Analiza

Izzat Ibrahim al Duri: “Karta” që mungon në apel

Izzat Ibrahim Al-DuriKrah i djathtë i Saddam Hussein deri në rënien e tij, ishte thënë se kishte vdekur, por është rishfaqur në krah të xhihadistëve të shtetit islamik
Le Monde
Në një vendstrehim të fshehtë diku në një pjesë të Mosulit sapo ka lindur një vajzë. Babai e mban në krahë për një moment përpara se të rimarrë arratinë. Ka vendosur ta quajë Tahrir, që në arabisht do të thotë “çlirim”. Ngjarja e gëzueshme duhet të ketë ndodhur në qershorin e vitit 2005. Në atë periudhë Mosuli, kryeqyendra e veriut të Irakut, është në pragun e një lufte civile. Sulmet kundër trupave pushtuese amerikane janë pothuajse të përditshëm dhe shpesh vdekjeprurës.
Emri i fëmijës nuk është zgjedhur për të celebruar krijimin e Irakut të ri, i lirë nga zgjedha e diktaturës. Përkundrazi, mishëron premtimin e hakmarrjes dhe ëndrrën e rikthimit të babait të saj. Vogëlushja Tahrir është fëmija i 11-të i Izzat Ibrahim al Douri, krah i djathtë, shokë fëmijërie dhe besnik për kokë i Saddam Hussein. Në verën e 2005 diktatori i ka shkëmbyer tashmë salltanetet e pushtetit me një uniformë me vija.  Televizioni tregon një njeri të plakur, të zhveshur nga dinjiteti, që përgatitet të takojë gjykatësit e tij në Bagdad.
Al Douri është eksponenti më i rëndësishëm i regjimit akoma në liri, “Derri spathi” i letrave të famshme të bixhozit që paraqesin të kërkuarit irakenë. Shtetet e Bashkuara e duan “gjallë a vdekur” dhe kanë premtuar 10 milion dollarë për këdo që jep informacione të dobishme për kapjen e tij. Dikush thekson se i kërkuari është i prekur nga një formë leuçemie dhe është i detyruar që t’u nënshtrohet transfuzioneve të rregullta. Praktikisht imazhet e përpara kërkimit e tregojnë të zbehtë dhe të dobësuar. Të tjerë pohojnë se ka vdekur gjatë luftimeve në zonën e Tikritit. Të tjerë akoma se është strehuar në Siri, në Turqi apo në Arabinë Saudite, nga ku financon rebelimin e armatosur kundër pushtimit amerikan.
Tani, 11 vjet nga rënia e regjimit, Al Douri është protagonist i një rikthimi të bujshëm në skenën irakene. Për një shaka të fatit, marrja e Mosulit nga ana e shtetit islamik përkon me përvjetorin e vogëlushes Tahrir dhe me përvjetorin e vdekjes së Michel Aflaq, një prej themeluesve të Partisë Ba’ath i së cilës Al Douri nuk ka reshtur së qëni një përfaqësues i nivelit të lartë. Objektivi numër 6 i amerikanëve, simboli i dështimit amerikan në Irak,  i pakapshmi “Derr spathi” është rikthyer, në krye të milicëve ba’athistë që mbështesin xhihadistët dhe mbrojnë pushtimet e tyre territoriale.
Al Douri ka jetuar gjithmonë në orbitën e Saddam. 5 vjet më i ri, ai ka lindur në një familje të thjeshtë në vitin 1942 në Daur, një fshat në Guvernatoriatin e Salah al Din, ngjitur me atë të diktatorit. Thuhet se e ka filluar karrierën e tij duke shitur akullore në lagjen Fadhil, në Bagdad (kurse Saddam shiste cigare në të). Vlerësuesit e tij sigurojnë se ky aktivitet ishe një mbulesë që të mund të organizonte revolucionin kundër Gjeneralit komunist Abdel Karim Qassem, i ngjitur në pushtet me një grusht shteti në korrikun e vitit 1958.
Më besniku
Në fundin e viteve Pesëdhjetë, Al Douri futet në një celulë klandestine të Ba’athit. Aty takon të riun dhe ambiciozin Saddam Hussein, të cilin do ta ndiqte, do t’i shërbente dhe do ta adhuronte deri në fundin tragjik të tij. Aktivitetet e para politike i sjellin një qëndrim prapa hekurave midis viteve 1963 dhe 1966. Aspak i dekurajuar nga përvoja e burgut, sapo lirohet fillon të organizojë një grusht shteti të ri. Me 30 korrik të vitit 1968 është në drejtimin e tankut të dytë që hyn në pallatin presidencial. Operacion rezulton një sukses i madh dhe Ba’athi instalohet fuqishëm në pushtet. Nën presidencën e Ahmed Hassan al Bakr, Al Douri bëhet Ministër Bujqësie (1972) dhe i Brendshëm (1974). Në vitin 1979 Saddam Hussein merr pushtetin dhe e emëron Zëvendëspresident të Këshillit Komandues të Revolucionit (CCR), maja e piramidës ba’athiste.
Padroni i ri i Irakut zbulohet shpejt se është paranojak. Shumë e zbulojnë këtë në kurrizin e tyre, të larguar papritmas nga pushteti apo deri të ekzekutuar në brendësi të pallatit. Megjithatë, Al Douri Saddam i beson verbërisht. Gjatë viteve lidhja midis të dyve forcohet në mënyrë konstante, edhe nëpërmjet aleancave familjhare. Vajza e Al Douri është për disa kohë gruaja e Uday, djalit të madh të Saddam, përpara se të ndahet dhe të kërkojë divorcin. Qëndrimi i dhunshëm i Uday ndaj grave është i njohur në të gjithë vendin dhe përfundimi i martesës nuk i kompromenton raportet midis krushqve.
Shumë nga ata që i përkasin klanit Al Douri bëjnë karrierë me shpejtësi dhe ngjiten në majat e pushtetit. Një kushëri i Izzat, Saber Abdel Aziz Hussein al Douri, është emëruar shef i shërbimeve sekrete famëkeqe ushtarake gjatë luftës kundër Iranit (1980 – 1988). Familjarë të tjerë të Al Douri janë emëruar nga Saddam ambasadorë ose funksionarë të shërbimeve sekrete. Vijnë të gjithë nga vëllazëria sufite Naqshbandi, shumë e fuqishme në rajonin Kirkuk dhe Mosul. Ndoshta Saddam ka vendosur që të lidhet pas këtij urdhëri për ta kontrolluar më mirë atë. Pa llogaritur që rregulli i sekretit i ruajtur në qarqet e tij është një resurs i shkëlqyer për shërbimet e inteligjencës.
Përveç aureolës së misterit që buron nga kultura sufi, Al Douri stimulon edhe supersticionin popullor me pamjen e tij. I ka flokët dhe mustaqet e kuqe, një ngjyrë e rrallë që sjell fat apo fatkeqësi sipas llojit të interpretimeve lokale. I mbiquajtur Abu Hamra, “kuqi”, është gjithmonë i zbehtë dhe uniformat duken tepër të mëdha për të. Ky aspekt prej meiti nuk e pengon që të organizojë represionin me grusht të hekurt. Në fundin e viteve Tetëdhjetë, e emëruar Komandant i Rajonit Verior për të shuar revoltën kurde, sëbashku me Ali Kimikun (nofka e Ali Hassan al Majid) realizon operacionin Anfal, që shkakton më shumë se 180 mijë viktima, midis të cilave 5000 të vrara me 16 mars të vitit 1998 në bombardimin kimik të Halabja. Në vitin 1999 aktivistët për të drejtat e njeriut kërkojnë më kot që të arrestohet për krime lufte, ndërkohë që ai është i shtruar në spital në Vjenë.
Në vitet Nëntëdhjetë Al Douri thellon aleancën me ba’athistët sirianë të drejtuar nga Hafez al Assad dhe lidh raporte me djemtë e këtij të fundit, në mënyrë me djalin e madh të tij Basil, i vdekur në vitin 1994, dhe Maher, që sot është kreu i frikshëm i Gardës Republikane Siriane. Burime amerikane theksojnë se të tre i janë kushtuar trafikut të naftës, gjë që do t’i garantonte Al Douri pasuri të pafundme për ta përdorur në financimin e rezistencës në Irak dhe në garantimin e mbrojtësve të fuqishëm në rajon.
Martesë interesi
Pas ekzekutimit të Saddam, Al Douri bëhet drejtuesi i ba’athistëve irakenë. Përmbledh pjesën më të madhe të trupave të tij nën flamurin e Ushtrisë Nashqbandi, një emër paradoksal po të kesh parasysh referimin ndaj një korrenti sufist teorikisht paqësor. Ky formacion i çuditshëm bashkon dy identitete në kontradiktë midis tyre. Naqshbandi-të, midis themeluesve të të cilit do të ishin shokët e Profetit dhe Kalifit të parë, në fakt konsiderohen apostatë nga sunitët radikalë si eksponentët e al Qaedas. Kjo nuk e ka penguar organizatën që të marrë pjesë në sulmet kundër amerikanëve apo të luftojë sot në prah të xhihadistëve të ISIS-it.
Megjithatë, në këtë martesë interesi po shikohen tashmë mosmarrëveshjet e ardhshme. Për momentin Al Douri ka nevojë për ISIS-in, por çfarë do të ndodhë nesër? Kohët e fundit janë transmetuar video që e tregojnë “Derrin Spathi” teksa flet për Ba’athin dhe për luftën kundër Iranit. Nga pamjet dukesh se gëzon shëndet të mirë. Mund të numërojë mbështetje të qëndrueshme në rajon dhe njerëz të mirëorganizuar e të armatosur deri në grykë. Veç kësaj, në Irak gëzon një legjitimitet të caktuar historik dhe politik.
Ndërsa ngjarjet pasojnë njera tjetrën dhe lidhen aleanca të paparashikuara, situata gjeopolitike e rajonit ngjan me një ndeshje pokeri gjigante në të cilën lojtarët kanë shumë për të humbur. Në këtë ndeshje, për Bagdadin dhe Washington, Izzat Ibrahim Al Douri mund të përfaqësojë një letër të papritur: xholin.
Biografia
1 korrik 1942 Lind në Daur të Irakut.
Korrik 1979 Saddam Hussein bëhet President dhe e emëron si zëvendësin e tij.
Prill 2005 Kalon në klandestinitet në vijim të pushtimit amerikan
Qershor 2014 Komandon ish ba’athistët në revoltën sunite në veriperëndim të Irakut
Përgatiti për bota.al:
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button