Magazine

INTERVISTA / “Jo vetëm progres. Na duhet një tjetër utopi”

Intervistë me teoricienin francez, Michel Serres, që përballë krizës aktuale dhe rreziqeve të përplasjeve të reja, propozon një filozofi të historisë alternative: të hapur dhe optimiste

Në këto kohë të vështira krize dhe pasigurie, filozofi Michel Serres përpiqet që të shohë realitetin me tjetër sy, duke ndryshuar perspektivën dhe vlerësuar atë që ne shumë shpesh priremi ta harrojmë: epokën e paqes dhe progresit që përjetojmë për më shumë se shtatëdhjetë vjet. Ai e shpjegon me inteligjencë dhe pasion në librin e ri të titulluar “Darvini, Napoleoni dhe Samaritani”, që propozon asgjë më pak, se një filozofi të re të historisë, e përshtatshme për ecurinë e çrregullt të kohës që jetojmë. Pas përfundimit të narrativave të mëdha, ai që Le Monde e ka quajtur “një Montaigne i epokës dixhitale”, ndjen nevojën për t’i rikthyer kuptimin asaj që ne jemi bërë dhe perspektivën – relative e të përkohshme – gjendjes njerëzore.

I vetëdijshëm për rreziqet e një operacioni të tillë, arsyetimi i Serres nis nga një reflektim mbi të kaluarën dhe iluzionet e tij: “Në shekujt nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, filozofitë e historisë kanë çuar në rrugë pa krye dhe në katastrofa. Të lindura nga filozofia e Iluminizmit, kanë prodhuar një ide të progresit të pashmangshëm dhe konstant, që predikonte një botë në përmirësim të vazhdueshëm. Hiroshima e bëri copë këtë iluzion, duke shënuar fundin e kësaj filozofie. Që atëherë ne e dimë se çmimi i progresit është nganjëherë shumë i lartë”, thotë autori i “Kjo nuk është një botë për pleq”. “Pra, sot ne nuk kemi një filozofi të vërtetë të historisë dhe nuk kemi një drejtim për të ndjekur. Politikës gjithashtu duket se i mungojnë idetë. Dhe në qoftë se politikanët nuk janë më në gjendje të qeverisin, kjo ndodh për shkak se, ne nuk kemi projekte dhe utopi. Për këtë arsye, ne kemi nevojë për një filozofi të re të historisë”.

Ju propozoni një, që është më lineare ose njëkalimëshe. Eshtë një filozofi e historisë që ka humbur siguritë e saj?

“Në Hiroshima kemi zbuluar se përparimi shkencor, në vend që të jetë gjithmonë pozitiv, mund të bëhet vrasës. Por pas tragjedisë atomike është gjithashtu e vërtetë se disa njerëz të jashtëzakonshëm filluan ndërtimin e një Europe të bashkuar, që na mundësoi të jetojmë në paqe për shtatë dekada. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë. Duke i nisur nga këto dy risi të kundërta, kam ri-lexuar historinë e kohëve të fundit në një perspektivë tjetër, duke zhvilluar një filozofi të historisë, në të cilën marrëdhënia hapësirë / kohë është komplekse dhe relative. Prej këtu, ideja e progresit nuk është më lineare, pa një fund: vetëm një tërësi mundësish me shenja të ndryshme. E ardhmja si e shoh unë, është e përbërë nga peisazhe konfliktuale dhe kontradiktore”.

Çfarë ndryshon ky vetëdijësim?

“Për shembull, na lejon ta shikojmë historinë e kaluar nga pikëpamja e viktimave. Në të kaluarën jemi interesuar vetëm për fituesit, që mishëronin kuptimin e historisë. Por unë, kur mendoj për Napoleonin, nuk mendoj për pushtimet, por vdekjet e panumërta që shkaktuan. Vëmendja ndaj viktimave na ndihmon që të jemi i vetëdijshëm për atë që, paqja është një mall i çmuar, të cilin duhet ta ruajmë dhe mbrojmë me çdo kusht. E njëjta gjë vlen edhe për ruajtjen e planetit. Kuptoni se historia nuk është një progresion linear, gjë e cila duhet të na shtyjë të bëjmë edhe më shumë, për të mbrojtur ekosistemin tonë. Me pak fjalë, ne gjithmonë duhet të jemi vigjilentë, sepse çdo gjë është shumë më e vështirë se sa e kemi menduar. Historia nuk përparon vetëm drejt të mirës dhe progresit”.

Kjo do të thotë se individët kanë një përgjegjësi të re dhe më të madhe, për secilën nga zgjedhjet e tyre?

“Nuk ka më një arsye të historisë, që ne vetëm duhet ta shoqërojmë, siç e mendonin Hegeli dhe Marksi. Jemi ne që duhet të shpikim historinë, kjo është përgjegjësia jonë e re. Përveç kësaj, pas nesh nuk është vetëm një histori që filloi me shkrimin, por është e gjithë historia e planetit, kodet e të cilës janë në çdo gjë. Prandaj tërësia e botës natyrore është pjesë e trashëgimisë sonë. Prandaj, ne duhet të kujdesemi për atë”.

Napoleonit, simbol epokës së luftës dhe dhunës, ju i kundërvini disa heronj pozitivë, që do të ishin simbole të paqes së epokës…

“Epoka jonë është mbi të gjitha ajo e mrekullisë së mjekësisë. Samaritani i cili kujdeset për atë që vuan është simbol i këtij qëndrimi ndaj të tjerëve, ndjeshmërisë për të tjerët. Unë gjithashtu kujtoj François de Callieres, që në shërbim të Luigjit XIV, shkroi një traktat mbi artin e negociimit. Ajo është simbol i diplomacisë që synon të shmangë me çdo kusht luftën. Së fundi,  kam zgjedhur si heroinë tëtretë të epokës tonë të paqes Thumbelinën, vajzën e vogël që i përdor dhe monitoron teknologjitë e reja, duke hapur kufij dhe perspektiva të reja”.

Në reflektimin tuaj ndihen jehona të pesimizmit të arsyes dhe optimizmit të vullnetit të Gramscit. A është kështu?

“Ajo e Gramscit mund të jetë motoja ime. Sot në Francë dominon pesimizmi, unë do të doja t’i kundërvija një optimizëm të vrullshëm, që duhet në radhë të parë të jetë një mjet për të luftuar në emër të paqes dhe ruajtjes së planetit”.

Në realitet, megjithatë, shpërthen shpesh dhuna e verbër dhe pa dallim.

“Ne jemi të gjithë bartës të dhunës dhe në secilin prej nesh ka një dimension që mund të kthehet në dhunë. Njerëz të respektueshëm mund të bëhen kafshë vrasëse. Gjermania para luftës ka qenë në ballë të artit dhe filozofisë, por ajo u besoi nazistëve. Kultura nuk parandalon barbarizmin, gjithmonë duhet të jemi vigjilentë. Filozofia e historisë që kam përshkruar na ndihmon për të luftuar dhunën potenciale që është brenda nesh. Historia e kaluar është një sekuencë gjaku dhe lotësh, nga e cila kemi dalë vetëm kohët e fundit. Vetëm në qoftë se kemi vetëdije, do të mbajmë nën frerë dhunën që është brenda nesh. Vetëm duke parë në të kaluarën, do të shmangim përsëritjen e të njëjtave gabime në të tashmen”.

A nuk ju duket se terrorizmi shpreh një dhunë të pakontrollueshme, për të cilën kemi pak mundësi të ndërhyjmë?

“Kjo është e vërtetë, por duhet thënë se sulmet nuk janë të reja për kohën tonë. Historia e kaluar është e mbushur me to. Përveç kësaj, dhuna e terrorizmit duhet vënë përsëri në një perspektivë historike. Sado që sulmet e fundit janë një tragjedi e dhimbshme, me dhjetëra viktima në Paris, Manchester, Nicë apo në Londër nuk janë asgjë përpara bombardimit të Dresdenit që shkaktoi dyqind mijë të vdekur në një natë, ose Betejës së Napoleonit në Borodino që vrau dhjetëra e mijëra njerëz, në një ditë të vetme. Sot vdekja nga lufta ose terrorizmi është e fundit e shkaqeve të vdekshmërisë. Ne jetojmë në një kohë paqeje. Dhe në qoftë se viktimat e sulmeve janë të pafajshëm, për fat të keq po të tillë ishin viktimat në Hiroshimë. Thënë kjo, është e qartë se duhet të bëhet çdo gjë, për të luftuar dhe parandaluar dhunën e terrorizmit”. / La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button