Urdhri i “Illuminati”-t, një shoqëri apo klan okult gjermano-bavarez, i cili kujdesej për përhapjen e idealeve të tij në vitin 1785, u ndalua vetëm nëntë vite pas themelimit të tij dhe u shkri përfundimisht në vitin 1790.
Ai kishte sipas dokumentacionit historik anëtarë vetëm në Gjermani. Ishin autorët e librave konservatorë ata që e bënë atë përgjegjës fillimisht për shpërthimin e revolucionit në Francë e pastaj në Rusi.
Në vitin 1799 për shembull, predikuesi fetar amerikan, Jedidiah Morse, ishte ai që e përmendi atë për herë të parë në kontekstin e luftës që duhej bërë ndaj fushatës shkatërrimtare të “Fronit e altarit”. Historiania britanike, Nesta Webster, e shihte Anglinë në vitet njëzet, të kërcënuar nga një aleancë shkatërrimtare mes “Illuminati”, hebrenjve e një lëvizjeje pangjermane. Autori “bestseller” amerikan, Dan Braun, nga ana tjetër, nga “Illuminati”, krijon (megjithëse kjo edhe mund të jetë e vërtetë) me fantazinë e tij një shoqëri të fshehtë – ku Da Vinçi na shfaqet si anëtar i këtij urdhri. Një gjë të përbashkët kanë të gjithë autorët me njëri-tjetrin për sa i përket shpjegimit të teorive mbi komplotet. Ato mbërrijnë me mesazhet e tyre direkt në grupet që ata mendojnë se u përkasin: “Armiqtë tanë janë të egër, të këqij, të fuqishëm, të përhershëm, të pashikueshëm e duan të shkatërrojnë e degjenerojnë idealet tona më të larta”. Ky stereotip demonial si armik haset sot, për shembull, edhe në shkrimet e kundërshtarëve, le të themi, të globalizimit, ashtu sikurse edhe te fondamentalistët e të gjitha krahëve religjiozë apo dhe në librat “bombë” që mundohen të fantazojnë mbi shumë teori, për shkaqet e organizimit të sulmeve të 11 shtatorit.