Ekonomi

INTERVISTA/ Jacques Attali: Gabim i madh përfshirja e FMN. Ka interesa larg atyre europiane”

Screen Shot 2015-07-01 at 08.57.45

Nuk e kuptoj pozicionin e gjermanëve. Duhet t’u kujtojnë se sa shumë ka rënduar borxhi i tyre në ardhjen e Hitlerit në pushtet. Po kështu u duhet kujtuar se si anulimi i borxhit të tyre, në vitin 1954, i lejoi Gjermanisë të ribëhet një fuqi e madhe. Eshtë një procedurë që është bërë edhe herë të tjera në histori. Me Greqinë është e domodoshme

Përtej rezultatit të negociatave dhe të referendumit, që tani ka disa mësime që duhet të nxjerrim nga kriza greke”. Jacques Attali ka marrë pjesë në ndërtimin europian, kur ishte këshilltar i François Mitterrandit dhe natyrisht që është një vëzhgues i vëmendshëm i psikodramës që po ndodh në Athinë dhe në Bruksel. “Në jetën publike, ashtu si në atë private, nuk duhet asnjëherë të presësh momentin e fundit për të marrë një vendim – komenton intelektuali francez – tashmë nuk ka kurrë një zgjedhje të mirë: bëhet fjalë për të zgjedhur më pak të keqen”. Euroa ka hyrë tashmë në një rrugë të pasigurtë, që rrezikon të shkaktojë dëme të pariparueshëm, thotë Attali, i cili prej kohësh përpiqet për një union “më federalist” dhe një eurozonë me më shumë integrim ekonomik dhe financiar.

Ku ka gabuar Europa?

Gabimi i parë ishte në vitin 2010, kur u përpoq të fusë FMN në planin e shpëtimit të Greqisë. Interesi i një organizate që ka 180 anëtarë nuk përkon me atë të shteteve europiane. Fakti që pranoi të ulet në tryezë me FMN, duke krijuar trojkën, ishte një gabim i madh i BE. Mund të ndaheshin fare mirë nevojat e kredidhënësve të ndryshëm.

Roli i FMN ka qenë jo i mirë?

Eshtë e dukshme. Përse vendet aziatikë apo amerikano-jugorë do të donin të shpëtonin një vend të vogël si Greqia? As edhe SHBA, që kanë një peshë të madhe në FMN, nuk janë dhe aq shumë të shqetësuar për këtë problem. Eshtë një gabim, pasi një Grexit mund të ketë efekte shkatërrimtarë jo vetëm për eurozonën.

A e keni lexuar artikullin e Dominique Strauss-Kahn, ish drejtori i FMN, në lidhje me Greqinë?

Po, dhe mendoj që deri në një farë pike është pozitive të pranosh gabimet. Strauss-Kahn ishte në krye të FMN-së në vitin 2010. Tani duket se ka kuptuar që trojka nuk duhej të kishte ekzistuar asnjëherë. Greqia është një çështje europiane, që i duhet lënë Europës.

A kanë qenë të tepërta sakrificat që iu imponuan Greqisë?

Prania e FMN e ka shtrembëruar krejt tratativën. Në bazë të modeleve virtualë, ekonomistët joeuropianë i kanë dhënë një kurë kursimi një vendi që nuk ka një shtet, nuk ka një ekonomi të zhvilluar dhe një borxh që nuk do të arrijë ta paguajë kurrë.

Përse ristrukturimi i borxhit është ende tabu?

Nuk e kuptoj pozicionin e gjermanëve. Duhet t’u kujtojnë se sa shumë ka rënduar borxhi i tyre në ardhjen e Hitlerit në pushtet. Po kështu u duhet kujtuar se si anulimi i borxhit të tyre, në vitin 1954, i lejoi Gjermanisë të ribëhet një fuqi e madhe. Eshtë një procedurë që është bërë edhe herë të tjera në histori. Me Greqinë është e domodoshme. Nuk po flasim për shtete solidë si Portugalia apo Spanja.

A ishte gabim futja e Greqisë në eurozonë?

Tani është shumë vonë për ta thënë. E dimë që llogaritë ishin trukuar: më e pakta ka qenë një neglizhencë. Por gjëja më shqetësuese është të shohësh se sa e paaftë ka qenë Europa për t’i bërë ballë dhe zgjidhur problemin, që në fund të fundit është i vogël.

Kriza greke është “një problem i vogël”?

Bëhet fjalë për 2% të GDP-së së Europës. Qeverisja europiane ka qenë inekzistente. Ka munguar një lidership franko-gjerman, ose më saktë franko-italo-gjerman. Tani jemi përballë një muri.

Përse është shumë vonë?

Imazhi i qeverisjes europiane është njollosur. Cfarë besueshmërie ka eurozona në tregje, pas këtij baleti të gjatë dhe rraskapitës? Propozimi franko-gjerman për një integrim më të madh të eurozonës më duket një hap i detyrueshëm, edhe pse jo mjaftueshëm i guximshëm. Kam frikë se dëmet e krizës greke do të jenë jetëgjatë. Plus që ka dhe një tjetër detaj.

Cili?

Nëse do të ketë një marrëveshje, do të duhet të ratifikohet nga parlamentet e shteteve. Nuk dimë si do të votojnë deputetët gjermanë apo finlandezë. Pasiguria mund të vazhdojë.

A ka një përgjegjësi edhe të Tsiprasit?

Erdhi në pushtet i papërgatitur. Ka ndryshuar disa herë mendje, shpesh herë duke rënë në kontradiktë me veten. Ndoshta ka një dilemë të dyfishtë, politike dhe private: bashkëshortja e tij (Betty Batziana, militante komuniste) është kundër Europës. E kuptoj që nuk ka qenë e lehtë për Jean-Claude Junckerin që të kryejë një tratativë me një njeri kaq pak të besueshëm.

A mund t’i mbijetojë eurozona Grexit-it?

Rreziku nuk është i menjëhershëm, por do të vijë kur të ndodhemi përballë një tjetër krize të borxheve, që mund të jetë në Itali ose në Francë. Në atë pikë, kredidhënësit do të pyesin se si mundet një Europë që nuk diti të menaxhojë borxhin grek, të arrijë të mbrojë vende me dimensione shumë më të mëdhenj?

La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button