Analiza

Ja kujt “i detyrohemi” për katastrofën e Libisë

Si e shndërruan atë që ishte një prej vendeve më të qëndrueshme dhe të begatë të Afrikës në një grumbull rrënojash. Falë përgjegjësisë së këtyre 3 njerëzve, Perëndimi tashmë po kundron shpërbërjen e Libisë dhe shndërrimin e luftës civile në një konflikt rajonal, me përfshirjen e aktive të Egjiptit dhe Emirateve te Bashkuara Arabe, dhe rrezikun e zgjerimit në Tunizi, si dhe ekspansionit islamik. Sarkozi, Klinton e Napolitano: ja ata që duhet sot të falenderojmë pse sot integralizmi islamik po shpërhapet në Libi dhe xhihadistët janë tashmë vetëm dy orë larg brigjeve italiane

Giampaolo Rossi

L'ISIS SI PROPAGA IN LIBIA,CAMPI ADDESTRAMENTO NELL'EST

Një francez, një amerikane dhe një italian: nuk është fillimi i një anektode, por janë ata që duhet të “falenderojmë” pse vendosën me verbëri për njërën prej luftërave më të pakuptimta, që Perëndimi ka ndërmarrë vitet e fundit, në emër të emergjencës humanitare.
Katastrofa në Libi është dëshmi e një gabimi të frikshëm të prodhimit të një ndryshimi rregjimi pa e lënë të qeveriset, duke e shndërruar atë që ishte një prej vendeve më të qëndrueshme dhe të begata të Afrikës, në një grumbull rrënojash. Dhe kjo mban firmën e 3 personave.
I pari është Nikolas Sarkozi, ish-presidenti francez, golisti me aureolë napoleonike. Ishte pikërisht ky që kërkoi me forcë rrëzimin e Gedafit, me bindjen se në këtë mënyrë në Francë do të rifitonte madhështinë e tij të humbur, në kushtet kur sondazhet e cilësonin si presidentin francez më të keq të 20 viteve të fundit (rekord ky negativ i arritur tani nga presidenti aktual Holond).
Ishte sërish Sarkozi që udhëzoi fuqitë perëndimore të njihnin ekzistencën e një qeverie libiane në mërgim, që kishte në fakt legjimitetin e një pinguini në Sahara dhe ishte po aq që nxiti një Obamë hezitues të pranonte fillimin e bombardimeve kundër ushtrisë së Gedafit, që nga ana e tyre e shpunë NATO-n me një këmbë në një luftë civile. Për më tepër Aleanca u reshtua turpshëm me një palë, duke dhunuar kështu parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran.
Ishte pra Sarkozi, ai që në ditët e arratisë së Gedafit, vizitoi kryeqytetin libian Tripoli së bashku me folozofin e majtë, Bernard Henry Levy, prej kohësh një mbrojtës i të ashtuquajturave “bomba humanitare”. Zyrtarisht për të siguruar libianët për rolin e Francës në ndërtimin e demokracisë dhe për të mbyllur ndonjë marrëveshje mbi shfrytëzimin e burimeve energjitike të vendit të pasur afrikan. Jozyrarisht për të zhdukur gjurmët e raporteve të tij aspak elegante me Gedafin.
Kumbara e dytë e tragjedisë libiane është një grua amerikane: demokratja Hilari Klinton. Ishte kjo e fundit që tërhoqi pa dëshirë administratën Obama, në luftën franceze, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të cilat në Libi ishin dhunuar me tepër nga rebelët sesa nga besnikët e Gedafit.
Këtë e bëri, duke zbatuar një parim gjithëaq të ri: atë të një lufte humanitare parandaluese. Ideja është që SHBA-ja në Libi do të duhej të ndërhynte, jo për të ndëshkuar krimet e kryera nga regimi, por për ato që mund të kryheshin në të ardhmen. Me fjalë të tjera, unë të bombardoj, jo për atë që ke bërë por për atë që mendon të bësh: një çmenduri e së drejtës ndërkombëtare!
Falenderimi i tretë shkon për një italian që quhet Xhorxho Napolitano. Ky shtyu vendin e tij në luftë, duke u bërë pjesë e koalicionit që si rregull duhet të zbatonte rezolutën e OKB-së, ndërsa përkundrazi lëshoi kushtrimin për të rrëzuar rregjimin libian me pasthirrmën: mos të lejojmë që pranvera arabe të kompromentohet!
Silvio Berluskoni (asokohe kryeministër), i ishte kundërvënë ndërhyrjes ushtarake për arsye të thjeshta për t’u kuptuar. Së pari për një raport mirëbesimi të ndërtuar ndër vite me liderin libian Gedafi, besim që kishte prodhuar marrëveshje të rëndësishme ekonomike mes dy vendeve, së bashku me zotimin e Libisë për të kontrolluar emigracionin e paligjshëm drejt brigjeve italiane (zotim që në fakt ia kishte dalë të zvogëlonte ndjeshëm zbarkimet në brigjet italiane me 90 përqind). Së dyti, sepse e dinte se boshllëku i pushtetit që do të krijohej me rrëzimin e Gedafit, do të ishte i rrezikshëm për interesat kombëtare të Italisë. Por në ato muaj, imazhi i kryeministrit italian ishte kompromentuar rëndë, për shkak të çështjeve gjyqësore në ngarkim të tij, humbjes së besueshmërisë në raport me partnerët ndërkombëtarë për shkak të skandalit “Rubi”, si dhe manovrave të natyrës teknokrate që çuan në komplotin e nëntorit 2011. Presidenti Napolitano përfitoi nga situata dhe në një bindje të verbër ndaj atyre fuqive ndërkombëtare, për të cilat ka një admirim të natyrshëm, e futi vendin në luftë, duke mos garantuar më parë përfaqësimin e Italisë në konferencat e pasluftës dhe duke e privuar vendin të krijonte një aks neutral me Gjermaninë (që në sulmin e turpshëm ndaj Libisë nuk mori pjesë).
Pa bazat italiane, pjesëmarrjen e avionëve tanë në misionet e bombardimeve dhe interkonjeksionit, operacioni ndërkombëtar do të kishte hasur në jo pak vështirësi për t’u zbatuar. Falë përgjegjësisë së këtyre 3 njerëzve, Perëndimi tashmë po kundron shpërbërjen e Libisë dhe shndërrimin e luftës civile në një konflikt rajonal, me përfshirjen e aktive të Egjiptit dhe Emirateve te Bashkuara Arabe, dhe rrezikun e zgjerimit në Tunizi, si dhe ekspansionit islamik. Sarkozi, Klinton e Napolitano: ja ata që duhet sot të falenderojmë pse sot integralizmi islamik po shpërhapet në Libi dhe xhihadistët janë tashmë vetëm dy orë larg brigjeve italiane./il giornale/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button