Analiza

“Iraku rrezikon të pushojë së ekzistuari”

Mideast Iraq Sectarian HatredsMegjithëse militantët islamikë vazhdojnë t’i afrohen Bagdadit, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkoi në kryeqytetin e Irakut për të premtuar përkrahjen “intensive” amerikane për luftën e Irakut kundër grupit Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, ISIL. Ai e quajti ISIL-in një kërcënim ekzistencial për Irakun pas takimit me kryeministrin Nuri al-Maliki dhe zyrtarë tjerë të lartë.

Sekretari Kerry vendosi barrën e luftës kundër grupit Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit mbi udhëheqësit politikë të Irakut, duke u kërkuar atyre të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse. Ai kritikoi kryeministrin Nuri al-Maliki për lënien e myslimanëve suni dhe kurdëve jashtë procesit qeverisës, por këmbënguli se formimi i qeverisë së re “varet nga populli i Irakut”.

E ardhmja e vendit, këmbënguli ai, do të varet nga bashkimi i udhëheqësve irakianë në luftën kundër militantëve. “E ardhmja e Irakut varet nga vendimet që do të merren në ditët dhe javët e ardhshme, dhe e ardhmja e Irakut varet kryesisht nga aftësia e udhëheqësve të Irakut për t’u bashkuar dhe për të mbajtur një qëndrim të përbashkët kundër ISIL-it. Tani e jo në javën e ardhshme apo muajin e ardhshëm”.

Kryeministri Maliki po ndeshet me një trysni politike në rritje për të dhënë dorëheqjen nga grupet suni dhe shiite. Megjithatë, Irani fqinj nuk ka treguar shenja të rënies së mbështetjes për zotin Maliki dhe insiston se ai do të punojë për të formuar një qeveri të re brenda afatit kushtetues të një korrikut.

Përkundër kritikave ndaj zotit Maliki, Sekretari Kerry rezervoi fjalët e tij më të rënda për grupin militant suni, ISIL, i cili ka pushtuar pjesë të mëdha të territorit të Irakut dhe ka shkaktuar viktima të shumta. “Fushata e terrorit e grupit ISIL, aktet e tyre groteske të dhunës dhe ideologjia e tyre shtypëse paraqet një rrezik të madh për të ardhmen e Irakut. ISIL nuk është duke luftuar në emër të myslimanëve suni, ashtu siç pretendon. ISIL nuk po lufton për një Irak të fortë. Në të kundërtën, ISIL është duke luftuar për ndarjen dhe shkatërrimin e Irakut. Pra, ky është moment vendimtar për të ardhmen e Irakut. Është një moment i marrjes së vendimeve për udhëheqësit e Irakut dhe një moment i madh urgjence”.

Ai në vazhdim tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Irakun kundër militantëve të grupit ISIL, duke theksuar se grupi “nuk duhet të lejohet të ketë ndonjë vend të sigurt”. Shumë myslmanë të sektit suni, të pakënaqur me margjinalizimin politik nga qeveria e dominuar nga shiitët në vitet e fundit, janë bashkuar me militantët e grupit ISIL.

Megjithatë, kryetari i parlamentit të Irakut, Osama Nujeifi, pjesëtarë i komunitetit suni me të cilin bisedoi Sekretari Kerry, thotë se militantët e grupit ISIL “përbëjnë një kërcënim për mbarë botën”. Vëllai i zotit Nujeifi është guvernator i Mosulit, qyteti që u pushtua javën e kaluar nga militantët. Kryetari i parlamentit, i cili i ka bërë thirrje zotit Maliki që të japë dorëheqjen, thotë se kryengritja duhet të trajtohet “përmes operacioneve të drejtpërdrejta ushtarake” dhe reformave politike për t’i “dhënë një shpresë të re njerëzve tanë, në mënyrë që ata të mbështesin procesin politik dhe unitetin e Irakut”. /voa/

Leave a Reply

Back to top button