Analiza

Identikiti i xhihadistit

Nga Farhad Kosrokavar

Ata nuk urrejnë shoqërinë dhe as e kanë të brendësuar stigmën, e cila ka shtypur të rinjtë e periferive. Atëherë përse e bëjnë këtë ? Sepse janë e kundërta e djemve të brezit të ’68-ës. Asokohe të rinjtë, kërkuan shtimin e kënaqësive seksuale, ndërsa këta njerëz përpiqen të kufizojnë dëshirat dhe t’u imponohen të tjerëve, përmes përpektivës së një islami që është i papajtueshëm me liritë, në një kohë që pretendohet se kufizime të tilla të fisnikërojnë

identikit

Sulmi mbi “Charlie Hebdo” ka tronditur Francën, duke e prekur thellë në identitetin e saj të barrikadave dhe lirisë së shprehjes. Përsa i përket nivelit të mizorisë, aktet e fundit në Paris kanë tejkaluar të gjitha atentatet e tjera, të kryera në 20 vitet e fundit në këtë vend.
Atentatet e kryera nga “terroristët vendas”, që janë lindur dhe rritur në Francë, filluan me Kaled Kelkalin në vitin në 1995. Në verën e atij viti, pati një seri sulmesh që shkaktuan në total 8 të vdekur dhe 148 të plagosur. Viktimat ishin zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Më pas sulmet terroriste, filluan të përcaktonin shënjestra konkrete. Në vitin 2012, Muhamed Mera vrau 7 persona, duke përfshirë 3 ushtarë dhe 4 hebrenj, ndërsa plagosi 6 të tjerë. Ndërkaq në 24 maj të vitit të shkuar, Medi Nemush vrau 4 persona në Muzeun Hebraik të Brukselit. Së fundmi, dy vëllezërit Sherif dhe Said Kuashi vranë 12 persona, përfshirë gazetarët e së përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, të ndërgjegjshëm se kishin përdhosur me karikaturat e tyre profetin e Islamit. Më shumë se gjithë të tjerët, veçanërisht 3 kategori njerëzish, janë në shënjestër: ushtarakët e policët (sidomos myslimanë), hebrenjtë dhe gazetarët.
Cilat janë elementet e përbashkta të këtyre akteve? Ja një identikit i një xhihadisti vendas: thuajse përherë bëhet për të rinj me një të kaluar kriminale që kanë mbi supe vepra penale për vjedhje apo trafik droge. Pothuajse të gjithë kanë qenë në burg, dhe më parë nuk kanë qenë myslimanë praktikantë.
Pastaj, ata u bënë myslimanë të rilindur, përmes rizbulimit të rrënjëve të tyre apo  xhihadistë të konvertuar, nën ndikimine e ndonjë mësuesi të fesë, të miqve apo për shkak të asaj që kanë lexuar në internet.
Gjithësecili prej tyre, ka ndërmarrë si fillim një udhëtim në një nga vendet e Lindjes së Mesme apo në zonat e luftës (Irak, Siri, Afganistan, Pakistan). Pra krimi, burgu, udhëtimi fillestar dhe islamizimi radikal, janë 4 elementet karakteristike.
Personaliteti i tyre, është shenjuar nga urrejtja përkundrejt shoqërisë, nga përjashtimi social, nga jeta e kaluar në periferi dhe nga antagonizmi kundër “të integruarëve”, qofshin atë francezë safi apo ata me origjinë afrikano-veriore.
Për xhihadistët, getot shndërrohen në një burg të brendshëm, ku rrugëdalja e vetme u duket se është shndërrimi i përbuzjes që ushqejnë për vetveten, në urrejtje kundër të tjerëve.
Ata duan ta kanalizojnë revoltën e tyre me tepër tek aksione negative, sesa të denoncojnë racizimin.
Disa prej tyre, arrijnë të kapërcejnë përjashtimin dhe t’i bashkohen klasës së mesme. Por ata që vuajnë nga një formë intensive e viktimizimit dhe mendojnë se rrugët për t’u evituar përjashtimi social janë mbyllur, urrejtja kthehet në një krim për t’u dukur dhe në disa raste një xhihadizëm, që dëshiron të shenjtërojë zemërimin dhe t’i japë një kuptim fetar së keqes.
Krahasimi me vitin 1968
Një identitet në konflikt me të tjerët, përpiqet që të hakmerret për palumturinë e vet, duke sulmuar një shoqëri, që cilësohet fajtore në tërësinë e saj, pa përjashtim sipas zhargonit xhihadist, një shoqëri heretike dhe e degjeneruar.
Sipas tyre është pra e domosdoshme ta rrënojmë këtë shoqëri, madje edhe me koston e humbjes së jetës si martirë të një kauze të shenjtë. Udhëtimi fillestar forcon gjithashtu  identitetin e ri të të riut xhihadist, duke e rilidhur me shoqëritë muslimane, me të cilat megjithatë nuk ndan as zakonet dhe nuk flet gjuhën e tyre.
Gjithësesi ai ka vetëm nevojë të iluzionohet se po qëndron në anën e vendit dhe njerëzve të tij. Islami xhihadist i ofron statusin e një heroi negativ dhe ai e mishëron atë duke qenë një muxhahedin (luftëtar) i atij besimi, për të cilin është një mbrojtës i vetëshpallur.
Ai do të vrasë, terrorizojë, do të urrehet për këtë si dhe do të jetë krenar për statusin e ri të fituar, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe lënë pas të qënit anonim. Tashmë ai është “dikush” dhe ka arritur ta zëvendësojë përbuzjen në sytë e të bardhëve me frikën nga vdekja.
Është i gatshëm të vdesë dhe të vrasë, ndërsa të tjerët kanë frikë për jetën e tyre, kështu që ai ndodhen në një pozitë të fortë superioriteti. Të tjerët, ia njohin këtë veti, duke e shenjtëruar për ditë me radhë dominimin që ai gëzon tek mjetet e informimit publik.
Nga viti 2013, pas shpërthimit të luftës civile në Siri, këtij modelit klasik i kundërvihet një tjetër: fëmijët e klasës së mesme, të konvertuarit thuajse në të gjitha fetë, të krishterët, hebrenjtë, budistët, por edhe vajzat që i bashkohen në masë mbështetësve të tjerë, duke përforcuar më tej xhihadin.
Ata nuk urrejnë shoqërinë dhe as e kanë të brendësuar stigmën, e cila ka shtypur të rinjtë e periferive. Atëherë përse e bëjnë këtë ? Sepse janë e kundërta e djemve të brezit të ’68-ës.
Asokohe të rinjtë, kërkuan shtimin e kënaqësive seksuale, ndërsa këta njerëz përpiqen të kufizojnë dëshirat dhe t’u imponohen të tjerëve, përmes përpektivës së një islami që është i papajtueshëm me liritë, në një kohë që pretendohet se kufizime të tilla të fisnikërojnë.
Në vitin 1968, kërkohej çlirimi nga kufizimet dhe hierarkitë e vendosura me kohë, kufizime këto që reklamohen me forcë, madje kërkohen ligje që kanë një karakter të shenjtë. Në vitin ’68 kishte anarki dhe urrehej pushteti patriarkal, ndërsa sot ka një shoqëri të zbrazur nga parimet dhe islami radikal që ndan rolin e gruas nga i burrit, rehabiliton imazhin e shtrembëruar të patriarkatit të shenjtëruar, sipas referencave ndaj Zotit.
Gjashtëdhjetë e teta ishte festa e pandërprerë dhe lëvizja hipi që donte të ishte vazhdimësia e delirit dhe udhëtimeve ekzotike deri në Katmandus ose në një Afganistan ende të lirë nga ndikimi i xhihadizmit.
Sot udhëtimi fillestar përfaqëson një kërkim të pastërtisë përballë vdekjes në emër të martirizimit. Çlirimi i grave ka qenë një pjesë përbërëse e asaj periudhe. Sot vajzat duan të gjejnë dashurinë e tyre mes atyre që pranojnë të vdesin. Dhe gjatë nënshtrimit ndaj provës së martirizimit, zbulohet një sinqeritet që dëshmon seriozitetin e tyre në sytë e atij feminiliteti islamik që pretendon se mishërohet.
Krahas gjithë kësaj, kërkohet drejtësi për Sirinë, ku një regjim i përgjakshëm ka vrarë mbi 200 mijë njerëz, dhe ka detyruar miliona të tjerë të arratisen.
Do të jetë e nevojshme të shpiket një model i ri, për të qëndruar së bashku, për të mbrojtur idealin e lirisë, që për ne është shumë i shtrenjtë. Reagimi spontan i qindra e mijëra qytetarëve, pas sulmit në redaksinë e “Charlie Hebdo”, lë të kuptohet fillimin e një zgjidhjeje në nivelin e lartësimit të vlerave kolektive, të konsideruara të shenjta.
Këto vlera, i shpëtojnë nihilizmit të profetëve të dështuar, qoftë xhihadistë apo  intelektualë të rrënuar dhe që premtojnë vdekjen e republikës apo shekullarizmin e qenies njerëzore. /LE MONDE/
* Shënim: Farhad Khosrokhavar është një sociolog franko-iranian. Profesor në “Ecole des Hautes Etudes en Sciences Sociales” në Paris, merret me botën arabe, fondamentalizmin islamik dhe lëvizjet sociale në Iran. Libri i tij i fundit titullohet “Radikalizmi”./”Le Monde”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button