Analiza

“Internacionalja” nacionaliste po shpërbëhet

Nga Tim Gosling

Stiv Benon mund të jetë dëbuar nga Shtëpia e Bardhë, por nuk po heq dorë nga “kryqëzata” e tij ekstremiste. Ish-strategu i presidentit të SHBA, Donald Trump, vizitoi në muajin maj Europën Qendrore dhe Lindore, për t’i bërë thirrje Hungarisë dhe Republikës Çeke, t’i bashkohen Shteteve e Bashkuara në mbrojtje të kulturës judaiko-kristiane.

Mesazhi i Benon, i bën shumë jehonë retorikës në një rajon, që po shndërrohet në një fanar ndriçues për të djathtën radikale, falë rezistencës së saj ksenofobike ndaj emigracionit, dhe asaj që e konsideron si “marksizmi kulturor” i Bashkimit Europian. Lëvizja drejt të djathtës në Europën Qendrore, udhëhiqet kryesisht nga oportunizmi politik, i cili diktohet nga ana e tij nga frustrimet që janë krijuar 14 vjet pas hyrjes në BE, kur cilësia e jetës nuk është ende e barabartë me Europën Perëndimore.

Por Benon është kaq i paqartë mbi nevojat dhe prioritetet e vendeve të Europës Lindore, sa që edhe komentatorët e krahut të djathtë në Budapest, nxituan të shprehnin zhgënjimin e tyre. Pse, pyetën ata, Benon përsërit moton e Shtëpisë së Bardhë, se Kina dhe Irani kërcënojnë qytetërimin perëndimor, kur këto vende aktualisht janë një gur themeli i ambicjeve të politikës së jashtme dhe ekonomike të Viktor Orban?

Hungaria, shpreson të përftojë një nxitje të konsiderueshme ekonomike nga investimet kineze në infrastrukturën e transportit, si pjesë e nismës së Pekinit “Një Brez, një Rrugë” – në vitet e ardhshme, shpreson të zgjerojë tregtinë, dhe ta shndërrojë Budapestin në një qendër rajonale të financave kineze.

Në Pragë, Benon artikuloi disa blasfemi ekonomike. Tregtia është thjesht “konkurrencë e pandershme, duke përdorur punën e papaguar në vende të tjera”, deklaroi ai. Heshtja e habitshme që pllakosi audiencën, nuk ishte për shkak të sfidës së tij radikale ndaj mençurisë konvencionale, por për shkak të rreth 80 përqind të PBB-së së Republikës Çeke, vjen pikërisht nga eksportet.

Benon dhe Trump, mund të kenë identifikuar në mënyrë korrekte nxitjet ideologjike populiste në rajon, por ata kanë dështuar të kuptojnë se si realitetet ekonomike, përcaktojnë përparësitë politike për këto vende të vogla evropiane.

I pyetur për të identifikuar armiqtë më të mëdhenj të fundjavën e kaluar, Trump e quajti BE-në një armike “për dëmin që na ka shkaktuar në fushën e tregtisë”. Por tregtia, është lidhja që e mban Hungarinë, Poloninë dhe vendet e tjera të Europës Lindore brenda bllokut, kapitali që qeveritë e tyre fitojnë nga bashkimi me Brukselin.

Dhe kërcënimi i Trump për të zgjeruar luftën e tij tregtare, duke vendosur tarifa ndaj makinave të prodhuara në BE, vë në rrezik industrinë më të madhe të rajonit. Sllovakia ka më shumë frikë, me makinat që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara.

Në krye të automjeteve të prodhuara nga kompanitë Volksvagen, PSA Pezho Sitroen, Kia dhe Xhaguar Land Rover në territorin sllovak, vendi po luan një rol të madh në zinxhirin e furnizimit të markave të shumta gjermane që po ndërtohen në të gjithë rajonin.

Nëse Trump i qëndron çështjes së tarifave të reja, ato do të vënë në rrezik rreth 40.000 vende pune në Poloni, dhe nga 25.000 vende pune në Hungari dhe Republikën Çeke. Pavarësisht se populistët në rajon mund t’i gëzohen kthesës nacionaliste në Uashington, ky lloj kërcënimi nuk mund të injorohet.

Kryeministrit çek Andrej Babis, një biznesmen miliarder që shpesh krahasohet me Trumpin, i shpëton rrallëherë mundësia për të sulmuar emigrantët. Por ai gjithashtu është shumë i vetëdijshëm për rreziqet që i kanosen ekonomisë së vendit të tij. Reforma e BE-së për të hequr barrierat përfundimtare ndaj tregtisë së lirë në të gjithë tregun e përbashkët, është një prioritet i qeverisë së tij, tha Babis në një intervistë për “Foreign Policy”, një orë përpara se Benon të fliste në një aktivitet në Pragë.

Sulmet e Trump ndaj tregtisë, dhe tërheqja e tij nga marrëveshja bërthamore e Iranit kanë shkaktuar shqetësim se udhëheqja e Perëndimit nga SHBA është duke marrë fund, paralajmëroi kryeministri çek. Ndryshe nga homologu i tij hungarez, Babis nuk u shprehu ndonjë entuziazëm apo interes për vizitën në vend të ish-ndihmësit të presidentit të SHBA-së.

Qeveria e tij, nuk është e përgatitur të nënshkruajë konktrata afatgjata me kompanitë amerikane për t’i furnizuar me helikopterë ushtarakë, pavarësisht lobimit të Uashingtonit për të rritur shitjet e armëve ndaj aleatëve europianë. Ankesat e vazhdueshme të Trump, se anëtarët europianë të NATO-s, po dështojnë të shpenzojnë sa duhet mbi mbrojtjen, dhe pikëpyetjet pasuese që ai ngre mbi nivelin e mbështetjes ushtarake amerikane, kanë alarmuar mbarë rajonin.

Dobësimi i garancisë që Shtetet e Bashkuara i jepnin dikur vendeve të NATO-s, është duke i bindur fansat e dikurshëm në rajon të Donald Trumpit, se SHBA-ja dhe e djathta ekstreme nuk mund të jenë miqtë e rinj më të mire, që ata kishin shpresuar.

Duke u kthyer në SHBA nga takimi i tij i shumë-debatuar i 16 korrikut me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki, presidenti amerikan dyshoi nëse vendi i tij do të nxitonte të mbronte një “vend agresiv” si Mali i Zi, në zbatim të nenin 5 të NATO-s.

Me këto pak fjalë, Trump shembi mekanizmin e një aleance, që më shumë se çdo organ tjetër tërheq Europën Lindore drejt perëndimit. Tensionet në kryeqytetet si Varshava dhe Vilnius janë të dukshme, dhe Trump po kthehet tashmë me shpejtësi nga një hero, në një personazh negativ për vëllezërit e tij ideologjikë.

Fitorja zgjedhore e Trump në vitin 2016, rrezatoi në fillim shpresë në mesin e populistëve të Europës Qendrore, se revolta e tyre joliberaale, e cila e denoncon BE-në si një strukturë e vjetër negative, po zhvendosej në një skenë globale. Sidoqoftë, retorika e shurdhët e Benon dhe zhgënjimi ndaj Trump mbi detyrimet e aleancës, vetëm sa theksuan kontradiktat që shtrihet në zemër të kësaj “internacionalizimi” të imagjinuar të nacionalistëve.

 

Shënim: Tim Gosling, është një gazetar i pavarur me banim në Pragë, dhe një analist që mbulon çështjet në Europën Qendrore / “Foreign Policy” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button