Analiza

ISIS, Kalifati, Jazidet: Lindja e Mesme mes kallashëve dhe faljeve

NJE “FJALOR” I KRIZES NE LINDJEN E MESME

isis-terroristsMesopotamia – “Skena e krimit”: është toka mes lumenjve Tigër dhe Eufrat e studimeve tanë klasikë, pjesë e Gjysmëhënës Pjellore dhe Botës së Lashtë. Për mijëvjeçarë të tërë, historia e saj përkon me historinë e qytetërimit: sumerët, asirët, babilonianët, persët; dhe popujt e saj gjenden në Bibël. Sot, termi përdoret në përgjithësi për një zonë më të gjerë se sa ajo origjinale.
ISIS, ISIL ose IS – Eshtë, në akronimet në anglisht, Shteti Islamik, që fillimisht quhej Shteti Islamik i Irakut dhe Lindjes (ISIL), ose Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS): një entitet i ri i krijuar nga përparimi i militantëve integralistë sunitë, të cilët përfitojnë nga shkatërrimi në Siri dhe dobësimi i Irakut, ku pushteti qendror nxit përplasjen mes shiitëve dhe sunitëve.
Kalifati – Gjeografikisht, për momentin përkon me Shtetin Islamik. Por projekti është që të rikthehet autoriteti mbi të gjithë Islamin e një figure, e cila do të përqëndrojë pushtet fetar, si pasardhës i Profetit, dhe pushtet kohor. Pasi u ezaurua në vitin 1923, pas 13 shekujsh jetë jo shumë të lehtë, kalifati është një pol tërheqës i integralizmit islamik.
Xhihadi – Fjala është arabe dhe shpreh konceptin e “bërjes së përpjekjes maksimale”. Sot, termi përdoret pothuajse ekskluzivisht si sinonim i “luftës së shenjtë”, por ka edhe domethënie personale, në kuptimin e angazhimit të brendshëm të gjithësecilit për të arritur besimin e përsosur.
Bin Laden (dhe el Zavahiri) – Osama bin Laden, sauditi i pasur, ideatori dhe kreu i al Kaedës, truri i sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe Aiman al Zavahiri, mjeku egjiptian, kreu i rrjetit terrorist pas ekzekutimit të bin Ladenit në 1 maj 2010, sot i dalë jashtë loje. Al Kaeda është tashmë një pikë referimi për integralizmin më shumë historik, se sa aktual.
al Zarkavi – Abu Musab al Zarkavi, i vrarë në Irak nga një sulm i amerikanëve në 7 qershor 2006, kur mbi kokën e tij kishte një shpërblim 25 milionë dollarë, ishte një jordanez me origjinë palestineze: vinte nga Zarka, qytet i një kampi refugjatësh i krijuar në vitin 1948. Komandant i al Kaedës në Irak, siç e përcaktoi bin Ladeni, ishte terroristi që praktikonte prerjen ekokës të pengjeve, protagonist  aksioneve të dhunshëm dhe mizorë. Duket se prej tij frymëzohen ndjekësit e Kalifatit.
al Bagdadi – Abu Bakr al Bagdadi, që mban emrin e Kalifit të parë, është kalifi i ri, kreu i militantëve xhihadistë që krijuan IS. Për të, lajmet janë të pakët dhe kontradiktorë: imam në Irak në kohën e pushtimit amerikan, më pas i mbajtur në Kampin Buka nga 2004 në 2009, eksponent dhe nga viti 2010 lider i al Kaedës në Irak, mbi të ka një shpërblim prej 10 milionë dollarësh.
Sunitët – Janë shumicë në Islam (pothuajse 90 përqind, afro 1.4 miliardë persona, më shumë se sa katolikët), por janë pakicë në Mesopotami. Emri i tyre vjen nga sunna (në arabisht, zakon) ai që ekzistonte mes profetit Muhamed dhe ndjekësve të tij. Kalifati ka qenë historikisht shprehje e vizionit të tyre në marrëdhënien integraliste mes shtetit dhe fesë.
Shiitët – Janë pakica më e madhe islamike – por janë shumicë në Iran dhe në Mesopotami dhe janë, në origjinë, “pasardhësit e Aliut”, kushëriri dhe dhëndrri i Profetit Muhamed. Ata mendojnë se pikërisht pasardhësve të tij u takon udhëheqja e Islamit. Ndarja ka ndodhur në vitin 680 dhe si pasojë, ka përshkuar të gjithë historinë e Islamit.
Alavitët – Janë një fraksion shiit (emri zbulon nderimin për Aliun), i pranishëm mbi të gjitha në Siri – afro 6 milionë, një e pesta e popullsisë – por edhe në Liban. Alavite është familja e presidentit sirian, Bashar al Assad.
Salafitët – Salafizmi është një shkollë mendimi sunite, e frymëzuar prej modeleve ekzemplarë të virtutit fetar të traditës islamike, që mund të ofrojë justifikime teologjikë për integralizmin. Lëvizja është antiperëndimore, por mbart “farën” e rinovimit të Islamit.
Kurdët – Janë një grup etnik indo-europian të fesë islamike dhe me një gjuhë të tyren, të cilët jetojnë në Kurdistan, territor i Mesopotamisë mes Iranit, Irakut, Turqisë, Sirisë dhe Armenisë. Kurdët, pasardhës të Medasve të lashtë janë sot pothuajse 40 milionë: ndoshta grupi më i madh etnik në këtë botë, që nuk ka një unitet kombëtar.
Kaldejtë – Kaldejtë kanë qenë semitë të Mesopotamisë, të cilët përfunduan duke u përzierë me etnitë e rajonit. Sot, kaldejtë janë ndjekës të Kishës katolike vendase, pothuajse një milionë besimtarë, një e katërta e të cilëve jeton, ose jetonte në Irak. I pari i tyre është Patriarku i Babilonisë, me qendër në Bagdad: Louis Raphael I Sarko.
Jezidët – Shumë pak prej nesh e dinim ekzistencën e tyre. Janë një grup kurd, disa qindra mijëra vetë, gjysma e të cilëve në Irak, të tjerë në Turqi, Siri, Iran, Armeni: feja e tyre, që kujton kultet paraislamikë kurdë, është një kombinim i zoroastrizmit, mitraizmit, manikeizmit, hebraizmit, kristianizmit, islamit: praktikojnë pagëzimin, rrethprerjen, agjërimin dhe pelegrinazhin.
PERSHTATUR NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button