AnalizaMAIN

Ishte i vetmi pakt i mundshëm për paqen. Por ka një të panjohur

STEFANO STEFANINI

Plan “praktik dhe realist”: me dy fjalë Benjamin Netanyahu i dha dritën jeshile 20 pikave të Donald Trump-it për “t’i dhënë fund luftës në Gaza”. Me një kusht të vetëm: nëse Hamasi e refuzon, do ta çojmë deri në fund. Përndryshe, pranimi është i plotë, në dukje, pa rezerva. Kryeministri izraelit ka bërë pas në katër pika themelore: tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Rripi, që do të zëvendësohen nga një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF); mosdëbimin e banorëve të Gazës; mosaneksimin e Bregut Perëndimor; lënien të paprekur të perspektivës së dy shteteve.

Është një kthim prapa që mund t’i sjellë kundërgoditje të brendshme, por e blindon në Uashington. Në Shtëpinë e Bardhë ishin të irrituar me Bibi-n. Mirëpo Netanyahu, i cili e ka tendosur litarin me të gjithë presidentët amerikanë, nga Bill Clinton e këtej, as kësaj radhe nuk e këputi. Ai u pajtua jo aq me një marrëveshje paqeje, se sa me një bazë negociuese që i lë njëfarë lirie veprimi.

Nëse pastaj Lëvizja e Rezistencës Islamike nuk dorëzon armët dhe nuk i kthen pengjet, lufta vazhdon. Netanyahu nuk do të ankohet. Sot, megjithatë, ai e pranon planin e Trump-it.

Çfarë ka në plan? Hapi i parë është vendimtar. Që nga momenti i pranimit, Hamasi ka 72 orë për kthimin e të gjithë pengjeve, të gjallë ose të vdekur. Është shkëmbi mbi të cilin plani mund të ngecë, në mos të mbytet. Mbështetja e vendeve arabe-veçanërisht e Katarit, në një bisedë telefonike treshe Trump–Netanyahu–Al Thani, Emiri i Dohas-bën të mendohet se presionet mbi Lëvizjen janë tashmë shumë të forta. Nëse Izraeli nuk mund t’i thotë “jo” Trump-it, a mundet Hamasi ta bëjë me Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thanin?

Duke e thjeshtuar në maksimum, plani përbëhet nga tri pjesë. E para, me ritme shumë të shpejta: përfundimi i luftës, rifillimi i ndihmave humanitare dhe mosdëbimi i popullsisë.

E dyta, e ndërlikuar dhe krijuese, por edhe akrobatike dhe me rrezik: mbi menaxhimin, administrimin, rindërtimin dhe zhvillimin e Rripit, me përjashtimin e mirëkuptueshëm të Hamasit. Parashikon tre elemente: një komitet “teknokratësh palestinezë apolitikë”; mbikëqyrjen ndërkombëtare të një “Këshilli për Paqen”, të kryesuar, natyrisht, nga Donald J. Trump, me një rol të spikatur të Tony Blair-it; ISF-në, forcë për kontrollin e territorit që zë vendin e ushtrisë izraelite, për të cilën Shtetet e Bashkuara “do të punojnë së bashku me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë”.

Këtu, çdo fjalë duhet peshuar: a do të thotë kjo se Trump do të vendosë në Rripin e Gazës forca amerikane, ato “çizme në terren” që ai ka thënë gjithmonë se nuk do t’i shihte më në Lindjen e Mesme, pas Irakut dhe Afganistanit? Kush janë partnerët “ndërkombëtarë” te të cilët do të drejtohet? Europianët? Plani përmend “propozimin franko-saudit”, me gjasë të formuluar në sesionin plenar në Pallatin e Qelqtë, ku SHBA dhe Izraeli nuk merrnin pjesë; në konferencë për shtyp Trump ishte pazakontësisht bujar: “Europa ka qenë shumë e angazhuar në hartimin e planit për Gazën”. Nuk tha si dhe kush.

Pjesa e tretë është politikisht më e kushtueshmja-në perspektivë. Ringjall zgjidhjen me dy shtete, megjithëse me gjuhë të përmbajtur: kur gjithë pjesa tjetër e planit të jetë vënë në vijë, do të kemi “kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, të cilën e njohim si aspiratë të popullit palestinez”. Kjo, ndoshta, është kafshata më e hidhur që Netanyahu duhej të gëlltiste. Por me një rrugë shumë të gjatë për të mbërritur deri atje.

Pjesa e parë është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme. E dyta- e stërkomplikuar, plot kurthe-do të kërkojë investime të mëdha vullneti të mirë, një përbërës i rrallë në Lindjen e Mesme, nga të gjitha palët; por diku duhet filluar.

E treta ringjall planin me dy shtetet që dukej i varrosur nën kasaphanën e 7 tetorit dhe rrënojat e Rripit. Plani i Trump-it hap, pra, një fije drite për paqe dhe rindërtim për dy milionë palestinezët e Rripit. Ndoshta kompenson izolimin e Benjamin Netanyahu-t në Kombet e Bashkuara dhe legjitimon tiradën e Donald Trump-it mbi padobishmërinë e OKB-së: për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, Zyra Ovale peshon më shumë se Asambleja e Përgjithshme.

Çmimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Në jetë njerëzish, vuajtje të papërshkrueshme, kequshqyerje fëmijësh, miliona tonelata rrënoja në Gaza. Në akumulimin e urrejtjes dhe dëshirës për hakmarrje në tokën e “sy për sy, dhëmb për dhëmb”. Në fatin e pengjeve ende gjallë, të varur në një fije peri. Në izolimin ndërkombëtar të Izraelit. Në pulsimet antisemite të mbuluara si pro-Palestinë. Në koston gjeopolitike të copëtimit në rritje të Perëndimit dhe të përçarjes transatlantike. Sa do të mund të ishte kursyer po të arrihej muaj më parë? Por historia nuk bëhet me “sikur”, bëhet me ç’ka ndodhur. Plani i Trump-it është tani pika e nisjes. Kush e ka për zemër paqen në Lindjen e Mesme dhe të ardhmen e Palestinës nuk mund veçse të shpresojë që të dalë mbarë.

Gaza ka më në fund një plan paqeje që mban firmën e Donald Trump-it dhe të diplomacisë së tij jo ortodokse. Me dy virtyte të mëdhenj. I pari, për popullsinë e martirizuar të Gazës është një rrugëdalje nga ferri. I dyti, Netanyahu detyrohet të tërheqë mohimin e shtetit palestinez. Europianëve, ende në grindje se ç’të bëjnë, çfarë mesazhi t’i japin Izraelit, ç’mazhoranca duhen për sanksione, s’u mbetet veçse të ndalin e të ndihmojnë suksesin e planit të Trump-it për Gazën. Është e vetmja ofertë në tryezë. Duke shpresuar që kjo shkëndijë arsyeshmërie të shkreptijë edhe në mendjet e lundruesve të Flotilla Sumud.

A duan vërtet të rrezikojnë një incident që do të nxirrte nga shinat këtë perspektivë të brishtë paqeje, e hapur dje në Zyrën Ovale? Ky është momenti për t’u kthyer kah ndërmjetësimet e Presidentit Sergio Mattarella dhe të Patriarkut Pierbattista Pizzaballa. Ose për t’u penduar nëse dy milionë banorët e Gazës e humbasin këtë mundësi delikate paqeje. / La Stampa – Bota.al

Back to top button