Trembëdhjetëvjeçarët po përballen me një sasi “jashtëzakonisht të dëmshme” përmbajtjesh mbi shëndetin mendor në mediat sociale, duke përfshirë video që ekspertët besojnë se mund t’i çojnë adoleshentët e rinj në depresion ose vetëvrasje.
Një investigim nga gazeta The “iPaper” mbi përmbajtjet në mediat sociale që u ofrohen fëmijëve krijoi një llogari fiktive në TikTok për një djalë tipik 13-vjeçar. Brenda minutash, një breshëri videosh shqetësuese iu dërguan atij duke vënë në dyshim gjendjen e tij mendore.
Llogaria e tij u bombardua me përmbajtje potencialisht të rrezikshme me një ritëm prej një videoje në çdo dy minuta. Kjo ndodhi pa asnjë kërkim nga ana e përdoruesit, për informacione mbi çështjet e shëndetit mendor.
Llogarisë së “djalit” iu paraqitën video për ndjenja depresioni ose vetmie, duke përfshirë referenca për vetëvrasje, me videon e parë të tillë që shfaqej pas më pak se 90 sekondash nga hyrja në aplikacion.
Shtatë video që trajtonin depresionin u shfaqën brenda më pak se 45 minutash – një në çdo gjashtë minuta.
Video “motivimi” agresive, të popullarizuara nga influencuesi kontrovers Andrew Tate, u shfaqën gjithashtu në mënyrë të përsëritur. Brenda 45 minutash, llogarisë iu ofruan dymbëdhjetë video për “maskulinitetin toksik” që promovonin rëndësinë e fshehjes së emocioneve dhe ndërtimit të forcës fizike.
Këto zbulime janë pjesë e një investigimi më të gjerë mbi sigurinë online të fëmijëve, i cili gjithashtu zbuloi se llogaria në Instagram e një vajze fiktive 13-vjeçare u ekspozua ndaj videove të thjeshtëzuara për çrregullime si ADHD dhe autizmi.
Psikologët shqetësohen se disa fëmijë që shikojnë këtë përmbajtje mund të besojnë gabimisht se kanë këto çrregullime komplekse, duke shkaktuar ankth dhe shqetësim.
Zbulimet tregojnë se llogari të tjera adoleshentësh mund të jenë targetuar në mënyrë të ngjashme, dhe kanë nxitur thirrje nga deputetë dhe aktivistë që kompanitë e mediave sociale të veprojnë me urgjencë për të forcuar kufizimet për llogaritë e fëmijëve.
Ekspertët besojnë se algoritmi i TikTok-it promovon në mënyrë të përsëritur video për depresionin për llogaritë e fëmijëve 13-vjeçarë, sepse të dhënat sugjerojnë që djemtë e rinj janë më të prirur të angazhohen me këtë përmbajtje, ose ta kërkojnë atë.
Helen Hayes, kryetare e Komisionit për Edukimin në Parlamentin britanik tha:
“Provat dërrmuese të zbuluara nga ky hetim tregojnë se si platformat më të njohura të mediave sociale vazhdojnë të çojnë përmbajtje drejt fëmijëve që aktualisht janë të ligjshme, por të dëmshme, që krijojnë shumë varësi, ose që përhapin keqinformim rreth mirëqenies së tyre.”
Babai i Molly Russell, një vajzë 14-vjeçare që vdiq nga një akt vetëlëndimi pasi kishte parë përmbajtje të dëmshme online, shkroi fundjavën e kaluar një letër për Keir Starmer, duke paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar “po ecën mbrapsht” në sigurinë online.
Ian Russell deklaroi: “Rrymat e përmbajtjes që shohin fëmijët së shpejti do të shndërrohen në përmbytje – një katastrofë dixhitale.”
Ai është kryetar i Fondacionit Molly Rose, i cili, së bashku me dy psikologë të njohur, analizoi videot e shfaqura për fëmijët fiktivë të krijuar për këtë investigim. Ata thanë se provat e zbuluara ngrejnë shqetësime serioze dhe bënë thirrje që kompanitë e mediave sociale të sigurojnë që të gjitha llogaritë e adoleshentëve të caktohen automatikisht në nivelin më të kufizuar të përmbajtjes. Aktualisht, përveç Instagram-it, është në dorë të adoleshentëve ose prindërve të tyre që të aktivizojnë këto cilësime.
Andy Burrows, kreu i Fondacionit Molly Rose, tha:
“Kur shikohen njëra pas tjetrës, keto përmbajtje mund të jenë jashtëzakonisht të dëmshme, veçanërisht për adoleshentët që po luftojnë me probleme të shëndetit mendor, për të cilët ajo mund të forcojë ndjenjat negative dhe t’i bëjë të ndihen të pashpresë”.
“Kur vendos detyrimet për sigurinë e fëmijëve, Ofcom duhet të marrë parasysh se si përmbajtja e sugjeruar algoritmikisht mund të formojë një përzierje toksike.”
Në përgjigje të investigimit, Ofcom, i cili së shpejti do të marrë kompetenca për të gjobitur kompanitë e mediave sociale nëse shkelin rregullat e reja ligjore për sigurinë online, kritikoi platformat për përdorimin e algoritmeve për të shtyrë përmbajtje të tillë.
Një zëdhënës tha: “Algoritmet janë një rrugë kryesore drejt dëmit… Ne presim që kompanitë të jenë të gatshme të përmbushin detyrimet e tyre të reja për sigurinë e fëmijëve kur ato të hyjnë në fuqi.”
Shumë njerëz i drejtohen mediave sociale për ndihmë me shëndetin e tyre mendor. Sidoqoftë, ndërsa videot e promovuara në profilin e djalit adoleshent amplifikuan ndjenjat e trishtimit, ato nuk drejtonin shikuesit drejt burimeve të ndihmës.
Një video e tillë tregonte një fletore shkollore mbi një tavolinë me një zë të butë femëror në sfond që thoshte:
“Depresioni mund të jetë i padukshëm. Është si të shkosh në punë ose shkollë dhe të shkëlqesh në gjithçka që bën, por të shpërbëhesh krejt, kur je kthyer në shtëpi. Është si të jesh personi më argëtues në dhomë, ndërsa ndihesh bosh nga brenda.”
Postime të tjera përshkruanin zëra mashkullorë duke bërtitur për faktin se ndiheshin një dështim. Një prej tyre qante duke thënë se donte të vriste veten:
“A e di sa e vështirë është të thuash thjesht dikujt… që nuk do të jesh më këtu?”
Një tjetër video luante muzikë emocionuese ndërsa tregonte një mesazh:
“Ndjej sikur jam asgjë… Jam i shteruar, i humbur, po përpiqem të jetoj. Nuk jam kurrë i lumtur, gjithmonë thjesht shtirem. Gjithmonë i mërzis njerëzit, i zhgënjej, bëj gabime, ndiej sikur diçka nuk shkon me mua.”
Psikologia klinike Dr Nihara Krause, e cila ka krijuar disa aplikacione për shëndetin mendor dhe punon me Ofcom, tha se ndikimi te një adoleshent që i sheh këto video në mënyrë të përsëritur është shumë serioz.
“Nëse shfaqet diçka çdo gjashtë minuta dhe je në një gjendje shumë të ndjeshme mendore, mund të bëhet tërheqëse për një person të ri në një mënyrë të tmerrshme,” tha ajo.
Raporti i fundit i Ofcom zbuloi se 22 për qind e fëmijëve të moshës 8 deri në 17 vjeç gënjejnë duke thënë se janë mbi 18 vjeç në aplikacionet e mediave sociale.
Por investigimi tregon se edhe kur një person i ri hyn në një aplikacion me një llogari për fëmijë, atij i shtyhet përmbajtje e papërshtatshme, madje pa e kërkuar këtë.
TikTok dërgoi lidhje për përmbajtjet e dëmshme të shfaqura në llogarinë e djalit dhe hoqi disa prej tyre, të cilat pranoi se kishin shkelur rregullat e tij të sigurisë.
Një zëdhënës i kompanisë tha:
“TikTok ka cilësime sigurie lider në industri për adoleshentët, duke përfshirë sisteme që bllokojnë përmbajtje që mund të mos jenë të përshtatshme për ta, një limit të paracaktuar prej 60 minutash për kohën e përdorimit ditor dhe mjete për që prindërit mund të përdorin për të vendosur kufizime shtesë të përmbajtjes.”
Instagram nuk komentoi, por kohët e fundit lançoi llogaritë për Adoleshentët, të cilat reklamohen si me mbrojtje të integruara për këtë grupmoshë.
Një zëdhënës i qeverisë tha:
“Fëmijët duhet të mbrohen online. Gjatë muajve të ardhshëm, Akti i Sigurisë Online do të vendosë mbrojtje të forta për fëmijët dhe do të bëjë përgjegjëse kompanitë e mediave sociale për sigurinë e përdoruesve të tyre.”
Investigimi
Gazeta The i Paper përdori një telefon të ri dhe krijoi një adresë të re emaili dhe llogari në mediat sociale për fëmijët fiktivë të përdorur në eksperiment.
Mosha e tyre u vendos 13 vjeç në aplikacione, në pajisje dhe kur u krijua adresa e emailit. Duhet të jesh të paktën 13 vjeç për të hapur një llogari në këto aplikacione. As llogaria dhe as pajisja nuk u përdorën për të kërkuar përmbajtje specifike.
Përmbajtja që iu shfaq llogarisë u pa ose u kalua, varësisht nëse do t’i tërhiqte një 13-vjeçari mesatar. Kjo pjesërisht u bazua në kërkime të Ofcom mbi atë çfarë është popullore tek fëmijët e kësaj grupmoshe online.
U shpenzuan gjithsej 45 minuta në TikTok dhe Instagram gjatë disa sesioneve të shkurtra në kohë të ndryshme kur një fëmijë mund t’i përdorte, si fjala vjen, pas shkollës. / bota.al