Analiza

INTERVISTA / Unë, presidente?

Intervistë me një kandidate të mundshme. Sexgate, blici kundër bin Ladenit, marrëdhëniet me Putinin dhe me Berluskonin. Ndërkohë që del biografia e saj, bashkëbisedim me një grua që, në moshën 67 vjec, është gati për një betejë të re.

une presidenteVittorio Zucconi

“Dëgjo mami, tani mjaft më, më lër të qetë të lutem, nuk je e para që bëhesh gjyshe”. Qesh, me atë të qeshurën rrëzëllitëse, zonja që ëndërron të udhëheqë Amerikën, por që nuk mundet as t’i japë këshilla të bijës Chelsea, pesë muajshe shtatzënë. Dhe në ankthin e saj si gjyshe e ardhshme për të vjellat, ekografitë, shkelmimet e veckël, testet para lindjes, ashtu si ndodh me miliona gjyshe, Hillary Rodham Clinton del nga historia dhe nga kronika, të cilën edhe ajo prej një gjenerate e ka shkruajtur dhe e ka vuajtur dhe që do të donte të vazhdonte ta shkruante, për t’u rifutur në botën ku jetojmë ne të tjerët.

Ju, a jeni gjysh? Më pyet në suitën e Hotel Peninsula në Manhattan, aty ku e takoj për një intervistë ekskluzive për revistën Venerdi di Repubblica. “Po, Madam Secretary”, siç dëshiron që ta thërrasin, prej detyrës së fundit që ka patur si Sekretare Shteti. Sa nipër? “Gjashtë”. Epo atëherë mund të më jepni ndonjë këshillë. Më falni, Madamë, por jam unë ai që do ju intervistoj juve. “Ah po (qesh), keni të drejtë. Ju lutem rehatohuni”.

Që tani e di, sepse e kanë pyetur me mijëra herë, sidomos tani pas daljes së librit të saj “Hard Choices” (që ka shitur një milion kopje në vetëm një javë), se nuk do të pranojë zyrtarisht që do të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016. Por mund të vërtitemi e t’i afrohemi gjithnjë e më shumë, si një tribu në natën e fshatit global, përreth zjarrit.

Përse vallë një person i shëndetshëm mendërisht, e kulturuar, eksperte, që ka parë dhe përjetuar tmerret e fushatave elektorale nga brenda, duhet të vuajë sërish ato tortura e të bëhet Presidente?

Sepse mendon, beson në mënyrë të palëkundur se mund të bëjë ndryshimin për mirë në jetën e kombit të vet, duke ulur pabarazitë, duke shpërndarë më shumë drejtësi.

Për këtë arsye ju mund të garoni?

Nuk ka arsye tjetër, për t’u përpjekur për t’u zgjedhur në demokraci, përveç kësaj: të bësh ndryshimin për më mirë në vendin tënd, asnjë arsye tjetër. Ose përndryshe është vetëm ambicie, vanitet, dëshirë për pushtet. Janë ato gjëra që e bëjnë politikën të errët, që ua shpifin zgjedhësve, që i shndërrojnë politikanët në personazhe që qytetarët i përbuzin, sepse i shohin si personazhe që ndjekin vetëm interesat e tyre.

Dhe e vuajnë demokracitë tona.

Lindin populizmat, rilindin nacionalizmat, demagogët që vënë në rrezik mirëqenien e të gjithëve ne.

Por pastaj e bëjnë, apo a e bëni, këtë dallim të bekuar?

Kur Billi doli nga Shtëpia e Bardhë, la një Amerikë më të begatë nga sa e kishte gejtur, me shtatë milionë të punësuar më shumë, me bilancin pozitiv, marrëdhënie të mira me pjesën tjetër të botës. Tani më thoni ju nëse kur George Bush u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai e la Amerikën në gjendje më të mirë. Mjafton të mendoni katastrofën e Irakut. Vetëm një i verbuar nga partitizmi mund ta thotë.

Imagjinoni, Madamë, një duel Klinton dhe një tjetër Bushi në vitin 2016. Bota do të qeshte me rikthimin e dinastive.

Do të ishte interesante, kushedi, do të varet nga zgjedhësit amerikanë.

Shumë gra, shumë bashkëshorte, nuk do ta kishin pranuar poshtërimin e atyre orëve të skandalit Levinski, qofshin Zonja të Para, qofshin gra të zakonshme. Përse ju, Hillary, vendosët të qëndroni në krah të Billit, në vend që të largoheshit?

(Nuk qesh më). Janë zgjedhje personale, tërësisht personale. Respektoj ato që do të bënin një tjetër zgjedhje. Unë mora vendimin që ishte i drejtë për mua. Edhe 16 vjet më vonë, nuk kam asnjë dyshim se mos kam marë vendimin e gabuar, në kontekstin e historisë sonë si çift, që kur kemi qenë studentë në Yale, në raport me vajzën që përpiqeshim të rrisnim, të marrëdhënies time me të.

Nuk menduat asnjëherë që ta linit?

Kam menduar për gjithçka, për pro-të dhe për kundra-t dhe nëse tani them që jam e bindur për atë vendim për të qëndruar, nuk dua të them se nuk ishte një zgjedhje e dhimbshme. Shumë e dhimbshme.

A jeni vetëdijësuar që ishit ju që shpëtuat presidencën e bashkëshortit tuaj, se miliona gra shihnin nga ju, për të vendosur nëse duhej ta braktisnin Klintonin, apo të vazhdonin ta mbështesnin?

Shumë gra e dinë se të gjithë bëjnë gabime, por që jo të gjithë gabimet dalin në një skenë globale dhe që shfrytëzohen për qëllime politike. Ato panë gabimin e një qenieje njerëzore, dhe jo të një presidenti.

Pasojat do të ishin shumë të mëdha.

E di, e dija. Do të kish patur pasoja shkatërrimtare për sistemin tonë të qeverisjes, për ndarjen e pushteteve, dhe ishin të shumtë ata, jo vetëm gratë, që arritën të shohin përtej skenarit politik.

Madamë Sekretare, çfarë është dashuria bashkëshortore pas pothuajse 40 vitesh martesë?

O Zot, është një dhuratë shumë e madhe, por për të cilën duhet punuar çdo ditë. Nuk bie nga qielli, siç besohet ditën e martesës.

Cfarë mbetet nga ai moment, nga ata premtime, nga ato ëndrra?

Gëzimi që ke përshkuar së bashku shumë prova dhe që di ende të qeshës së bashku në një marrëdhënie më të thellë dhe komplekse.

Duke parë që nga pjesa tjetër mbetet shumë pak?

Eh, po… (qesh).

Kaloni shumë kohë me Billin?

Sa më shumë që të mundemi.

C’përgjigje si politikane, Madamë.

Jo, vërtetë. Jemi që të dy shumë të zënë me punë, përpiqemi të kombinojmë agjendat tona, të dalim për drekë, të kemi disa orë për të biseduar të vetëm në shtëpinë tonë, sikur të merrnim takime prej të fejuarish.

Arrin ende t’ju bëjë të qeshni?

Shumë. Por edhe unë arrij ta bëj të qeshë.

Nuk qeshte kjo grua ditën kur shihte drejtpërdrejtë, bashkë me të tjerë, në Situation Room të Shtëpisë së Bardhë, aksionin e vrasjes së Osama bin Ladenit. Në fotografinë që u bë publike, shfaqet Hillary me dorën tek goja, në një gjest ankthi.

Pamë gjithçka në kohë reale, helikopterët që uleshin në oborrin e shtëpisë ku ndodhej Osama, Seals-at tanë që hynë në godinë, por arrita gjithësesi të mbaj veten e mbylla gojën, me qëllim që zemra të mos më dilte jashtë…

Përse duhej vrarë ashtu dhe duhej hedhur kufoma në oqean?

Mund ta kishim shkatërruar atë shtëpi me raketa, por nuk do të kishim asnjëherë sigurinë që edhe ai do të kishte vdekur. Tani e kemi.

Por më vonë, ashtu si edhe për 11 shtatorin, dolën shumë teori komploti.

Po cili është ai njeri i shëndoshë mendërisht që mundet t’i pranojë? Ju, unë, të gjithë ata që dinë ende të arsyetojnë nuk mund t’u besojnë këtyre marrëzive.

E megjithatë ajo dorë në gojë, në një reagim instiktiv tmerri, dukej sikur sinjalizonte, në krahasim me meshkujt që merrnin pjesë në Operation Zero Dark Thirty, një element feminiliteti, diversiteti, ndoshta mëshire. Si do të ishte e ndryshme një grua presidente, nga një burrë president?

Ah! Nuk kemi patur asnjëherë një grua presidente, si mund ta di? Ma thoni ju, çfarë kanë bërë gratë presidente në Itali…?

Në fakt…

Pikërisht. Nuk mund ta dimë. Por di që një grua në Shtëpinë e Bardhë do të sinjalizonte që tavani i fundit i kristalit është thyer, ashtu si Obama theu barrierën racore, dhe që një grua në krye të shtetit mund të thoshte më në fund që premtimi i Kushtetutës, për barazi mes qenieve njerëzore pa dallim race, gjinie dhe feje, është mbajtur.

Ai premtim që Europa politika duket se e shpërfill. A do të mbijetojë Bashkimi Europian? Po ju pyes ju, që për katër vite keni qenë fytyra dhe mendja e politikës së jashtme amerikane.

Nëse do që të mbijetojë, duhet të ndryshojë shumë. Duhet të rikthehet pranë qytetarëve, pranë shqetësimeve dhe kërkesave të tyre, të dalë nga mbërthimi i burokracisë, nga largësia e institucioneve. Dua të shpresoj që do ia dalë, sepse bota do të kishte nevojë për një Europë të gjallë e të fortë, por duhet të ndryshojë dhe duhet ta bëjë sa më shpejt. Të kthehemi te pyetja juaj fillestare për diskreditimin e politikës dhe rritjen e populizmave: zgjedhësit zgjedhin njerëz që më pas injorojnë arsyet përse janë zgjedhur dhe pastaj nuk mund të ankohen.

I besoni Putinit?

Aspak dhe për asgjë.

Po për Berluskonin, për të cilin nga dokumentat e ËikiLeaks nuk duket se keni patur vlerësim, çfarë kujtimi dhe mendimi keni?

Me të gjithë problemet e tij, Berluskoni ka qenë një mik besnik i Amerikës, mendoni pak Libinë.

Duket si cinizmi historik i Superfuqisë, që nuk ka miq të përjetshëm, por vetëm interesa të përjetshëm.

Ishim të shqetësuar sepse ai ndihej i fyer, ndoshta i shtyrë për veprime të gabuar, por ishte një mik i mirë. Dhe mos provoni të më bëni të flas ndryshe për të. /Venerdi di Repubblica/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

 

 

 

Leave a Reply

Back to top button