Analiza

Iluzionet e humbur të Perëndimit dhe të Putinit

Frederick Forsyth*

ForsythNuk ka marrëzi më të madhe në realpolitikë, se sa të premtosh solemnisht dicka të parealizueshme. Kështu fillojnë luftërat botërore. Në vitin 1939, Britania e Madhe dhe Franca i premtuan Polonisë që, nëse Hitleri do të bëhej i bezdisshëm, do i shkonin në ndihmë Varshavës. Me të ardhur shtatori, Hitleri u bë shumë i bezdisshëm.

Fatkeqësisht, mes kufirit francez dhe atij polak ndodhej një pengesë e madhe, që quhej Gjermani. Premtimi ynë për polakët ishte i kotë. Kështu, sipas një logjike shkatërrimtare, i shpallëm luftë Gjermanisë. Analogjitë me situatën e sotme në Ukrainë nuk mungojnë.

Mediat nga njëra anë thërrasin që duhet të garantojmë sovranitetin absolut të Ukrainës. Kush, me saktësi, duhet ta respektojë? Këmbësoria e lehtë e Dortmundit? Eshtë pakëz larg. Këmbësoria nuk është tamam gati dhe ushtria ruse e ka rrethuar Ukrainën nga tre anë. Bjellorusia, në veri është sërish një vasal i Moskës, dhe marina ruse kontrollon detin në jug. Përvecse nëse kalohet nga Rumania, Ukraina është e paarritshme.

Kështu që, le të qetësohemi dhe të arsyetojmë për cfarë ka ndodhur, përse, dhe cfarë duhet bërë.

Mbi të gjitha, të zhvishemi nga iluzioni që, pas Gorbacovit, ariu rus ka ndryshuar ndonjëherë karakter. Nuk është kështu. Prej një mijë vitesh, Rusia nuk ka cliruar asnjëherë askënd, vetëm ka pushtuar. Dhe sërish po ndodh e njëjta gjë. Udhëheqësi me pushtet nuk është një rus “i ri”, por një rus klasik i të kaluarës, i stërvitur fort si spiun i KGB-së dhe totalisht pre e paranojës tradicionale ruse, sipas të cilës “ne jemi të rrethuar nga armiq dhe duhet të sulmojë të parët, për t’u mbrojtur”.

Fakti që Rusia shtrihet prej kufirit polak në Vladivostok dhe që është pakëz e vështirë për Baroneshën Ashton që ta rrethojë, nuk ka asnjë diskutim. Por, paranoja është e pavarur nga logjika.

Eshtë e qartë prej vitesh që Vladimir Putini është një tip i cuditshëm. Një mesoburrë, që vazhdon të fotografohet në poza homoerotike – duke kalëruar lakuriq nga mesi e lartë në Siberi, me gjoksin e kontraktuar teksa merr në duar një automatik – e ka ndonjë problem. Zakonisht mund të shërbejë ndihma e sjellshme e ndonjë profesori me tabelën “psikiatër” tek dera. Por, diplomatët duhet të punojnë me materialin që kanë në dispozicion dhe ai që kanë në duar tani është Vladimir Putini.

Sa për provokimin e planifikuar prej Perëndimit, ai të kujton nga ana e vet logjikat e viteve Tridhjetë. Në Perëndim e dimë që nuk kishte asnjë nevojë që agjentët tanë të ushqenin protestën e popullit të Ukrainës perëndimore, kundër një udhëheqësi budalla dhe të paaftë si Janukovici, si dhe korrupsionit në institucione. Nuk ka nevojë t’u mësosh bibave se si të notojnë.

Pastaj duhet marrë në konsideratë kompleksiteti i Ukrainës. Nuk është aspak një vend i bashkuar nën profilin politik, etnik apo kulturor. Zakonisht, ato që grinden janë dy palë që nuk bien akord. Në Ukrainë janë katër. Zona perëndimore flet gjuhën ukrainase, por gjithmonë ka parë nga perëndimi në kërkim të një kulture, një modeli, dhe një të ardhmeje të mbrojtur. Zona lindore flet edhe ajo gjuhën ukrainase, por ka parë gjithmonë nga veriu, nga Rusia mëmë dhe shtatëdhjetë vite bashkim nën BRSS-në nuk e kanë dobësuar këtë tërheqje magjike. Por nuk mjafton.

Banorët e pesë provincave, ndonëse të etnisë ukrainase dhe në gjendje të flasin përsosmërisht gjuhën ukrainase, kanë zgjedhur rusishten si gjuhë zyrtare rajonale. Pastaj janë rusët e vërtetë, pasardhësit e tre brezave të ardhurish, të nxitur prej Stalinit dhe Gorbacovit. Kështu, edhe nëse protestuesit në Ukrainën perëndimore kërkojnë demokracinë, këtë fantazi që është kaq e lehtë ta thuash por kaq e vështirë ta gjesh, nuk është aspak e thënë që të jenë në të vërtetë një shumicë demokratike.

Ndonjëherë duhet të kesh kujdes se cfarë kërkon.

Megjithatë, për Putinin, rënia e Janukovicit, kandidati i mbrojtur prej tij, ishte një poshtërim i patolerueshëm dhe i pamundur për t’u pronuar si spontan. Putini nuk pranon që dikush mund të mos bjerë dakord me të. Kështu që, shkaku i gjithckaje kanë qenë të huajt, sidomos anglo-amerikanët. Për Putinin dhe për Rusinë, hakmarrja është krejt e justifikueshme. Nuk mundet vecse ta pranojmë. Luftërat nuk lindin nga qetësia dhe nga logjika. Fillojnë nga ego që ulërijnë, nga krenaria e plagosur dhe zemërimi i shfrenuar, dhe këtu ka nga të gjitha.

Kështu Putini zgjodhi Krimenë, shumë më e dobët, për t’u shfryrë.

Popullsia është e përbërë nga një pakicë ukrainasish perëndimorë, një shumicë ukrainasish lindorë dhe rusësh. Vec të tjerash është e pambrojtshme, dhe ne do të ishim të cmendur nëse do përpiqeshim ta bënim. Me sa duket duheshin sajuar “provokimet” dhe kështu u bë.

Të mendojmë pak për 1938-ën, për sudetët. Në atë kohë, makineria gjigande e propagandës në Berlin na përmbyti me “zbulime” për tmerret e pafundëm që po kryenin cekët e tmerrshëm kundër gjermanëve. Ishin të gjithë mashtrime dhe kriminelët e Heinleinit bënë pjesën e tyre, por i ofruan justifikim pushtimit dhe qëllimit për të “cliruar” dhe “mbrojtur”. Sot, ekranet tanë janë të mbushur me rusë të Krimesë, që janë gati të shpërthejnë dhe në lotë për t’u mbrojtur” nga fqinjët e tyre të tmerrshëm, që as nuk i kanë prekur ndonjëherë. Eshtë hakmarrja e Moskës për Kievin.

Atëherë, cfarë mund të bëhet? Për Krimenë? Asgjë. Për një pushtim nën ngazëllimin popullor në mbështetje të Ukrainës lindore? Sërish asgjë. Për një pushtim të Ukrainës perëndimore dhe masakrimin e popullsisë që tenton të reagojë si finlandezët në luftën dimërore? Në profilin ushtarak, shumë pak, nëse nuk duam të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore me një të cmendur. Por, atëherë do të flitej për holokaust bërthamor.

Do të thotë që Putini i ka të gjithë kartat në dorë? Aspak. Edhe pse në dukje nuk duhet të ndeshet me një kundërshtim politik serioz, ministrat përreth tij nuk janë të cmendur dhe e dallojnë shkatërrimin në castin kur nis e shfaqet. Janë dy butona që shumë prej atyre në enturazhin e Putinit do i konsideronin shkatërrimtarë, nëse ne në Perëndim do i shtypnim. Por nuk mund ta bëjmë në dhjetë minutat e ardhshme, as në dhjetë javët e ardhshme. Pra, mund të thuhet që Putini në Ukrainë mund të bëjë c’të dojë… për pak kohë.

Butoni i parë është ai i tregtisë/ekonomisë. Ekonomia ruse krahasohet me atë të gjithë Europës, apo SHBA, apo të dyja bashkë. Askush nuk blen prodhime rusë. Automobilë? Avionë? Armë? Duhet që t’i dhurojnë. Por Putinit i duhet të shpenzojë shuma të mëdha, në tentativën për të rindërtuar BRSS-në e dikurshëm, perandorinë sovjetike. Ku i gjen? Nga gafta dhe nga gazi. Të dyja janë burime lumenjsh me para dhe, sipas nevojës shërbejnë si levë presioni dhe kërcënimi. Gjermania ka qenë gjithmonë e marrë që ka eleminuar burimet e saj të energjisë bërthamore të pastër, duke i këmbyer me skllavërinë e furnizimit me naftë dhe gaz nga Moska. Por nuk është ende shumë vonë.

Perëndimi ka persepktivën e burimeve të rinj energjetikë. Me dinamizëm, motivim, forcë vullneti, dhe duke braktisur sjelljet e mara prej beatnik-ësh mund të shpëtojmë nga kërcënimi i naftësjellësve dhe gazsjellësve të Lindjes. Revolucioni i gazit në Amerikë ka sjellë suksese spektakolarë, duke i cliruar amerikanët. Europianët janë ende skllevër të furnizuesve.

Një tjetër rvolucion ndoshta i ka shpëtuar Vladimir Putinit. Teknologjia e dijes. Në kohët e rinisë së Putinit, Moska arrinte ende të izolonte tërësisht popullsinë ruse nga informacionet që vinin prej perëndimit. Mund të shtrëngonte rusët që të dëgjonin vetëm Radio Moskën, të lexonin vetëm Pravdën, të shihnin vetëm televizione sovjetikë. Mund t’u bënte lavazh truri, me qëllim që të besonin vetëm udhëheqësit e tyre dhe atë që këta i thoshin. Sot, një fëmijë me iPhone, ka botën në duar. Kush e rrëzoi vërtetë Mubarakun në Egjipt, kush i corri maskën Gedafit në Libi, kush dënoi Asadin në Damask? Njerëzit. Përse? Sepse kishin parë një botë më të mirë. E dinin kush e kish fajin për mjerimin e tyre.

Nëse në Rusi rriten cmimet, rubla bëhet thjeshtë një copë letër, furnizimet bien, dhe rusëve u duhet të shohin vetëm përllëmbën e dorës për të kuptuar përsenë – motivin e vërtetë. Në atë moment, kukullat e Kremlinit mund të vetëdijësohen që koha e pushtimeve imperialë ka marrë fund dhe ka ardhur momenti që drejtuesi i tyre të ikë i hipur mbi kalë, lakuriq nga mesi e lartë, drejt perëndimit. Por për momentin në Ukrainë dhe në Krime nuk ka asgjë që ne, Perëndimorët, të mund të bëjmë. Përvecse të qëndrojmë të bashkuar, të planifikojmë dhe të presim. Do të vijë momenti ynë. Por ju lutem, mjaft më me iluzione.

* Frederick Forsyth është shkrimtar britanik dhe komentator politik. Ai është autor i disa librave me temë Luftën e Ftohtë

Leave a Reply

Back to top button