Magazine

Iluzioni i të qënit “padronë” të kohës tonë

Nga Oliver Burkeman

Flasim për kohën me terma konfuze, siç mund ta dëshmojë cilido që është përpjekur të zhvendosë “më përpara” një takim me mua. Do të këmbëngul deri në frymën e fundit, se kjo do të thotë ta zhvendosësh në të ardhmen, projektuar përpara në një vijë kohore, drejt një pike të largët në krahasim me atë ku ndodhem tani. Por kam zbuluar se shumë njerëz, mendojnë se kjo do të thotë t’i paraprish, pra ta zhvendosësh metaforikisht drejt vetes.

Populli i aimarave në Ande, e imagjinon të ardhmen prapa dhe të kaluarën përpara vetes. Disa popullsi të Papua Nuova Guineas e shohin si një rrugë malore. Dhe një studim i ri i Universitetit të Pavias shton një detaj magjepsës: studiuesit kanë zbuluar se personat e verbër që në lindje, apo që në fëmijërinë e hershme, zakonisht nuk e konceptojnë të kaluarën si diçka që e kanë lënë pas shpine, as të ardhmen sikur e kanë përpara (edhe pse natyrshëm flasin në këtë mënyrë si gjithë të tjerët). Dhe nuk e peceptojnë një ngjarje “pas dy muajsh”, si më të afërt se një gjë që ka ndodhur dy muaj më parë, siç bëjnë ata që shohin, gjë që është krejt e arsyeshme: hapësira e ardhme është përpara syve tanë, ajo e kaluar është prapa shpinës dhe si pasojë, më e vështirë të shihet.

E gjithë kjo na kujton se sa i çuditshëm është fakti që mendojmë për kohën, duke përdorur një ngjashmëri me hapësirën, dhe që na duket e pamundur të bëjmë ndryshe. Nëse dikush më pyet për muajin e ardhshëm, nuk mund të mos mendoj një seri katrorësh, si ata të një kalendari, ndërkohë që nëse më pyet se çfarë kam bërë dje, ngre sytë nga qielli sikur të jem duke ekzaminuar një “hapësirë”, që ndodhet diku prapa kokës time.

Ndoshta imazhet tuaja nuk janë identike me të miat, por sipas antropologëve, kjo metaforë e kohës si hapësirë është një koncept universal. Gjë që në një farë kuptimi është mëkat, sepse jam shumë i sigurt që e bën eksperiencën tonë të kohës, më të mbushur me ankth, se sa është e nevojshme.

Marrim për shembull aktivitetet tona: Kur ndihem i mbingarkuar nga angazhimet, më duket sikur koha është një enë fizike, shumë e vogël për aktivitetet që duhet të fus brenda saj (antropologu amerikan Eduard Hall ka thënë një herë se amerikanët e shohin kohën si një rrip transmisioni të mbushur me shishe që duhen mbushur: nëse njëra mbetet bosh, atëherë koha është çuar dëm).

Nëse ndalemi të mendojmë se bëhet fjalë për vetëm një metaforë, do të çlirohemi. Nuk ka asnjë enë dhe nuk ka asnjë nevojë që të shqetësohemi nëse do të jetë mjaftueshëm e madhe. Jemi vetëm ne në këtë moment të kohës, dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë është që ta përdorim sa më mirë që të mundemi.

Këto metafora janë gënjyese edhe sepse na krijojnë iluzionin që mundemi ta kontrollojmë kohën, më shumë se sa bëjmë realisht. Në fund të fundit, unë jam vërtetë pronar i hapësirës time fizike; dhe mënyra si e përdor varet vetëm prej meje. Ndërkohë që nuk mundemi të zotërojmë realisht kohën: “Koha që ‘kemi’ nuk është asnjëherë aty ku jemi, dhe nuk mund ta shohim kurrë, ndryshe nga gjithë objektet e tjera që zotërojmë”.

Planet tona mund të hidhen në erë në cilindo moment, dhe e sigurt është që herët a vonë do të mendojë vdekja për t’i ndërprerë. Kështu që, të bëjmë sikur jemi zotër të kohës sonë, kjo është një recetë e sigurt për stresin.

Ndoshta nuk do të heqim kurrë dorë nga këto metafora sepse, në fund të fundit, janë të dobishme. Por ia vlen të kujtojmë se janë thjesht metafora. A nuk do të ishte gjë e mençur që thjesht të shkojmë përpara? / The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button