Analiza

I ri, hispanik dhe i djathtë. Rubio: Jam unë sfidanti real i Hilarisë

43-vjeçari, djalë i emigrantëve të vjetër kubanë, shpalli kandidaturën për në Shtëpinë e Bardhë. “Klinton është e shkuara” – shprehet ai. Deri tani janë 5 pretendentë për nominimin republikan

Screen Shot 2015-04-17 at 11.22.48 PM

Me hyrjen në garë të Marko Rubios, në më pak se 24 orë nga shpallja e kandidaturës së Hilari Klintonit, fushata presidenciale për në Shtëpinë e Bardhë, hyri në fazën e saj më interesante. Po shijojmë vetëm pak, nga ajo që mund të ndodhë në skenën e politikës së brendshme të Shteteve të Bashkuara, për një vit e gjysmë deri në zhvillimin e zgjedhjeve, kur vendi do të mbyllë kapitullin e gjatë të epokës Obama, drejt një të ardhshme, rezultatet e së cilës janë ende të pasigurta. Në krahut demokrat në Potomak, nuk duket se ka garë, me Hilari Klintonin fituese në sondazhe, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së konkurrentëve në gjirin e partisë. Ata që do t’ia bëjnë jetën të vështirë ish-zonjës së parë, do të jenë kësisoj republikanët, që nga ana e tyre janë të angazhuar në një betejë të ethshme të brendshme, me një përfundim edhe më të pasigurtë. Edhe pse zyrtarizimi i kandidatëve nuk ka përfunduar ende, në Grand Old Party janë 5 kandidatë të fortë. Midis tyre është Marko Rubio, i biri i një baristi të emigruar nga Kuba, protagonist i një “ëndrre amerikane”. Ai ka disa pika të forta, mbi të gjitha gëzon simpatinë e hispanikëve. Pardje, me qindra prej tyre mbushën sheshin pranë Kullës së Lirisë në Majemi, për të dëgjuar fjalimin e tij. Nuk mund të injorohet pastaj avantazh i tij i moshës, është vetëm 43-vjeç. Rubio duket tamam si lideri i një gjenerate të re, e cila i kundërvihet dinastive politike dhe qendrave të pushtetit, që për dekada me radhë kanë vendosur mbi fatet e Amerikës.

Beteja kundër Xheb Bushit

Fjalimi i tij i parë pati kritika jo vetëm kundër 67 vjeçares Hilari Klinton, por edhe ndaj republikanit Xheb Bush. “Partia Republikane – tha ai – për herë të parë prej një kohë të gjatë, ka mundësinë ta paraqesë veten si partia e së ardhmes”. Në javët e ardhshme pritet futja në garë e Bushit të ri, djalit dhe vëllait të  2 ish-presidentëve, që si ish-guvernator i Floridës ka qenë një këshilltar i të njëjtit Rubio. Bush është parë nga shumë njerëz, duke përfshirë edhe sondazhet, si më i preferuari midis kundërshtarëve potencialë të Hilari Klintonit, edhe pse mbiemri i tij është një garanci për popullaritet dhe financime. Por vëllai i Xhorxh W. Bushit duhet të përballojë jo pak sfida, veçanërisht nga baza konservatore e partisë, që e sheh atë si një republikan shumë të moderuar, me pozita të “diskutueshme” në çështje të tilla si arsimi dhe reforma e emigracionit. Edhe ai gjithashtu përpiqet të fitojë mbështetjen e “Latinëve”, aq sa në vitin 2009, në një formular rregjistrimi zgjedhor, shënoi termin “hispanik”, për të përcaktuar origjinën e vet.

“Krijesa” e Tea Party

Ai që po kryeson kryqëzatën anti-Bush është senatori i teksasit Ted Kruz, kampion i vlerave fetare, aq sa njoftoi kandidimin e tij në kampusin universitar ungjillor më të madh në botë. Ai adhurohet nga “Tea Party” dhe origjina hispanike dhe mosha e tij e re, 44 vjeç, e bëjnë atë një kandidat ambicioz. Pak ditë më parë zyrtarizoi kandidaturën e tij edhe Rand Pol, senatori nga Kentaki, liberali republikan që predikon një rikthim në doktrinën izolacioniste në raport me politikën e jashtme, ndërsa është edhe një kritik i pamëshirëshëm i Rezervës Federale. Pesëshja e sfiduesve republikanë mbyllet me Skot Uokerin, Guvernatorin e Uiskonsin, 47-vjeçar, armik i betuar i sindikatave, kundër të cilave luftoi në vitin 2011, gjatë garës së tij për drejtimin e shtetit. Për shumë vetë ai cilësohet si një garues i vijës së parë të frontit, edhe pse vëzhguesit druhen se mund të humbë pikë gjatë debateve televizive, sidomos për çështjet e politikës së jashtme. Kjo është ndoshta arsyeja pse ai do të shkojë në Izrael në muajin maj, për të takuar Netanjahun e për të patur një marrëdhënie të privilegjuar me aleatin historik të SHBA, një pikë e fortë e fushatës së tij./IlFatto/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button