmangshëm dhe i qëndrueshëm i jetës politike. Çështja është se çfarë duhet të bëjmë për ta. Të konkurrojmë me ta dhe t’i mposhtim? Po, natyrisht. Por edhe para se të bëjmë këtë, ndoshta edhe mund të përfitojmë prej tyre.

Kjo është ajo që na sugjeron Plutarku në një ese të shkurtër me titull “Si të përfitojmë nga armiqtë e dikujt”. Plutarku e pranon se armiqtë, do të ekzistojnë gjithmonë për dy arsye. Së pari, rivalitetet lindin për shkak të impulsit të njeriut, që na shtyn të dëshirojmë atë që nuk e kemi, çka na çon në një përplasje me të tjerët. Prandaj është naive të presësh që armiqësia të shuhet, dhe harmonia e miqësisë të përhapet në të gjithë botën.

Arsyeja e dytë e pranisë së vazhdueshme të armiqve, është kërkimi i lavdërueshëm dhe i domosdoshëm për miq. Sipas tij çdo miqësi, na përfshin domosdoshmëri në një armiqësi. Me fjalë të tjera, armiku i aleatit tonë nuk është domosdoshmërisht armiku ynë – ose të paktën, nuk duhet të jetë.

Një pasojë logjike e këtij arsyetimi është se shoqëritë ose aleancat janë të rrezikshme, pasi krijojnë armiq që mund të mos i kishe më parë. Por argumenti i Plutarkut, është se si armiqtë janë gjithmonë të pranishëm, pranaj është edhe domosdoshmëria e miqve. Ne kërkojmë aleatë për të balancuar rivalët ekzistues, por gjithashtu për të përmirësuar mirëqenien tonë.

Plutarku sugjeron tri dobi nga të pasurit e një armiku:

Së pari, ekzistenca e armiqve është një nxitje për qeverisje të mirë. Sapo e pranojmë se ekziston një armik i veçantë, ne kemi stimujt të modifikojmë pikëpamjen tonë për të ardhmen, mënyrën se si po përgatitemi për atë, dhe sesi e organizojmë veten. Armiku na vëzhgon vazhdimisht, duke kërkuar pikat tona të dobëta për të minuar sigurinë, mirëqenien ose reputacionin tonë.

Dhe prania e një rivali që na vështron pa pushim, duke synuar të na dëmtojë përmes gabimeve tona, është një nxitje për t’u përmirësuar. Së dyti armiqtë na nxisin të jemi më të koordinuar dhe më efikasë. Njerëzit që janë të angazhuar në një konkurrencë me të tjerët, kërkojnë liderë politikë më efektivë, regjime politike më efikase, dhe në përgjithësi përpiqen të përmirësojnë aftësitë e tyre.

Armiku siguron një parim organizues për strategjinë tonë. Pa armiq, udhëheqja shtetërore dhe institucionet bëhen të pakujdesshme në sjelljen e tyre, pasi ekziston një rrezik i kufizuar për keqmenaxhim, për një vendim të gabuar apo edhe për një strategji të keq-menduar.

Mungesa e një armiku, që përpiqet të shfrytëzojë dobësitë tona për dobinë e tij, dhe për dëmin tonë, është diçka fatlume dhe e rrezikshme në të njëjtën kohë. Rreziku i mungesës së armikut, është se bëhet më e vështirë të mendosh në mënyrë strategjike. Politikat bëhen agjenda, dhe jo strategji.

Një rrezik shtesë nga mos-pasja e armiqve, është një shkëputje e institucioneve dhe individëve të ndryshëm brenda një shteti. Në mungesë të parimit organizues që imponon prezenca e qartë e një armiku, interesat burokratikë të ngushta dhe synimi i individëve për prestigj, dominojnë mbi  motivet kryesore të institucioneve dhe udhëheqësve shtetërorë.

Së treti prania e armiqve çliron presionin. Armiku, shërben si një valvul për të liruar pasionet që ndryshe mund të krijojnë mosmarrëveshje midis miqve. Anasjelltas, mungesa e armiqve të jashtëm – ose më keq, besimi naiv se nuk ka armiq – është e rrezikshme, sepse motivon  interesat dhe agjendat e ndryshme të udhëheqësve të ndryshëm dhe grupeve politike brenda shtetit.

Plutarku, e përfundon esenë e tij me këshilla të shkurtra se çfarë duhet të studiohet tek një armik. Sipas tij, janë të rëndësishme 4 variabla:”jeta, karakteri, fjalët dhe veprat”. Interesant është fakti që ai nuk përfshin në këtë listë fuqinë dhe burimet e armikut. Ai nuk i përjashton ata, dhe në fakt suksesi i armikut (ose i vetes) vjen nga “përkulja e të gjitha energjive” në drejtimin e zgjedhur. Por duke vëzhguar aftësitë, mund të humbasim natyrën dhe qëllimin e armikut; ne fokusohemi tek ajo që ai ka, në krahasim me atë se kush është ai.

Ne i kaluam dekadat e fundit, në një mungesë sigurie të paqëndrueshme të realiteteve të qëndrueshme të politikës ndërkombëtare. Besuam se fuqia progresive e globalizimit, do t’i kthente në mënyrë të pashmangshme armiqtë dhe rivalët tanë në miq dhe partnerë – dhe sovraniteti kombëtar dhe qytetaria, do të ngriheshin në një komunitet global dhe qytetar global.

Ky besim qe i gabuar, dhe ngadalë po vetëdijësohemi mbi faktin se armiqtë, nga Kina në Rusi dhe Iran, i kanë kaluar këto vite duke planifikuar se si të shkatërrojnë rendin ndërkombëtar që

ne ndërtojmë dhe ruajmë.

Ne duhet të konkurrojmë me ta, t’i pengojmë nga lëvizjet e mëtejshme agresive, dhe ta ruajmë lirinë në shtëpi, e cila na jep arsye për t’iu kundërvënë atyre. Dhe mbi të gjitha, siç tha Plutarku, mund t’i kthejmë këta armiq në dobinë tonë, duke forcuar rendin tonë politik, të bazuar në njohjen e të vërtetave vetjake, që janë të pavarura nga moda dominuese e kohës. Nëse mund ta bëjmë këtë, kjo mbetet të shihet.

Shënim: Jakub Grygiel, është politolog në Universitetin Katolik të Amerikës në Uashington. Vitin e kaluar, ai shërbeu në Administratën Trump si këshilltar në stafin e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit. Libri i tij më i fundit, titullohet “Rikthimi i barbarëve”.

Burimi: “American Interest”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button