Histori

Ja 10 gjërat që e bënë të madhe Perandorinë Romake

Screen Shot 2016-07-11 at 11.47.51

I – USHTRIA. Efikasiteti i jashtëzakonshëm i ushtrisë u sigurua nga organizimi në legjione (25 në shekullin e parë, secili me më shumë se 5000 ushtarë), të ndarë në grupe dhe centurie. Stërvitja e rreptë siguronte aftësi të madhe manovrimi për formacionet, të mbështetur në fushën e betejës prej makinave të luftës (katapulta, etj).

II – RRUGËT DHE KANALET.  Rrugët konsullore lidhën, me kalimin e kohës, më shumë se 5 milion km katrorë të perandorisë. Në rrjetin rrugor (100.000 km në shekullin e dytë), kryesisht të shtruar, udhëtonin mallrat, por mbi të gjitha lëviznin shumë shpejt edhe legjionet. Ndërtimi i tubacioneve të ujit (vetëm në Romë ishin 11) siguroi autonominë hidrike për qytetet e perandorisë.

III – TRANSPORT. Dy shërbime publike siguronin komunikimin e shpejtë dhe dallonin Perandorinë romake, nga mbretëritë e tjera. Njëri ishte publicus cursus, një shërbim korrierësh perandorakë, që mbulonte deri në 120 km në ditë. Tjetri, Velox cursus, ishte shërbim për udhëtarë (70 km në ditë).

IV – PROVINCAT. Perandoria ishte e ndarë në provinca (rreth 40 nën Augustin), që sundoheshin nga një guvernator. Popujt e nënshtruar integroheshin në Perandorinë si foederatë: një traktat i “nënshtrimit” u jepte atyre të drejtën për të kultivuar tokën, në këmbim të sigurimit të ushtarëve për legjionet romake.

V – QYTETET. Legjionet e vendosura në provinca, si të gjitha njësitë e ushtrisë romake, krijonin vendbanime, castra-t. Ashtu si një kështjellë e fortifikuar, castrum kishte një plan katror, me rrugë pingul me njëra-tjetrën. Disa kampe kanë evoluar me kalimin e kohës dhe janë bërë qytete: kjo është në fakt origjina e qyteteve si Torino, Vjena dhe Londra.

VI – BARBARET. Ushtria nuk u formua sipas vijave etnike: edhe vullnetarët e lindur jashtë perandorisë mund të merreshin. Kjo e ktheu ushtrinë në një “kazan” shkrirjeje, që lejonte të përfitohej nga aftësitë e të gjithëve. Aq sa edhe luftëtarët barbarë mundeshin, nëse e meritonin, që të mbanin pozita përgjegjësie: shumë prej tyre u bënë edhe gjeneralë të rëndësishëm.

VII – ANNONA. Ata që jetonin në Romë kishin siguruar ekzistencën falë annona-s (nga emri i perëndeshës italiane të bollëkut): një furnizim me drithë që garantonte mbijetesën e qytetarëve të varfër. Annona u prezantua nga Gaius Gracchus në vitin 123 para Krishtit, dhe ky ishte burimi i mbështetjes popullore në hapat e parë të perandorisë. Një tjetër “nxitje” për të qenë besnik ndaj Romës, ishin tokat që u jepeshin atyre që ndërmerrnin një karrierë ushtarake.

VIII – ADOPTIMI. Praktika e adoptimit është përdorur për qëllime politike për të formuar aleanca. Sistemi fitoi rëndësi të madhe gjatë periudhës perandorake. Adoptimi në fakt i lejonte një perandori që të zgjidhte pasardhësin e tij jashtë rrethit të të afërmve. Mund të caktohej kështu si pasardhës personi më i përshtatshëm për të kryer atë rol. Perandori i parë i zgjedhur me këtë sistem ishte Trajani, që u adoptua në vitin 98 nga perandori Nerva. Dhe ishte Trajani që udhëhoqiPerandorinë Romake në shtrirjen e saj më të madhe.

IX – FEJA. Romakët nuk shkaktuan kurrë luftëra fetare: e dëshmon praktika e “evocatio”-s, ose ceremonia me të cilën mirëprisnin në Romë hyjnitë e qytetit kundër të cilit ata ishin duke luftuar. Sa më me ndikim që shiheshin hyjnitë, aq më shumë janë nderuar me tempuj të mëdhenj: qëllimi ishte për të privuar armiqtë nga mbrojtja e perëndive të tyre, të cilët “ftoheshin” të vendoseshin në Romë, ku ata do të merrnin nderimet më të larta. Kështu, ata u njohën edhe me kultet lindore, të tilla si ai i Isis (egjiptian) dhe Mitra (Pers). E njëjta gjë ndodhi me kulturën dhe artin grek, që u asimilua në elitën Romake pas nënshtrimit të Athinës.

X – QYTETARET. Qytetari (mashkull) romak gëzonte disa privilegje: qasje në detyra publike, pjesëmarrje në takimet politike, përfitime nga pikëpamja e taksave. Shtetësia megjithatë nuk ishte ekskluzive për ata që kishin familjen romake: në vitin 212, Perandori Caracalla e zgjeroi atë për të gjithë njerëzit që jetonin në perandori. Një strategji e miratuar që në vitin 90, kur nënshtetësia romake u zgjerua për popujt italikë. / (Nga: 101 sekrete të Romës së Lashtë”) – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button