Analiza

ISIS, xhihad me Twiter dhe me Kupën e Botës

isis11ISIS, grupi i fuqishëm xhihadist që po përparon drejt Bagdadit, është duke bërë një luftë paralele online, duke mbushur median sociale me përditësime dhe duke përdorur Kupën e Botës për të shpërndarë mesazhin e vet me sofistikim si të korporatave. Teksa militantët, të drejtuar nga xhihadistët e ISIS përparuan në Irak, ata kanë pushtuar gjithashtu “Twitter”-in, ku mbajnë një vijë konstante të përditësimeve dhe fotove. “ISIS jo vetëm që bën me turp grupet e tjera kryengritëse, por edhe legjitimon kompanitë që po përpiqen të shesin produkte online”, tha Aaron Zelin nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

“Ata janë shumë, shumë të aftë.” Kur forcat e sigurisë irakiane u përballën me sulmet fillestare ushtarake, përdoruesit postuan foto të automjeteve të kapura të ushtrisë dhe pozicionet e tyre në “Twitter”, po ashtu edhe një llogari të shkurtër të sulmeve. Pasi militantët e udhëhequr nga ISIS zaptuan pjesën më të madhe të provincës veriore të Nineveh, foto që unifikonin kufijtë e Irakut me Sirinë u shfaqën online po ashtu.

Dhe kur ISIS tha se ekzekutoi anëtarët e forcave të sigurisë në provincën Salaheddin, imazhet e ushtarakëve që gjuanin mbi burrat që ishin shtrirë përtokë me gjakun e përhapur në rërë, u postuan në “Twitter” dhe kudo tjetër online. Grupi ka përdorur në avantazhin e vet edhe përqendrimin ndërkombëtar te Kupa Botërore, për të shpërndarë përmbajtjet e veta në “Twitter” gjatë ofensivës, që ka ndodhur në zonat madhore të pesë provincave dhe arriti deri në 96 km nga Bagdadi.

Ngjarjeve madhore shpesh i jepen hashtage, që e bëjnë kërkimin më të lehtë për përdoruesit në “Twitter”, si për shembull #WorldCup2014. Grupi i ka “marrë peng” hashtaget e Kupës Botërore në anglisht dhe gjuhën arabike për të shpërndarë përmbajtje pro-ISIS, përveç përdorimit të hashtageve specifike të veta. “ISIS duket se e ka rritur efektivisht sasinë dhe cilësinë”, thotë Çarls Lister nga qendra “Brookings Doha”. “Rrjedhja e vazhdueshme e materialit dhe cilësia e tij e lartë i sigurojnë ndjekësit se kanë të bëjnë me një organizatë të mirorganizuar, e pajisur mirë dhe që ia vlen t’i bashkohesh”, shprehet Lister. “Për këtë arsye, kundërshtimi i kësaj propagande që ISIS bën online, duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa mbrojtja ushtarake e konflikteve në rajon.”

Për grupet militante, lufta për të manipuluar perceptimin publik mund të jetë edhe më e rëndësishme se luftimi real, duke i kthyer humbjet ushtarake në propagandë fitoreje dhe suksese në fushëbetejë, mjete të rëndësishme për të ndërtuar mbështetje mbi një kauzë. “Ata kanë një plan vërtet të zgjuar. Të gjitha grupet xhihadiste janë tepër të afta në atë që bëjnë, por ISIS dallon nga të tjerët”, thotë Zelin. Ata ua kanë përçuar mesazhet e tyre njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme, duke përdorur hashtage të njohura dhe kanë krijuar edhe aplikacionin e tyre për “Twitter”. Zelin thotë se aplikacioni dërgonte mesazhe të njëjta në të gjitha llogaritë e lidhura në “Twitter”, duke i qarkulluar informacionet e grupit xhihadist. Megjithatë, fati i aplikacionit është përballur me rregullat strikte që “Twitter” dhe mediat e tjera sociale kanë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ndalimit të dhunës së postuar online. Për ISIS, pyetja është sesi do të reagojnë dhe si do të arrijnë të vazhdojnë komunikimin me audiencën. Nathaneil Rabkin, nga politikat e brendshme të Irakut, tha se ISIS është duke bërë përpjekje për propagandë në terren në Irak, duke mbajtur takime, ku policët, ushtarët dhe milicia nxitet të mos punojë me qeverinë. “Dyshoj se këto ngjarje të tipit teatër në rrugët e Irakut që ISIS bën, janë më të rëndësishme sesa postimet e videove online, që mund t’i drejtohen një audience ndërkombëtare”, tha ai. /express/

 

 

Leave a Reply

Back to top button