Histori

Ishuj strategjikë. Ishuj luftërash

Nga Mesdheu në Paqësor, copëza toke të dala mbi ujë, të shpërndara në mes të deteve, nëpër shekuj kanë qenë objekt luftërash për shkak të pozicionit të tyre

ishujEkspertët e historisë ushtarake i quajnë operacione amfibë. Që nga lashtësia përfshijnë forca të bashkërenduara të ushtrisë dhe marinës (dhe në epokën moderne, edhe të aviacionit) me objektivin për të pushtuar me çdo kusht një ishull, ndonjëherë shumë i vogël. Mund të duket e çuditshme që një copëz e parëndësishme toke apo një arkipelag i humbur në oqean mund të marrë një rëndësi strategjike të tillë, sa të përcaktojë fatet e një lufte. E megjithatë, është kështu: deti është si një shkretëtirë ku burimet e vetëm të pozicionimit dhe bazat operative janë ishujt. Këta, veç të tjerash janë që prej kohërave më të largëta “kulla vrojtimi” që mundësojnë kontrollin e rrugëve tregtare më fitimprurëse të lundrimit. Për këtë arsye, disa ishuj të Mesdheut, si Malta, Qipro, Kreta, Rodi dhe Korfuzi – për mos të folur për më të mëdhenj si Siçilia, Korsika dhe Sardenja – kanë qenë objekt grindjesh për shekuj të tërë. Dhe kanë qenë të përfshirë në çdo konflikt të luftuar në Mare Nostrum.

Një fat të ngjashëm kanë patur disa arkipelagë të vegjël të oqeanit Paqësor, pothuajse të padukshëm në hartat gjeografike, por që gjatë Luftës së Dytë Botërore rezultuan vendimtarë në konfliktin mes amerikanëve dhe japonezëve: strategjia e “kërcimeve” e gjeneralit Douglas McArthur parashikonte në fakt që japonezët t’i afroheshin Japonisë duke “kërcyer” nga një ishull në tjetrin, duke ruajtur një distancë të arsyeshme mes bazave. Përgjatë mijëvjeçarëve, arsyet që e bëjnë një ishull objektiv strategjik janë pak a shumë gjithmonë të njëjtat: burimet, kontrolli i rrugëve ujore, vend për pararojat e pushtimeve.

  1. Hawaii (dhe Midway). “Kërcimet” e SHBA gjatë Luftës së Dytë

Në Luftën e Paqësorit – përplasja gjatë Luftës së Dytë Botërore mes SHBA dhe Japonisë – Hawaii, ishujt ku ndodhej baza ajrore dhe detare amerikane e Pearl Harbour ishin shumë të rëndësishëm. Sulmi i papritur japonez në Pearl Harbour në 7 dhjetor 1941 përcaktoi në fakt edhe hyrjen në luftë të SHBA dhe u dha një goditje të rëndë forcave amerikano-veriore, duke nxjerrë jashtë loje mbi 350 mjete dhe 18 anije lufte. Për muaj të tërë SHBA mbetën të pafuqishme përpara përparimit progresiv japonez në Paqësor, që po u merrnin njërin ishull pas tjetrit. Por kur japonezët u afruan në arkipelagun e Midway, në veriperëndim të Hawaiit, i gjetën amerikanët të gatshëm për t’u bërë ballë. Mes 3 dhe 5 qershorit 1942, forcat aero-detare të admiralit Fletcher fundosën 4 aeroplan-mbajtëse japoneze dhe një kryqëzator, duke humbur vetëm një luftanije: ishte një përplasje e dhunshme avionësh dhe anijesh, edhe pse këto nuk u afruan asnjëherë mjaftueshëm për të qëlluar me armët e tyre.

  1. Malta: Porta e Afrikës Veriore

Që Malta, pak më shumë se një shkëmb, do të ishte kritike për kontrollin e rrugëve mes Italisë dhe Afrikës Veriore, këtë e kishin kuptuar francezët që në 1283, kur më kot luftuan për zotërimin e ishullit me aragonezët. Por, ata që e bënë ishullin një bastion ishin Kalorësit e Maltës që në 1530, kur e morën ishullin nga Perandori Karli V. Në 1565 ishte viti i rrethimit të madh turk: zbarkuan 60 mijë vetë nën komandën e një Pashai. Ishulli u mbrojt nga mjeshtri i madh i Urdhërit të Maltës, La Vallette, bashkë me 9 mijë kalorës dhe po kaq aleatë. Turqit sulmuan kështjellën e Sant’Elmos, por ardhja e përforcimeve përmbysi fatet e rrethimit dhe në shtator otomanët u sprapsën. Malta u pushtua më pas, në 1798, nga Napoleon Bonaparti rrugës për Egjipt, i cili la aty një garnizon. Në 1800-1801 pati përballë anglezët e Nelsonit, që fituan duke e bërë Maltën pararojën angleze në Mesdhe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore komandat Italiane projektuan të shkëpusin Maltën nga anglezët dhe ta përdornin si pykë drejt Afrikës. Por pas disa zbarkimeve të dështuar dhe bombardimeve të kotë, operacioni C/3 u përmbyll në korrik 1942: ishte një prej gabimeve më të mëdhenj të Boshtit.

  1. Grenada. Lufta e Ftohtë zbarkon në parajsën e Karaibeve

Në vitet 80, ende në klimën e Luftës së Ftohtë, rëndësia e Grenadës (Deti i Karaibeve) ishte e gjitha gjeopolitike. Ish koloni angleze e pavarur që nga 1974, në 1983, ishulli i vogël pas grushtit të radhës së shtetit përfundoi në orbitën marksiste. Duke iu druajtur një ndërhyrjeje nga Kuba e Kastros në mbështetje të regjimit të ri, presidenti i SHBA Reagan urdhëroi zbarkimin amerikan në ishull, duke marrë si pretekst domosdoshmërinë për të garantuar sigurinë e 1 mijë studentëve amerikanë në Universitetin e St. George. Operacioni Urgent Fury, objektivi i të cilit ishte të shmangte rrezikun që Grenada të bëhej baza kubane, apo më keq, sovjetike, nisi në 25 tetor. Formalisht, ishte një forcë shumëkombëshe, e kërkuar nga Organizata e Shteteve të Karaibeve Lindore: Xhamaika ofroi 150 vetë, Barbados 50, vendet e tjerë 300, ndërsa SHBA 7 mijë ushtarë. Luftimet kundër ushtrisë grenadiane, forcat e të cilës numëronin 1500 vetë zgjatën deri në 27, kur ishulli tashmë mund të quhej i pushtuar. Operacioni shkaktoi 24 të vdekur civilë dhe 45 ushtarakë grenadianë si dhe 358 të plagosur. OKB e dënoi pushtimin duke e quajtur një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe SHBA u desh të largoheshin nga ishulli në 15 dhjetor të po atij viti.

  1. Falkland. Arkipelagu i mosmarrëveshjeve Argjentinë-Angli

Emri i Falkland (një viskont anglez) e ka origjinën që në Gjashtëqindën, kur ishujt u kolonizuan nga anglezët. Më pas kur i kaluan Francës dhe në fund Spanjës, mbizotëroi emri Malvinas. Arkipelagu në Atlantikun jugor përbëhet nga pothuajse 200 ishuj – nga të cilët vetëm dy me madhësi mesatare – në pjesën më të madhe shkëmborë dhe jo shumë të banueshëm. Por nëntoka e tyre është e pasur me naftë dhe gaz natyror dhe ishujt janë një bazë e nevojshme për të kontrolluar hyrjen në Paqësor. Për këtë arsye, Anglia dhe Argjentina i pretendojnë si të tyret, aq sa i diskutuan me një luftë në 1982. Lufta mes anglezëve dhe argjentinasve zgjati sa një pranverë. Pasi junta argjentinase e gjeneralit Leopoldo Galtieri i pushtoi ishujt me Operacionin Rosario, Anglia e Margaret Thatcherit reagoi duke urdhëruar një operacion amfib i quajtur Corporate. Anglezët rimorën kontrollin pas përplasjeve të forta që shkaktuan një mijë të vdekur dhe të plagosur mes anglezëve, pothuajse 2 mijë mes argjentinasve. Dhe që çuan në qiell mbështetjen për Zonjën e Hekurt.

  1. Korfuzi. Një hap nga Greqia, gjysmën e rrugës drejt Italisë

Korfuzi, Kerkyra e lashtë është më i madhi i ishujve Jonianë. Dominimi i tij ka nënkuptuar për shekuj të tërë kontroll të rrugës më të rrahur mes Italisë jugore dhe Greqisë kontinentale. I kolonizuar në shekullin VIII para Krishtit nga Korinthi, ishulli hyri në analet e luftërave në 229 para Krishtit. Romakët u bënë zotër të tij me një lehtësi relative: ishte një hap vendimtar drejt nënshtrimit të grekëve. Më shumë se 1 mijë vjet më vonë, në 1084, Venecia kish arritur të shkëpuste atë ishull aq pranë kontinentit nga normani Robert Giuscardi. I cili e ripushtoi menjëherë. Ky konflikt vazhdoi për dy shekuj. Vlera strategjike e ishullit ishte e tillë që u angazhua personalisht edhe një perandor i Bizantit, Manuel I Komneini, i cili e pushtoi në 1149. I rrethuar në 1537 nga Pirati Barbarossa dhe nga sulltani Sulejmani i Madhërishëm, ishulli u rezistoi turqve edhe në 1716, kur një garnizon modest austro venecian mjaftoi për të sprapsur sulmin. I kontestuar mes turqve dhe francezëve në fund të shtatëqindës, në vitin 1923 qeveria Mussolini, me një pretekst e bombardoi dhe e pushtoi. Pak ditë pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943 koloneli Luigi Lusignani zuri rob batalionin gjerman në ishull, por nazistët kundërsulmuan duke e detyruar të dorëzohet. Oficerët e tij u pushkatuan.

  1. Kreta. Nga mbretëria e Minosit tek arabët, e deri tek nazifashistët

Më shumë se 3 mijë vjet më parë, para se një katastrofë mjedisore t’i zhdukte qytetërimin, pozicioni i saj në qendër të Egjeut e bënte një mbretëri tregtare pa rivalë. Por, kur në gjysmën e parë të shekullit IX, u pushtua nga arabët, u shndërrua në një problem për perandorinë bizantine: prej aty mund të sulmoheshin brigjet e Greqisë jugore. Për këtë arsye Perandori Niqifor Foka vetë iu vu ripushtimit të Kretës në 960, duke rrethuar portin, që ra një vit më vonë. Myslimanët do të merrnin revanshin në Gjashtëqindën, në fundin e një prej rrethimeve më të gjatë të një ishulli, që njeh historia. Në 1667, pas dy dekadash luftë kundër mbrojtësve venecianë dhe aleatëve të tyre kristianë, gjeneral otoman Jusuf dhe Veziri i Madh Fasil Ahmed Këprulu rinisën rrethimin dhe sulmet ndaj mbrojtjes së udhëhequr nga komandanti Francesco Morosini. Lufta zgjati 3 vjet: 56 sulme, 40 beteja të nëndheshme. Pavarësisht përforcimeve të dërguar nga Luigji XIV i Francës dhe dy regjimenteve të Karl Emanuelit të Savojës, Morosini u detyrua të dorëzohet në 6 shtator. U kish shkaktuar 100 mijë të vdekur turqve. Sërish i kontestuar mes otomanëve dhe Greqisë së pavarur në fundin e 800, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishulli u bë bazë ushtarake angleze. Ashtu si Malta, përfundoi në shënjestër të forcave të Aksit. Mes 20 majit dhe 2 qershorit 1941 parashutistë gjermane e pushtuan pjesërisht ishullin, duke u hapur rrugë trupave italo-gjermane që dëbuan garnizonin britanik. Anglezët e rimorën ishullin në 4 tetor 1944, dhe pas kësaj Kreta iu kthye Greqisë.

  1. Rodi. Një trampolinë për të pushtuar Azinë e Vogël

Shumë pranë brigjeve të Azisë së Vogël, ishulli ka një histori të gjatë rrethimesh dhe betejash. Në vitin 352 para Krishtit u rebelua ndaj mbretëreshës Artemida e Qipros dhe kryeqyteti u rrethua dhe sheshua. Gjysmë shekulli më vonë, në 305 para Krishtit ishin trashëgimtarët e Aleksandrit të Madh që e rrethuan. Më pas, ishulli, shumë mirë i mbrojtshëm i rezistoi sulmit të Mitriadit VI të Pontos, në 88 para Krishtit. Sovrani aziatik rrethoi kryeqytetin nga deti dhe nga toka, por nuk arriti të ketë mbështetjen e romakëve që ishin bërë barrikadë pasi ishin larguar pikërisht nga Azia e Vogël.

Pozicioni në rrugën e kryqëzatave nga Kostandinopoja për në Tokën e Shenjtë ishte një tjetër motiv i grindjeve për Rodin. Luftimet nisën që në 1099 gjatë Kryqëzatës së Parë. Përpara brigjeve të ishullit u ndez një betejë mes flotës së Venecias, aleate e Bizantit dhe fituese e betejës dhe asaj të pizanëve rivalë. Në 1309, Kalorësit Spitalorë u morën turqve qytetin e Rodit dhe më pas, me ndihmën e venecianëve dhe ushtarëve papnorë, të gjithë ishullin. Që atëherë, urdhëri mori emrin Kalorësit e Rodit.

Kalorësve kristianë iu desh ta mbrojnë ishullin e tyre në shumë sulme të myslimanëve mes viteve 1440 dhe 1522: atë vit, pas 6 muajsh luftë, Sulltani Sulejmani II arriti të detyrojë të dorëzohet mjeshtrin e madh Villier de l’Isle. Katër shekuj më vonë otomanët humbën Rodin përballë trupave italiane të gjeneralit Giovani Ameglio që, gjatë luftës italo-turke, në maj 1912 zbarkoi në ishull, pushtoi qytetin dhe më pas mposhti forcat armike që u tërhoqën në male.

  1. Qipro. Nga grekët e lashtë tek ata modernë, sfida për Egjeun lindor

Në qendër të rrugëve drejt mesdheut Lindor dhe kalimit të detyruar drejt Fenisias (Libani i sotëm), Qiprpo debutoi si ishull i pretenduar në 499 para Krishtit me një seri përplasjesh përpara Salaminës së Qipros, në bregun jugor. Një betejë (që nuk duhet ngatërruar me atë mes grekëve dhe persëve) mes flotës greke dhe asaj fenikase në shërbim të mbretit të Persisë Dari i Madh. Persët arritën ta pushtojnë për pak kohë ishullin, përpara se grekët ta rimerrnin. Në 306 para Krishtit, Qipro u rikthye sërish në qendër të betejave, këtë herë mes trashëgimtarëve të perandorisë së Aleksandrit të Madh. U përballën flotat e Demetrios, mbret i Maqedonisë dhe Ptolemeut të Egjiptit; fitoi i pari, që për të rrafshuar portin dërgoi një numër të madh makinash sulmi. Megjithatë, luftërat e lashtësisë nuk ishin asgjë përpara rrethimit të kështjellës së Famagostës në Pesëqindën. Afro 80 mijë turq nën komandën e Ali Pashait zbarkuan në ishull në 1570 dhe që nga maji i vitit pasardhës rrethuan garnizonin venecian të qytetit, nën komandën e Marcantonio Bragadin. Pas katër muajsh, venecialët dolën nga muret për të negociuar me rrethuesit, por u kapën dhe u vranë.

 

Leave a Reply

Back to top button