Analiza

IRLANDA / Rikthimi tigrit kelt

Në vitin 2014 ishte ekonomia më e fortë e Evropës: një rimëkëmbje domethënëse, për një nga vendet më të prekura nga kriza financiare globale e vitit 2008. Por, pas ringjalljes së Tigrit Kelt, ka shumë pika të errëta, të cilat ka të ngjarë të rikthehen shpejt në plan të parë

Screen Shot 2015-03-28 at 12.09.54

Si një pemë e madhe Krishtlindjesh jashtë sezonit të vet, një vinç i madh qëndron në “Shën Stefanin e Gjelbër”, kopshtin që shërben si sheshi kryesor i kryeqytetit irlandez. Mund të duket si një monument i hidhur në ethet e tullave, flluska spekulative që e pati shndërruar Ishullin e Smeraldtë, për një kohë të gjatë, nga toka e fushave të gjelbra, kuajve, zisë së bukës dhe emigrantëve (a ju kujtohet Xhon Uejn tek “Një burrë i qetë” i Xhon Fordit?), në Tigrin Kelt, versionin evropian të ekonomive të reja aziatike. Por bumi i ndërtimit zgjati pak, duke u përfshirë nga kriza e madhe globale e vitit 2008: banka të falimentuara, kompani ndërtimi të mbyllura, papunësi masive. U desh ndërhyrja e Bashkimit Evropian dhe FMN-së, me një plan shpëtimi prej 85 miliardë eurosh, për të shmangur falimentin kombëtar. Irlanda ishte gjunjëzuar.

Gjashtë vite më pas, pas një kure të fortë, të bazuar tek rritja e taksave, ulja e shpenzimeve, shitja e pasurive shtetërore dhe reformat strukturore, vendi arriti të ringrihet në këmbë. Në vitin 2014, Irlanda kishte ekonominë më të fortë në Evropë (PBB-ja u rrit me 4.8 përqind), në një kohë që llogaritet të përsërisë të njëjtin sukses edhe këtë vit (me 3.5 për qind rritje, gjithësesi shumë më tepër sesa Britania e Madhe dhe Gjermania).

Papunësia është nën mesataren evropiane. Në Dalkej, periferia shik e Dublinit, tashmë një vilë me 6 dhoma gjumi dhe pamje nga deti kushton 12 milion euro. Dakord, është lagjia ku jeton edhe Bono i grupit muzikor U2, por edhe diku tjetër çmimi është i njëjtë. Dymbëdhjetë muajt e fundit, çmimet e shtëpive janë rritur me 15 përqind, më shumë se në Londër, Nju Jork dhe Shangai.

Vinçi i Gjelbër i Shën Stefanit, simbolizon pra rilindjen: Tigri Kelt që vrundullon përsëri, shkruan “Financial Times”. Edhe pse për momentin, parë nga afër, i ngjan më tepër një maceje. S’ka dyshim se është vendi i parë i eurozonës që ka dalë nga paketat e ndihmës financiare dhe reformat drakoniane, pas kolapsit që pësoi në vitin 2008.

Duke u sjellë vërdallë nëpër qendrën e Dublinit, e vë re menjëherë se diçka ka ndryshuar: grupet e turistëve spanjollë, italianë, gjermanë, francezë, grupe studentësh nga e gjithë bota, njerëz të veshur mirë, kafene, restorante dhe dyqane, markat luksoze të gjithëpranishme: Louis Vuitton, Chanel, Rolex, Guçi, Prada, Armani. Gjatë ditës, rruga Grafton është një panair vaniteti ku bëhen pazaret; në mbrëmje, lokalet në Tempëll Bar shpërthejnë nga një rini që ka shumë dëshirë të argëtohet.

Nga Dublini i vjetër i Xhojsit ka mbetur vetëm një pijetore e frekuentuar dikur nga autori i “Uliksit”. Poshtë logos gjendet një citat i tij: “Në të veçantën, përfshihet universalja”. Do të ishte një moto shumë e mirë për revolucionin dixhital.

Dhe në fakt pak hapa larg prej andej, gjenden zyrat e Google, Apple, Amazon, Yahoo: të mëdhenjtë e internetit, që kanë zgjedhur Irlandën si shtab të përgjithshëm në kontinentin e vjetër. Në total janë mbi 1 mijë kompani high- tech, të joshura nga “tatimi mbi fitimin” më i ulët në Evropë.

Kjo normë e ulët ka bërë që pjesa tjetër e BE-së të akuzojë qeverinë e Dublinit për vjedhje apo mashtrim, duke e detyruar të mbyllë rrugëdaljet më skandaloze. Por dukshëm jo të gjitha, pasi “Silicon Valley”, vazhdon që të zgjedhë Ishllin e Smeraldtë në këtë anë të Atlantikut. Në Dublin ka madje edhe një këshilltar për çeljen e biznesve të reja, Niamh Bushnell, një njeri me flokë të kuqe e që mbahet me të madh. “Vetëm në Kaliforni klima e biznesit është aq e favorshme për ekonominë e re” – thotë ai.

Këtë e dëshmon edhe “Web Summit”, që u mbajt këtu vjeshtën e shkuar, “vendi i takimit botëror të teknologjisë së lartë”. Në muzg, përgjatë brigjeve të portit, rrokaqiejt e ndërtuar aty ku dikur qëndronin dokët, ndriçojnë duke evokuar sërish një të ardhme të madhërishme. Sigurisht, jo çdo gjë që shkëlqen është flori.

Mjafton të largohesh nga Dublini, për të zbuluar ende të paprekura “qytezat fantazmë”, fshatrat fantazëm të spekullimeve të sektorit të ndërtimit: të joshur me kreditë shumë të lehta, pastaj të riblera nga bankat dhe që në fund mbetën duarbosh. Një ankand këto ditë, ofron një paketë ndërtesash si ofertë: dhjetë vila me nga 3 dhoma gjumi secila, për më pak se një milion euro. Bumi i një dekade më parë bazohej tek pasuritë e patundshme dhe konsumi i brendshëm. Bumi aktual është më i kujdesshëm, i bazuar tek eksportet e favorizuara nga zhvlerësimi i euros si dhe çmimi i ulët i naftës. Nuk është e mjaftueshme t’ua kthesh shtëpinë, ose të paktën vendin e punës, atyre që kanë humbur çdo gjë. Viktimat e krizës patën vetëm një rrugëdalje, rrugën e vjetër të emigracionit: gjatë 5 viteve të fundit, janë larguar 165 mijë njerëz të moshës 15 deri në 25 vjeç.

Diaspora irlandeze, fenomen historik që nga Zija e Madhe e Bukës në vitin 1840 deri në 1990-ën, ka filluar sërish të rritet: vlerësohet se 1 milionë irlandezë jetojnë jashtë vendit, ose një e pesta e popullsisë aktuale. “Dua që njerëzit tanë të rrikthehen në shtëpi” – thotë kryeministri Enda Keni, duke promovuar “Global Irish”, një seri nismash për t’i dhënë fund ikjes së trurit, veçanërisht të rinjve.

Shpresa është që në vitin 2016, irlandezët që kthehen të jenë më shumë se ata që largohen. Viti i ardhshëm, do të jetë mjaft i rëndësishëm. Do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, dhe koalicioni i qendrës së djathtë mund të detyrohet ta lëshojë pushtetin, ose ta ndajë atë me një parti të krahut të majtë, Sinn Feinnin e Xherri Adamsit, mbështetja për të cilin në sondazhe është dyfishuar, nga 9 në 20 përqind. Terapia për rivendosur në rregull financat publike ishte e dhimbshme, ka një pakënaqësi në rritje, konfirmohet se statistikat mbi PBB-në dhe papunësinë nuk pasqyrojnë humorin kombëtar. Dhe saktësisht një vit më pas, Irlanda do të përkujtojë Kryengritjen e Pashkëve të vitit 1916, kur pikërisht pararendësit e Sinn Feinit shpallën pavarësinë, e cila u shtyp brutalisht në gjak nga Britania e Madhe, që eleminoi të gjithë nënshkruesit e dokumentit historik.

Megjithatë, gradualisht sovraniteti u fitua gjithësesi. Tashmë është arritur edhe paqja me ish-kolonizatorët. Vitin e kaluar, Mbretëresha Elizabet ishte monarku i parë britanik që vizitoi Irlandën, ndërsa Presidenti i Republikës së Irlandës për herë të parë bëri një udhëtim të ngjashëm në Londër.

Është e vërtetë që pjesa veriore e ishullit, Irlanda e Veriut, është ende pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por së paku paqja mbretëron edhe atje. Me katolikët irlandezo-veriorë, që bëjnë më shumë fëmijë sesa protestantët, nuk është një ëndërr utopike ribashkimi i ishullit në të ardhmen.

Ndërkohë, Irlanda e pavarur dhe republikane, gjithmonë katolike e ethshme, por më në fund me një ligj që lejon divorcin dhe ka më pak kufizime të rrepta për abortin, lutet që bumi i ri të mos jetë thjesht një ‘deja vu’, një iluzion i shkurtër si ai i mëparshmi. Papritmas duket se çdo gjë është në rregull, është rizbuluar dhe ringjallur projektimi dhe zejtaria, përpunimi i qelqit, uiski irlandez.

Madje sapo ka fituar edhe turneun e regbisë mes 6 kombeve, sportin e saj kombëtar, duke ia rrëmbyer trofeun rivales së saj të përhershme, Anglisë. Dikush thotë se e ka ndihmuar fati, por ndonjëherë duhet edhe ai, dhe nuk është aspak tërfili simbol i saj. Me pak fjalë, Tigri Kelt, është rrikthyer. Nëse nuk turfullon, së paku mjaullin. /la repubblica/

a.g./www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button