Analiza

INTERVISTA / Ankthe të një bote të globalizuar. Recetat e Mikhail Gorbaçovit

Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, babai i perestrojkës, ndërhyn lidhur me krizën e klasës drejtuese kudo në botë, duke analizuar më pas se çfarë duhet të bëjë për të tejkaluar krizën e politikës botërore

Screen Shot 2016-04-22 at 16.30.40

Ku po shkon bota e globalizuar e shekullit të XXI-të? Sot njerëzit e bëjnë këtë pyetje me ankth në rritje. Dhe unë bashkë me ta. Bashkë me mikun tim Hans-Dietrich Genscher, që ka ndërruar jetë ditët e fundit, shpesh kemi pyetur njëri tjetrin se çfarë ka ecur gabim. Gjenerata jonë, e përbërë nga politikanë përpjekjet e përbashkëta e të cilëve kanë arritur që t’i japin fund “luftës së ftohtë”, e ka bërë punën e saj. Po atëhere pse bota e sotme është kaq e trazuar, kaq e padrejtë dhe kaq e militarizuar?

Përfundimi i konfrontimit global dhe mundësitë e reja të dhëna nga teknologjia, sidomos informatika, a nuk duhej t’i jepnin botës një frymëmarrje të re, ta bënin më të mirë jetën e çdo njeriu? E megjithatë realiteti ka marrë lthesë tjetër. Nuk ekziston një shpjegim i thjeshtë për gjithë këtë. Shpesh kam theksuar se politikanët nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Ata që bartin dozat e mëdha të përgjegjësisë për gjendjen aktuale të botës janë ata që proklamuan “fitoren e Perëndimit në “luftën e ftohtë” dhe që refuzuan të ndërtojnë një sistem sigurie të ri e të barabartë. Triumfalizmi është këshilltar i keq në çështjet botërore.

Por nuk përfundon e gjitha me kaq. Deri më tani bota e re e globalizuar kurrë nuk është kuptuar dhe arsyetuar siç duhet. Ajo kërkon rregulla të reja sjelljeje dhe një moral tjetër. Dhe liderët botërore duket se nuk e kanë kapur. Besoj se kjo është arsyeja kryesore e “turbulencës globale” të sotme.

Kush ka fituar dhe kush ka humbur në botën e globalizuar? Njerëzit janë të preokupar për tensionin ndërkombëtar, por nuk është më pak për situatën dhe perspektivat e tyre. Në fund të fundit, gjithçka është e lidhur. Edhe në vendet më të zhvilluara, pjesa më e madhe e njerëzve i përkasin klasës së mesme dhe baza e një shoqërie të çfarëdoshme të mirëzhvilluar qëndron në shprehjen e pakënaqësisë për jetën e vet. Votuesit mbështesin gjithnjë e më shpesh politikanë populistë që ofrojnë zgjidhje në dukje të thjeshta, por në realitet të rrezikshme.

Nga ana tjetër, institucionet e papërgjegjshme financiare i janë përshtatur mirë globalizimit dhe kanë mësuar që t’i shfrytëzojnë benefitet, duke fryrë njëra pas tjetrës “flluska sapuni” që u kanë mundësuar atyre të bëjnë miliarda praktikisht nga hiçi. Këto miliarda janë në dispozicion të një rrethi gjithnjë e më të ngushtë njerëzish, që ua shmangin taksave. Ditët e kaluara kemi parë shembuj të tjerë të kësaj, por është vetëm maja e ajsbergut.
Për të mos folur pastaj për faktin që në një botë të globalizuar ndjehen të sigurta strukturat e krimit të organizuar, trafikantët e drogës dhe të armëve, grupet që nxjerrin përfitime nga fluksi masiv i emigrantëve, kriminelët informatikë dhe sidomos terroristët.

Krizë e politikës, krizë e klasës drejtuese
Politika botërore nuk e ka gjetur akoma një përgjigje efikase ndaj asnjërit prej këtyre problemeve. Ndërkohë, ka nisur një raund i ri i garës së armatimeve, është rënduar kriza mjedisore, rritet hendeku midis vendeve të pasura e vendeve të varfra dhe midis të pasurve e të varfërve brenda vetë vendeve. Pikërisht këto janë problemet që duhet të jenë në vendin e parë në axhendën botërore. Por kudo shikojmë rrethe vicioze.
Dukej se ekzistonin mundësi dhe mekanizma për tejkalimin e tyre, qofshin të vjetra, si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe të reja, të krijuara për shembull nga G20 për të përballuar sfidat e reja. Vështirë të theksohet se aktivitetet e tyre janë kurorëzuar me sukses. Gjithnjë e më shumë janë të vonuara, gjithnjë e më shumë mbrapa. Jemi përballë një krize të klasës drejtuese në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Politikanët kanë qëllim që “të shuajnë zjarret”, të gjejnë zgjidhje për problemet aktuale, krizat dhe konfliktet e sotme. Nuk ka pikë dyshimi: edhe ato duhen zgjidhur dhe gjatë javëve të fundit ka pasur disa zhvillime pozitive.
Dialogu për Sirinë ka nisur. Sigurisht, akoma marrin pjesë vetëm subjektet e mëdha të jashtëm, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, por kjo ka kontribuar tashmë në një lehtësim të caktuar të tensionit në raportet midis Rusisë dhe Perëndimit. Nëqoftëse kjo tendencë do të vazhdojë të zhvillohet, do të duhej të shtrihej edhe në sfera të tjera të marrëdhënieve të tyre, por do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë. Besimi është vënë në sprovë të rëndë. Asnjë përparim në fronin e krizës ukrainase. Mekanizmat akrtualë të zgjidhjes nuk funksionojnë mirë. Duket se janë transformuar në rutinë. Nga këto mekanizma (Marrëveshja e Minskut, formati Normandi) nuk mund të shmangesh, por dukshëm që duhen integruar dhe t’u promovohet puna. Ndoshta nëpërmjet diskutimit në gjirin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo në mekanizma të tjera me pjesëmarrjen e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara.

Nuk mund të lihet hapur ashpërsimi i krizës ukrainase duke rrezikuar që flaka të përhapet në të gjithë Europën dhe botën. Akoma një tjetër “konflikt i ngrirë” dhe Europa nuk do të arrijë të rezistojë. Pas herës së parë në janar të vitit 2014, ua drejtoj sërish presidentëve Obama dhe Putin apelin tim për t’u takuar dhe diskutuar krizën në zhvillim.

Të shikohet përpara

Arritja e tejkalimit të krizës akute në zhvillim do të ishte një hap i rëndësishëm, por vetëm i pari në qëllimin e përballimit të një detyre shumë më të vështirë: të mësuarit për të jetuar në një botë të globalizuar. Pa një kontekst global është e pamundur të kuptohen shkaqet dhe pasojat e konflikteve në zhvillim, të zhvillohet një axhendë e azhurnuar dhe të krijohen mjetet për të përballuar problemet që pashmangshmërisht do të paraqiten në botë. Në axhendën politike botërore gjëja kryesore është të vendosen mirë prioritetet.

Manifesti Russell – Einstein, idetë e Olof Palme për sigurinë e përbashkët, diskutimi i John F. Kennedy lidhur me “paqen për të gjithë”, Deklarata e Gjenevës e Bashkimit Sovjetik dhe e Shteteve të Bashkuara në vitin 1985, e konfirmuar në Rejkjavik dhe nga marrëveshjet mbi ndalimin e garës së armatimeve bërthamore, qenë të gjithë “kërkesa” që synonin të futeshin në një axhendë politike që të shikonte në vend të parë problemet e mëdha të vërteta të njerëzimit. Në ditët e sotme janë:

– Problemi akoma ekzistues i armëve të shkatërrimit në masë, gara e armatimeve dhe militarizimi i politikës botërore;
– Problemi i varfërisë dhe i nënzhvillimit të një pjese të mirë të njerëzimit;

– Sfida mjedisore dhe ndryshimet klimaterike;
– Terrorizmi
Çështje të tjera urgjente janë emigrimet massive, ksenofobia, jotoleranca fetare dhe problem i bashkekzistencës së qytetërimeve të ndryshme. Emëruesi i vogël i përbashkët i të gjithë këtyre problemeve është se asnjëri prej tyre nuk mund të zgjidhet ushtarakisht, me dhunë. Ngjashëm me një aksiomë: duhen bashkuar forcat. Por deri më tani ka dominuar segregimi dhe paaftësia për të vepruar së bashku. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi shtetet dhe klasën drejtuese të tyre. Në një botë të globalizuar janë shfaqur edhe agjentë të tjerë: organizatat e shoqërisë civile, bizneset, bota akademike, grupet fetare. Por roli dhe përgjegjësia e shteteve, e liderëve të tyre dhe e organizatave ndërkombëtare mbesin vendimtare.

Politika dhe morali. Rregulla të sjelljes
Imperative në botën e sotme të globalizuar është edhe nevoja për të lidhur politikën me moralin. Ky është një problem i madh dhe i vështirë. Nuk arrihet të zgjidhet me një goditje të vetme. Por nëqoftëse nuk ngrihet ky problem dhe nuk punohet me vendosmëri, atëhere bota është e destinuar që të shikojë konflikte dhe kontradikta të pazgjidhura të reja.
Në një botë të globalizuar është jashtëzakonisht i rrezikshëm koncepti i “dy peshave dhe i dy masave”. Duhet përjashtuar çdo eventualitet mbështetës nga ana e shteteve, mbi bazën e “interesave” të tyre, ndaj organizatave terroriste dhe ekstremiste të çfarëdo lloji që përdorin “luftën e armatosur” për të përmbysur me forcë qeveritë legjitime.
Marrëdhëniet midis shteteve në një botë të globalizuar duhet të jenë të rregulluara jo vetëm nga e drejta ndërkombëtare, por edhe nga rregulla sjelljeje specifike të bazuara mbi parimet e moralit universal. Këto “rregulla sjelljeje” duhet të parashikojnë moderim, marrje në konsideratë të interesave të të gjitha palëve, konsultim dhe ndërmjetësim në rastin në të cilin një kërcënon apo një krizë të rëndohet. Jam i sigurtë se do të mund të ishin shmangur si kriza ukrainase, ashtu edhe ajo siriane nëqoftëse palët e përfshira dhe subjektet e huaja do t’i kishin respektuar rregullat e tilla të sjelljes.

Besoj se rregullat e sjelljes, një lloj kodi etik, u shërbejnë edhe mediave. Do të thosha që edhe këto nuk janë të privuara nga fajet. Shpesh ato nxisin frikërat, ndotin mjedisin e informacionit. Në vend që të japin kontributin e tyre për të parandaluar dhe zgjidhur konfliktet, në fakt i rëndojnë më shumë. Pika ime kryesore është nevoja për të vendosur në qendër të vëmendjes të shteteve dhe të shoqërisë civile globale problemin e azhurnimit të axhendës botërore dhe lidhur moralin dhe rregullat e sjelljes në një botë të globalizuar.

Roli i Rusisë
Kam besim se roli i Rusisë në tejkalimin e krizës së politikës botërore mund dhe duhet të jetë i rëndësishëm dhe pozitiv. Është koha që Perëndimi të braktisë tentativat për ta izoluar. Kjo nuk ka çuar kurrë në asgjë. Akoma edhe me shterpë nga rezultatet do të jenë “sanksionet personale”. Këto janë për t’u braktisur menjëherë, përndryshe nuk do të ketë as dialog, as mundësi për të rivendosur besimin.
Askush nuk duhet të presë që Rusia, pavarësisht vështirësive ekonomike, do të pranojë një rol dytësor në botë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, askush nuk do të dilte fitimtar. Dhe, akoma më shumë, të gjithë do të mund të humbnin nga një “luftë e ftohtë” e re.
Pak ditë më parë, gjatë një “linje direkte” në televizion, Putini ka formuluar dëshirën e normalizimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Do të arrijnë partnerët tanë të vihen bashkë drejt një drejtimi më konstruktiv? Nuk është ende e qartë, por i inkurajoj që ta bëjnë.

Tani momenti është vendimtar. Duhet të lëmë mënjanë emocionet dhe tepritë propagandistike. Mund të bëhen kritika serioze ndaj gjeneratës aktuale të liderëve, por e kanë ende mundësinë për të fituar një hapësirë të denjë në histori dhe do të ishte një gabim trashanik të mos përfitohej nga këto mundësi.

(nga Rossiyaska Gazeta) Përgatiti:

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button