Analiza

Idiotët e dobishëm të Vladimir Putinit

Slawomir Sierakowski*

idiotwt e dobishwmPrej kohësh, intelektualët perëndimorë e kanë patur si “pikë të dobët” Rusinë. Volteri, mësuesi francez i tolerancës dhe një mik i madh i Katerinës së Madhe, thoshte se me kënaqësi do të shkonte të vendosej në Rusi, por vetëm nëse kryeqyteti i saj do të ishte Kievi, dhe jo Shën Petërsburgu i akullt. Johann Gottfried von Herderi, filozofi gjerman i nacionalizmit të iluminuar, ëndërronte të siguronte lavdinë tokësore si “Luteri dhe Soloni i ri” për një Ukrainë ende të paprishur, që ai do ta transformonte në një “Greqi të re” brenda perandorisë ruse.

Dhe në shekullin e fundit, intelektualë si Andre Gide, Pablo Neruda dhe Jean-Paul Sartre, të gjithë u shastisën pas Bashkimit Sovjetik – ata pra që Lenini i quante “idiotë të dobishëm” – duke kërkuar falje për monstruozitetet atje, shumë kohë pasi pjesa tjetër e botës do të njihej me to.

Për ata në Europën Lindore – përfshirë dhe mua vetë – që e njohin mirë Rusinë, një naivitet i tillë ka qenë prej kohësh burim zhgënjimi dhe hidhërimi. E megjithatë vazhdon edhe sot, teksa shumë intelektualë amerikanë dhe europiano-perëndimorë bëjnë të pamundurën për të minimizuar agresionin e rrezikshëm të Vladimir V. Putinit.

Në revisten “The Nation”, studiuesi i Rusisë, Stephen F. Cohen argumentonte se Putini ishte në pjesën më të madhe i pafaj për konfliktin në Ukrainë, që ai ishte përpjekur ta shmangte, por Perëndimi e kishte detyruar. Në sytë e Cohenit, Perëndimi e ka poshtëruar në mënyrë të panevojshme Rusinë, duke ftuar vende si Polonia, Republika Ceke dhe Hungaria që të hyjnë në NATO.

Ukraina, shkruante ai, është pjesë e sferës së influencës të Rusisë, kështu që përse të mos pranojmë propozimin e Putinit që Ukraina të federalizohet, me neutralitetin të garantuar prej një kushtetute të re?

Mbrojtja që Coheni i bënë sferës së influencës të Rusisë nuk merr parasysh pyetjen, nëse vendet që bien brenda saj janë aty se kanë zgjedhur, apo sepse janë detyruar me forcë. Ukraina është e gatshme të jetë në sferën perëndimore të influencës sepse merr mbështetje për shoqërinë civile, ekonominë dhe mbrojtjen kombëtare – dhe Rusia nuk bën asgjë të tillë.

Nuk është se Coheni dhe të tjerët thjeshtë mbrojnë Rusinë. Ata sulmojnë aktivistët prodemokracisë në Ukrainë. Një tjetër mendimtar amerikan, Max Blumenthal, e pëshkroi lëvizjen e Euromaidanit si “të mbushur me luftëtarë rruge të të djathtës ekstreme, që betoheshin të mbronin pastërtinë etnike të vendit të tyre”.

E vërtetë, në shesh kishte të pranishëm edhe njerëz të tillë, por ata ishin figura të skajshme dhe sloganet për pastërtinë etnike nuk fituan asnjëherë popullaritet. Po, në përgjithësi, Ukraina ka nazistë dhe antisemitë e madje edhe vrasës serialë, pedofilë dhe satanistë. Nuk janë të pranishëm as në numra më të vegjël, as në numra më të mëdhenj se sa në çdo shtet tjetër, madje edhe në shtetin më të maturuar të Europës.

Në një paragraf veçanërisht skandaloz, Blumenthal shkruan se si “politika e hapur naziste” e partisë politike ukrainase Svoboda dhe lideri i saj, Oleg Tyagnibok “nuk penguan senatorin John McCain që t’i drejtohet një mitingu në Euromaidan”, dhe as “parandaloi Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland që të shijonte një takim miqësor me liderin e Svobodës në shkurt”.

Eshtë një shtrembërim i mënyrës se si funksionojnë gjërat. Një sërë politikanësh perëndimorë kanë qenë në Euromaidan, dhe pothuajse të gjithë janë fotografuar me Tyagnibokun. Për mirë apo për keq, Svoboda ka qenë pjesë e koalicionit të partive në lëvizjen e Euromaidanit, dhe ato kanë rënë dakord të mbrojnë njëri-tjetrin. Amerikanët do të vepronin njësoj, në një situatë të ngjashme.

Cuditërisht, intelektualët perëndimorë duken të pashqetësuar nga çdokush që vëren ngjashmërinë mes prononcimeve të tyre dhe propagandës ruse. Ata i shpërfillin këto akuza. Zoltan Grossman, i cili jep mësim në Evergreen State në Olympia, Washington, shkruan se “është e gabuar dhe e papërgjegjshme që të thuash se prania e fashistëve dhe nazistëve në qeverinë e re është thjeshtë propagandë ruse”.

Për Grossmanin, detajet e pavolitshëm janë më pak të rëndësishëm se sa fakti që Dmytro Yarosh, udhëheqësi i organizatës së ekstremit të djathtë, Right Sector, ishte emëruar zëvendës sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes.

Kjo tingëllon ogurzezë, deri kur kupton që Yarosh nuk është formalisht anëtar i qeverisë, dhe që në shkurt ai u takua me ambasadorin e Izraelit në Ukrainë, si dhe ofroi garanci publike që Right Sector ka për qëllim të luftojë çdo rast antisemitizmi, ksenofobie dhe shovinizmi.

Ajo që intelektualët naivë amerikanë e thonë falas, ish kancelari gjerman, Gerhard Schroeder e thotë për 250 mijë euro në vit si anëtar bordi i Gazpromit, gjigandit rus të naftës. Schroederi, babai gjerman i “socializmit të Gazpromit”- një nënspecie e re e liberalizmit të limuzinave – ka futur vazhdimisht në siklet Berlinin, duke mbështetur aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Nuk është i vetëm – një tjetër ish kancelar, Helmut Schmidt i ka thurur elozhe Rusisë kohët e fundit, ashtu si dhe Guenther Verheugen, një ish komisioner i shquar i BE-së.

Cfarë i nxit këta njerëz? A është një rast pacifizmi i menduar keq? Një shpërthim pendese për krime lufte të kryer kundër rusëve shumë kohë më parë? Apo sindroma e Stokholmit, e një viktime që magjepset prej ekzekutorit?

Natyrisht, kanë të drejtë të kenë mendimet e tyre. Por duke folur kështu, ata i bëjnë dëm të madh qeverisë gjermane të pasluftës, e ndërtuar mbi një angazhim për demokracinë dhe vetëvendosjen kombëtare, pra çdo gjë që aktualisht po sulmohet prej Putinit.

Ironia është që duke i qëndruar në krah Rusisë dhe duke treguar me gisht fantazmat fashiste në Ukrainë, intelektualët perëndimorë janë duke u reshtuar jo vetëm me autokratin në Kremlin, por edhe me legjionet e  të djathtës ekstreme në të gjithë Europën që kanë ardhur në mbrojtje të Rusisë, mes tyre Jobbiku në Hungari, Vlaams Belangu në Belgjikë, Partia e Lirisë në Austri, Lega Nordi në Itali dhe Fronti Nacional në Francë. Kush tha që Rusia ka nevojë për propagandë? Ajo i ka tashmë idiotët e dobishëm.

* Slwomir Sierakowski është sociolog, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna dhe drejtor i Institutit për Studime të Përparuar në Varshavë.

Leave a Reply

Back to top button