Analiza

INTERVISTA ROBERT KAPLAN / “Obama po rikthehet në shina. Politika e jashtme nuk është filantropi”

intervista robert kaplan“Këtë herë, Obama ka bërë gjënë e duhur duke rikonfirmuar aftësinë e SHBA për të vepruar, të paktën në Azinë Lindore, si një forcë me aftësi imperiale për të stabilizuar një zonë shumë të rëndësishme të botës: u ka dhënë siguri aleatëve, i ka dërguar një mesazh të qartë Kinës, ka forcuar angazhimin ushtarak amerikan në Paqësor”. Në fund të një udhëtimi të gjatë në Japoni, Kore, Malajzi dhe Filipine, presidenti amerikan është shfaqur i irrituar për kritikat që ka marrë: shumë i dorëzuar në krizën ukrainase, shumë pak i vendosur në Azi, në zonën që e ka vënë në qendër të interesave të tij. Por Robert Kaplan, analisti i shquar i qendrës së studimeve strategjike të Stratfor, një prej penave më të rëndësishme të “The Atlantic” dhe autor i shumë librave për Azinë, është një zë kundër rrymës: ndonëse e kritikoi Obamën, vetëm një muaj më parë dhe pikërisht tek “The Atlantic”, duke e quajtur si presidencën e parë post-imperiale të SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore e deri sot, tani ai korrigjon shënjestrën: “Udhëtimi i tij ishte i domosdoshëm për besueshmërinë e SHBA dhe presidentit të vet. Do të ishte e papërgjegjshme mosvajtja, pas shtyrjes  që i bëri vjeshtën e kaluar, qe ishte imponuar prej shkurtimeve në buxhet”.

Shtypi duket i zhgënjyer: një mision pa shumë bujë, një marrëveshje ushtarake me Filipinet që “New York Times” e ka gjykuar modeste. Dhe tani, kritika per shpërqëndrimin nga kriza ukrainase.

Presidenti i SHBA nuk mund të kufizohet në veprime, kur ka një krizë. Nuk mund të heqë dorë nga vizita në Azi, sepse ka një përplasje në Ukrainë. Nuk bëhet kështu politika e jashtme: Azia është tashmë shumë e rëndësishme për organizimin e të gjithë ekonomisë botërore. Dhe Japonia, Korea dhe Filipinet janë të lidhura me SHBA prej traktateve: duhej të shkonte. Politika e madhe nuk bëhet vetëm me deklaratat pompoze, por edhe me një veprimtari konstante “mirëmbajtjeje”: duhen krijuar marrëdhëniet, duhen mbajtur hapur kanalet. Dhe duhen dhënë siguri, padyshim. Duke i shfaqur mbështetjen e tij Japonisë, Obama ka dhënë një kontribut për stabilitetin e rajonit. Për shembull, ka reduktuar rrezikun e reagimeve të pamatur të Tokios, që mund të ndodhte ndoshta prej pasigurisë. Dhe mos nënvlerësoni marrëveshjen me Filipinet: po rikthehemi në një situatë të ngjashme me atë që kishim në atë vend përpara vitit 1992, kur amerikanët u dëbuan nga baza detare e Subic Bay. Prani tranzitore, dakord, por është pikërisht ajo që shërben sot: kohët kanë ndryshuar.

Megjithatë, presidenti duket i zemëruar nga reagimi i medias. Ndoshta edhe sepse, që në konferencën e parë për shtyp, e pyeten se me mbrojtjen e ishujve të detit kinez që kontrollohen nga Japonia, por që i pretendon Kina, Uashingtoni është duke caktuar “një vijë të kuqe” e destinuar të mos respektohet, siç ndodhi me atë që u hoq për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Obama ka të drejtë të ndihet i zemëruar: shtypi preferon veprimin, e do gjithmonë dhe kudo. Përse nuk bëjmë më shumë në Ukrainë? Përse nuk ndërhyjmë në Republikën e Afrikës Qendrore? A shkojmë të bëjmë xhandarin në Siri? Nuk menaxhohen kështu çështjet ndërkombëtare. Politika e jashtme nuk është filantropi. Nuk urdhërohet përdorimi i forcës me një telefonatë në numrin 911.

Edhe ju, kohët e fundit keni qenë kritik ndaj Obamës për pasiguritë e tij. Në shkrimin e fundit tek “The Atlantic” keni mbrojtur logjikën imperiale: perandori që nga Roma e lashtë, tek Habsburgët dhe Otomanët kanë qeverisur botën duke garantuar një masë të madhe stabiliteti dhe shuarje të tensioneve të brendshëm, falë strukturës së tyre shumëetnike. Shtetet që kanë zëvendësuar perandoritë në përgjithësi kanë qenë më të lirë dhe më demokratikë, por shpesh herë nacionalizmat kanë përmbysur gjithçka. Pastaj, ju kritikoni Obamën se ka braktisur rrugën e një “imperializmi të butë”.

Eshtë e vërtetë, por me udhëtimin në Azi i është rikthyer kësaj rruge. Sigurisht, ndonjëherë presidenti është shfaqur i dobët dhe i pavendosur. Ndodhi për shembull në rastin e Ukrainës. Gjatë udhëtimit të fundit në Europë, ai mbajti një fjalim të dobët në Bruksel. Dhe mendoj që duhej të kishte modifikuar edhe itinerarin e tij, të shkonte dhe në Poloni dhe Republikat balltike. Sërish, besoj që ka qenë gabim përjashtimi në mënyrë eksplicite i një angazhimi ushtarak të SHBA në Ukrainë. Të kuptohemi, në thelb Obama ka të drejtë, por një kundërshtari si Putini nuk i thuhet: “Shiko, mos u shqetëso, ne nuk do të ndërhyjmë”. Kundërshtari nuk duhet të dijë me siguri se çfarë do të bësh. Kjo e ka dobësuar.  Dhe ka prodhuar dyshime edhe në lidhje me vendosmërinë e tij, në rast krize në ishujt e detit të Kinës.

Një Obamë postimperial, ndoshta edhe sepse drejtimi i një perandorie kushton shumë? Dhe me teknologjinë e avionëve pa pilot dhe aftësinë e NSA për të kapur të gjithë llojet e komunikimit, Amerika tani mund të godasë armiqtë, pa një rrjet të madh bazash ushtarake?

Teknologjia është duke e ndryshuar ekuacionin dhe Pentagoni duhet që të ridimensionojë angazhimin e tij për shkak të shkurtimeve në buxhet. Por forcat ajrore dhe detare amerikane vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjithë qoshet e botës, siç ka ndodhur gjithmonë në dekadat e fundit. Obama është më i kujdesshëm kur flitet për përdorimin e trupave në terren, por nuk është bërë izolacionist. Në mandatin e tij të dytë kisha vënë re një tendencë për të ridimensionuar angazhimin e Amerikës, por më duket se tani po ndërron sërish drejtim. Po rikthehet në shina.

Leave a Reply

Back to top button