Analiza

INTERVISTA / Fareed Zakaria: Ukraina duhet të bëhet më e fortë. Duhet të marrë kontrollin

Intervista ZakariaNjë avion i forcës ajrore ruse kaloi 12 herë mbi një anije luftarake amerikane në Detin e Zi gjatë fundjavës, një lëvizje që marina amerikane e ka quajtur provokuese dhe joprofesionale. Dicka e tillë nuk ndodh rastësisht. A po dërgon Putini një mesazh të qartë, apo ne po e fryjmë më kot?

Jo, këto gjëra nuk ndodhin aksidentalisht. Por unë mendoj që nuk është një mesazh i qartë, por është më shumë një lojë që po luan Putini, ku ai shtyn dhe pastaj tërhiqet dhe përpiqet të shohë se cfarë reagimi do të ketë. Kështu ndodhnin në fakt gjërat gjatë Luftës së Ftohtë, ishte rutinë dhe një model sjelljeje pothuajse i pranuar. Por në këta 20 vite, një gjë e tillë nuk ka ndodhur aspak. Në fakt, lëvizjet më interesante janë ato që po ndodhin në Ukrainën lindore, ku ai po përpiqet të kuptojë se sa shumë trazira mund të shkaktojë aty. Në pjesën lindore të Ukrainës, ku ka shumë prorusë, shumë rusë etnikë, ai po përpiqet të kuptojë se sa shumë kaos mund të shkaktojë. Cfarë do të bëjë qeveria e Ukrainës? A do të jenë në gjendje të marrin kontrollin në atë pjesë të vendit? Apo ai do të ndërhyjë sërish, e do të thotë që duhet të kujdesemi për rusët, sepse në Ukrainë ata po diskriminohen, ose po persekutohen? Dhe kështu ndoshta do të ndërhyjë ushtria ruse. Noshta do të përpiqet të negociojë një llojë autonomie të ndarë. Të gjithë këto janë lëvizje për të krijuar kaos, me qëllim që ai më pas të thotë se e vetmja zgjidhje është ushtria ruse.

A mund të nxirret ndonjë mësim nga ajo që ndodhi në Krime?

Mendoj që është e drejtë të nxirret një mësim. Nga raportimet që kemi prej Ukrainës lindore, dimë që shumë prej këtyre njerëzve në qendër të trazirave janë të mirëorganizuar, por ata nuk kanë uniforma ushtarake, nuk kanë shenja dalluese. Mbajnë veshur rroba të zeza, shpesh herë mbulojnë fytyrën me maska. Pikërisht kjo ndodhi edhe në Krime. Eshtë në thelb një lloj operacioni special si në kohët e KGB-së. Nuk është ushtria, por është e sigurtë që nuk janë thjeshtë njerëz prorusë.

Me të njëjtat armë si ushtria…

Dhe duke punuar me precizion ushtarak. Duken shumë të organizuar. Ata e dinë mirë se cfarë po bëjnë. Kanë armë. Kanë udhëzime.

A e ka humbur tashmë qeveria e Ukrainës kontrollin mbi Ukrainën lindore?

Mendoj se kjo është pyetja thelbësore. Deri tani, ata po përpiqen të shohin nëse ka mënyra për të marrë kontrollin pa shkaktuar një gjakderdhje apo që t’u duhet të pastrojnë sheshe. Mos harroni, Ukraina lindore është mu ngjitur me Rusinë. Janë 40 mijë trupa ruse që presin në anën tjetër të kufirit. Nëse qeveria ukrainase ndërhyn, hap këto ndërtesa dhe largon aktivistët, cfarë ndodh nëse ka shumë të vdekur? Atëherë ushtria ruse do të ketë pretekstin e duhur për të ndërhyrë. Kjo është loja që po luajnë. Por mendoj që ukrainasit duhet të bëhen pak më të ashpër. Duhet të marrin kontrollin e vendit të tyre. Njerëzit nga jashtë mund të bëjnë shumë pak, nëse qeveria nuk merr dot as kontrollin e 10 ndërtesave në Ukrainën lindore.

Për gjithfarësoj arsyesh praktike, rusët kanë akuzuar SHBA se ka nxitur gjithë këtë që po ndodh. Ata treguan me gisht John Brennanin, ndërkohë që ky ishte në Kiev. Edhe Joe Biden do të shkojë atje. Presidenti i SHBA ka bërë shumë telefonata. Edhe kjo është një taktikë e vjetër e Luftës së Ftohtë.

Absolutisht. Rusët kanë një narrativë krejt tjetër, që është se NATO ka qenë një forcë agresive, që shtynte drejt kufirit të tyre. Dhe që tani forcat speciale amerikane dhe ato të CIA-s po përpiqen të marrin Ukrainën. Por pyetja më e rëndësishme, përgjigjen e të cilës nuk e dimë, është se si do të reagojë Ukraina tani? Sepse ajo që po ndodh është faza e parë, Putini po testonte Perëndimin, po testonte se cfarë do të ndodhte kur ai të aneksonte Krimenë. Tani ai po teston ukrainasit. A do të marrë kjo qeveri kontrollin e vendit të vet? A do ta bëjë me koston e zemërimit të rusëve?

A do të përgjigjet Putini ndaj intensifikimit të sanksioneve nga SHBA dhe Europa?

Nëse do të ketë sanksione energjetikë, ai do të reagojë sepse, sigurisht 70% e të ardhurave të qeverisë ruse vijnë nga nafta, gazi natyror, mineralet. Europianët kanë qenë shumë hezitues. Dhe meqë ra fjala, kjo mund të shkaktojë një krizë ekonomike si ajo e Lehman Brothers…

Në Gjermani, ata varen nga ky lloj furnizimi me energji prej Rusisë.

Tronditja që do të shkaktojë, edhe lajmi për këtë, do të shkaktojë një impakt shumë të madh. Kështu që, duhet të jemi të sinqertë. Do të ishte vërtetë e dhimbshme nëse do të vendosnim sanksione seriozë, nga ata që do i rëndonin Vladimir Putinit, por që do i rëndonin edhe cdo amerikani dhe europiani. (CNN / Global Public Square)

Leave a Reply

Back to top button